Deklarata vjen mbi emërimin e diplomatit danez, z.Peter Sørensen, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Tiranë, 20 Janar 2025
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) përshëndet vendimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, znj. Kaja Kallas, për emërimin e diplomatit danez, z.Peter Sørensen, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Zgjedhja e z.Sørensen, një diplomat me përvojë të spikatur në çështjet rajonale dhe të angazhuar në promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Fakti që z.Sørensen vjen nga Danimarka, një vend anëtar i Bashkimit Evropian që ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, përbën një vlerë të shtuar për procesin e dialogut. Ky element rrit besueshmërinë e tij si ndërmjetës dhe reflekton mbështetjen për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) thekson rëndësinë e një dialogu të hapur, gjithëpërfshirës dhe të barabartë, si dhe nxit palët të angazhohen me seriozitet dhe konstruktivitet në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Një proces i tillë është thelbësor për të garantuar paqen, stabilitetin dhe integrimin e mëtejshëm të rajonit në strukturat euroatlantike.
KASH shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe z.Sørensen në këtë rol të rëndësishëm dhe inkurajon bashkësinë ndërkombëtare të vijojë të mbështesë të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
……………………………………………………….
https://albanianambassadors.al/…/keshilli-i…/
https://albanianambassadors.al/council-of-albanian…/