/ Drejtuar znj.Donika Gërvalla, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës
Prof. Dr. Xhavit Lipaj, PhD (i lindur dhe rritur në Dukagjin)
Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD (i lindur dhe rritur në Drenicë)
E nderuara Ministre Gërvalla,
Me indinjatë të thellë kemi ndjekur intervistën tuaj “Donika Gërvalla, kryetare e LDK- së për Gjermani, në TV Rrokum, 2015“, ku keni deklaruar: “…Kam pasur ofertë nga Isa Mustafa që të hyj në listën e kandidatëve për deputetë. Jam menduar gjatë, nuk e kam refuzuar, jam menduar gjatë nëse bën apo jo. Kam thënë se do të hyj në listën e kandidatëve për deputetë vetëm nëse LDK para zgjedhjeve tregon vendosmëri dhe deklaron qartë se nuk do të bëjë koalicion me asnjërin krah të krimit, as Dukagjinin, as Drenicën…” (Rrokum TV. Donika Gërvalla, kryetare e LDK-së për Gjermani, në TV Rrokum 2015, nga minuti 33.03, shkarkuar më 28.01.2025 nga ky link:
https://www.facebook.com/watch/?ref=search&v=948433468529766&external_log_id=542e97f7-67f8-4473-8357-183ec413f6c5&q=donika%20gervalla%20rrokum%20tv).
Një deklaratë e tillë përben një fyerje të rëndë, jo vetëm ndaj banorëve të këtyre trevave, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës që njohin dhe çmojnë kontributin e Drenicës dhe Dukagjinit në historinë, kulturën dhe shtetformimin e vendit tonë. Si qytetarë të Dukagjinit dhe Drenicës, ndiejmë keqardhje dhe indinjatë të madhe që një Ministre e Punëve të Jashtme, përfaqësuese e vendit në arenën ndërkombëtare, i drejtohet me fjalë kaq denigruese një pjese të popullit të saj. Ky qëndrim përhap paragjykime të papranueshme, thellon ndasitë sociale dhe politike, si dhe minon respektin dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.
Fyerje kolektive
Kur një zyrtare e lartë shtetërore e kufizon një rajon të tërë si “simbol të krimit”, ajo u vë njollën e zezë mijëra qytetarëve të ndershëm. Kjo është e padrejtë dhe cënon dinjitetin e secilit që jeton dhe punon me nder në Drenicë dhe Dukagjin.
Mungesë përgjegjësie institucionale
Nga një ministre pritet gjuha e diplomacisë, mirëkuptimi dhe vetëpërmbajtja, jo fryrja e akuzave kolektive. Roli juaj kërkon unifikim të popullit dhe përfaqësim dinjitoz jashtë vendit, e jo fyerje.
Dëmtim i imazhit të Kosovës
Deklaratat e tilla, sado të papërgjegjshme apo të nxituara të kenë qenë, dëmtojnë imazhin e vendit në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nëse ne vetë i cilësojmë rajonet tona si “simbol krimi”, çfarë mesazhi përcillet në arenën ndërkombëtare për Kosovën?
Kërkesë për sqarim dhe reflektim
Ju ofrojmë që mundësisht të ofroni një sqarim të reflektueshëm dhe të ndershëm para qytetarëve, si dhe të kërkoni falje publike për këtë deklaratë. Nuk është e pranueshme që një zyrtare e nivelit tuaj t’i kategorizojë qytetarët e vet si kriminelë me aq lehtësi.
Mekat i dyfishtë ndaj qytetarëve
Quajtja e një treve të tërë “simbol krimi” është jo vetëm fyese, por edhe e rrezikshme. Ajo promovon stereotipe të papranueshme, ndanë qytetarët në “të mirë” e “të këqij” dhe minon përpjekjet për drejtësi e pajtim të plotë brenda vendit tonë. E nderuara Ministre, ne nuk kërkojmë asgjë më shumë përveç respektimit të dinjitetit. As Dukagjini, as Drenica dhe asnjë zonë tjetër e Kosovës nuk duhet të njolloset nga paragjykime të tilla. Secili vend ka problemet e veta, por zgjidhja e tyre kërkon lidership kompetent bashkues, jo gjuhë përçarëse. Në emrin tonë, por me bindjen se flasim edhe për bashkëqytetarët e Dukagjinit dhe Drenicës, si dhe për të gjithë ata që e duan Kosovën dhe tër Kombin Shqiptar, kërkojmë nga ju, znj. Gërvalla, të reflektoni urgjentisht dhe të kërkoni ndjesë publike për deklaratat fyese dhe të papërgjegjshme.
Me respekt
Prof. Dr. Xhavit Lipaj, PhD dhe Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD
Referenca
Rrokum TV. (Donika Gërvalla, kryetare e LDK-së për Gjermani, në TV Rrokum 2015, nga minuti 33.03, shkarkuar më 28.01.2025 nga ky link:
https://www.facebook.com/watch/?ref=search&v=948433468529766&external_log_i
d=542e97f7-67f8-4473-8357-183ec413f6c5&q=donika%20gervalla%20rrokum%20tv.
(Foto ilustrim)