Në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë ka nisur Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Forcat e Armatosura shqiptare, institucionet e sigurisë në vend si dhe përfaqësuesve të vendeve të NATO.
Sipas njoftimit të bërë publik nga Ministria e Brendshëm, në ceremoninë e nisjes së programit arsimor, mori pjesë zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Altin Kurti, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, si dhe komandantë dhe drejtorë në FA.
Në fjalën e saj, zëvendësministrja Abrazhda, vuri në dukje rëndësinë e këtij kursi për përgatitjen e atyre që ajo i konsideroi si udhëheqësit e së nesërmes.
“Ky kurs nuk është thjesht një trajnim akademik, por një platformë vendimtare për thellimin e njohurive, nxitjen e të menduarit strategjik, shkëmbimin e ideve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të sigurisë dhe mbrojtjes. Ai bashkon oficerë dhe zyrtarë të rangut të lartë nga Shqipëria, rajoni, vendet e NATO dhe ato partnere, duke përforcuar angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin. Siguria dhe mbrojtja janë shtylla themelore e çdo shteti sovran dhe të qëndrueshëm. Në një epokë ku sfidat e sigurisë po bëhen gjithnjë e më komplekse, ne kemi nevojë për udhëheqës dhe ekspertë të përgatitur mirë, të cilët mund të analizojnë, parashikojnë dhe reagojnë në mënyrë efektive ndaj kërcënimeve të vazhdueshme”, u shpreh zëvendësministrja Abrazhda.
Në Kursin XV të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjes marrin pjesë 18 ushtarakë të lartë nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Italia, Turqia si dhe civilë profesionistë të shquar nga institucionet të ndryshme të sigurisë në vend.
Programi jep njohuri dhe trajnim analitik për probleme të Mbrojtjes dhe Sigurisë në nivelin kombëtar, rajonal e më gjerë. Kursi ka si qëllim aftësimin e ushtarakëve dhe civilëve të niveleve strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe institucionet e tjera të sigurisë së vendit dhe atyre analoge të vendeve të tjera. Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen zhvillohet në gjuhën angleze, ka një kohëzgjatje rreth tremujore dhe përfundon më 23 maj 2025, njofton rtsh.