Taulant Balla, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, ka nisur një turne informues për votën e emigrantëve, duke zhvilluar takime me shqiptarët që jetojnë në shtetin e Miçiganit në SHBA.
Gjatë vizitës në Detroit, ai takoi drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare, me të cilët diskutoi për rëndësinë e regjistrimit të bashkatdhetarëve për zgjedhjet e 11 majit.
Balla vlerësoi angazhimin e “Vatrës” për ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare, si dhe për lobimin në interes të çështjeve shqiptare në SHBA. Ai theksoi se regjistrimi i votuesve nga jashtë është një hap i rëndësishëm për forcimin e demokracisë shqiptare dhe u bëri thirrje komuniteteve shqiptare që të ndihmojnë në këtë proces, duke përmendur afatin e regjistrimit deri më 4 mars.
Ndër të tjera, Balla propozoi hapjen e një konsullate shqiptare në Miçigan për të lehtësuar nevojat e rreth 200 mijë shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mësimdhënies së gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës, duke përmendur krijimin e një abetareje të përbashkët me Kosovën. Në fund, Balla nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik, jo vetëm si anëtare e NATO-s, por edhe në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai ftoi të gjithë shqiptarët që të kontribuojnë për të ardhmen e vendit përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. / Rugova Dunisha/rtsh