Redaksia e HelveticALforum hapi një sondazh më 11 janar 2025, i cili qëndroi i hapur deri më 17 janar 2025. Për shtatë ditë me radhë, lexuesit e portalit tonë patën rastin të shprehin bindjen e tyre nëse diaspora shqiptare meriton ta ketë muzeun e vet në kryeqytetin e Kosovës.
Pyetja konkrete që iu shtrua lexuesve të portalit ishte “A mendon se diaspora shqiptare meriton ta ketë ‘Muzeun e Diasporës’ në Prishtinë?” Atyre iu kishin ofruar tri variabla [po / jo / nuk e di], si përgjigje të mundshme.
Nga 949 lexues që zgjodhën të shprehnin mendimin e tyre lidhur me këtë pyetje, 942 prej tyre apo 99.2% janë shprehur se e duan një muze të këtillë në Prishtinë, ku do të mund të ekspozoheshin materiale e eksponate fotografike, arkivore dhe jo vetëm. Për variablin e dytë ‘jo’ ishin përcaktuar 3 lexues ose shprehur në përqindje 0.3% prej numrit të përgjithshëm të votuesve. Vetëm katër lexues apo 0.4% prej tyre ishin shprehur të pavendosur, duke klikuar mbi variablin ‘nuk e di’.
Rezultatet e këtij sondazhi janë tregues i bindshëm që komuniteti shqiptar i shpërndarë nëpër botë e dëshiron një monument kulturor në kryeqytetin e Kosovës, në kuadër të të cilit, shiptarëve në përgjithësi dhe turistëve eventualë të Prishtinës do t’u jipej mundësia të njiheshin më për së afërmi me kontributin konkret të mërgatës shqiptare, të dhënë për çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës.
Vlenë të theksohet se muaj më parë, Instituti Studimor Helvetik për Evropën Juglindore i kishte bërë një kërkesë të arsyetuar bindshëm Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ta shqyrtuar mundësinë e hapjes së muzeut të diasporës në Prishtinë, duke ia rekomanduar edhe lokacionin e saktë dhe rëndësinë që përfaqëson një muze i këtillë. Deri sot, MPJD nuk e ka parë të arsyeshme ti kthejë përgjigje këtij instituti, e as nuk ka dhënë ndonjë tregues për ndonjë angazhim konkret për ta jetësuar këtë kërkesë.
Redaksia e HelveticALforum.ch