/ Nga PhD. Xhavit LIPAJ, Zvicër /
Deklarata e Kryeministrit Kurti është një manifestim i pastër i arrogancës politike dhe një dëshmi shqetësuese e qasjes së tij paternaliste ndaj qytetarëve.
Të sugjerohet se ai duhet të quhet “Albin Baba” sepse dëshiron të marrë përsipër rritjen e fëmijëve të tjerëve është një shkelje e rëndë e kufijve institucionalë dhe një fyerje ndaj prindërve, familjeve dhe vetë konceptit të sovranitetit të individit në një shoqëri demokratike.
Kjo retorikë është një përzierje e rrezikshme mes demagogjisë dhe një mendësie autokratike, ku lideri e sheh veten jo si shërbëtor të popullit, por si një figurë mesianike që kërkon nënshtrim të pakushtëzuar.
Kjo logjikë është në kundërshtim të plotë me çdo parim të një qeverisjeje të ndershme, të përgjegjshme dhe demokratike. Një kryeministër nuk është as baba i popullit, as tutor i qytetarëve, por një administrator i përkohshëm i pushtetit, i mandatuar nga vullneti i sovranit – popullit – dhe i kufizuar nga ligji dhe Kushtetuta.
Një diskurs i tillë është një dëshmi e qartë e një kulture politike që më shumë i ngjan regjimeve autoritare të shekullit të kaluar sesa një demokracie moderne. Këto lloj frazash nuk janë as të rastësishme dhe as të padëmshme – ato krijojnë një precedent të rrezikshëm ku një lider përpiqet ta vendosë veten mbi institucionet, mbi rregullat demokratike dhe mbi vetë popullin.
Nëse ky është drejtimi në të cilin synon të shkojë qeverisja, atëherë kemi të bëjmë me një tentativë për të shkatërruar konceptin e shtetit të së drejtës dhe për të ndërtuar një regjim të mbështetur në personalizimin e pushtetit.
Kjo nuk është thjesht një gafë verbale – është një sinjal alarmi për ata që besojnë ende në demokraci, në institucione dhe në kufijtë e shëndetshëm mes pushtetit dhe qytetarit. Qytetarët nuk kanë nevojë për një “baba” politik që të luajë rolin e shpëtimtarit.
Ata kanë nevojë për institucione të forta, për transparencë, për llogaridhënie dhe për një klasë politike që nuk i trajton si fëmijë të paaftë, por si individë të pjekur që meritojnë respekt dhe dinjitet. Dhe nëse dikush nuk e kupton këtë, atëherë nuk është i denjë për të udhëhequr një shtet. (Foto ilustrim)
helveticALforum