Mbrëmë ishte një takim i mbushur me art dhe më pastaj një bashkëbisedim me artistë dhe artëdashës në afërsi të Cyrihut në Zvicër, konkretisht në Spreitenbach. Zvicra ky shtet mik i kombit tonë, dita ditës po pasurohet edhe me artistë shqiptarë.
Artistët shqiptarë, që po jetojnë në këtë shtet e në bashkëpunim edhe me artistë nga atdheu, po organizohen në forma të ndryshme në të mirë të kulturës. Kështu edhe mbrëmë kishin ardhur edhe artistë nga atdheu. Përveç disa artistëve që veprojnë në Zvicër në mesin e tyre ishte edhe Aktori i merituar, z.Adem Kicaj, drejtor i Shkollës së Aktrimit IFTP me qendër në Zug të Zvicrës.
Përveç disa artëdashësve, në këtë takim arti ishte edhe Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Rexhep Demiri i cili po nderon dhe përkrah aktivitetet e ndryshme në të mirë të shoqërisë.
Siç mesoi helveticALforum, z.Demiri përshëndeti organizatorët dhe të gjithë të pranishmit me fjalët më të mira të mundshme, që të vazhdohet edhe në të ardhmen në këtë mënyrë dhe të jemi edhe më të bashkuar me programe edhe më të mira. Kemi potencial, sepse diaspora jonë, tashmë ka edhe gjeneratën e re dhe ata po punojnë shumë me profesionalizëm.
Në këtë mbrëmje arti ishte edhe Shefi i Misionit Diplomatik i Republikës së Kosovës në Cyrih, z.Vigan Berisha i cili u nda shumë i kënaqur me programin e ofruar nga organizatorët dhe uroi që të vazhdohet edhe në të ardhmen me organizime të mirëfillta me pasuri të madhe artistike.
Z.Berisha takoi edhe disa nga artistët që ishin të pranishëm dhe bashkëbiseduan për organizime të tjera dhe për jetën artistike në përgjithësi e duke falënderuar edhe shtetin zviceran që po na mundëson të jemi të organizuar dhe që po bashkëpunon me komunitetin tonë. E pranishme ishte zonja, Shukrije Ramadani, këshilltare në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bern të Zvirës.
Në këtë mbrëmje artistike ishte i pranishëm edhe afaristi, bëmirësi dhe kryetari i Rrjetit të Bizneseve në Zvicrën Qendrore, z.Visar Robelli i cili pasi kishte përshëndeti organizatorët dhe musafirët, ai vlerësoi lart punën që është bërë dhe që po bëhet edhe në fushën e artit.
Ndërsa, aktori i merituar z.Adem Kicaj, pas përfundimit të mbrëmjes me një prononcim ekskluziv për portalin tonë tha: “Hiq më pak se për 30 vjet nuk jemi ndalur vetëm në Zvicër për të mirën e artit dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me ato mundësi që kemi pasur.
Dikur ishte më e vështirë, megjithate ia kemi dalur. Përgëzoj organizatorët dhe i falënderoj që më kanë ftuar. Do të duhej që të bashkëpunojmë edhe më shumë mes veti, sepse kemi kuadër dhe besoj shumë se do të kishim sjellur edhe projekte të tjera. Ne ishim të hapur e jemi. Ju e dini se ne kemi shkollën e aktrimit dhe nga kjo shkollë për 20 vjet kanë dalur artistë dhe ata sot luajnë edhe në disa seriale në Kosovë. Kemi pasur siç e dini disa filma dhe jemi duke punuar me stafin dhe artistë të shkollës në projekte të mira. E përsëris, se së shpejti do ta jetësojmë edhe aktorin e madh, Aleksandër Moisiu në Morcote të Zvicrës. Isha e do të jem me vlerën me punëtorët, artistët dhe artëdashësit”.
Ndërsa, afaristi, atdhetari, një personaliet i njohur që njihet edhe si unifikues e fjalë pak, ish kryetar i Rrjetit të Biznesve Shqiptare për Zvicën Qendrore, z.Florim Useini ai ndër të tjera tha:
“I nderuar nga ftesa e Studio “Aktrimi” në Zvicër e që me shumë kënaqësi morra pjesë në kinemanë Pathé Spreitenbach, ku mbahej edicioni i tretë i “Tre Net Film Fest”. Nën përzgjedhjen e regjisorit të mirënjohur Ben Apolloi, ku do të shfaqen filma të metrazhit të shkurtër, të krijuar nga disa prej artistëve më premtues.
Mbrëmë (7 nëntor) në natën e parë ndoqëm:
- “Ninullë” – Adrian Asllani
- “Ditëlindja” –Sabri Pajaziti
- “Violinisti” – Samir Bajo
Filmat padyshim që jepnin një mesazh të fuqishëm dhe mbi të gjithë ishte kënaqësi e veçantë, që në një kinema në Zvicër të ndjekish Film shqip. Pas filmit ishte edhe një debat shumë produktiv nga regjisorët, profesor, diplomatë dhe personalitete të ndryshme që ishin prezent. Gjithashtu përgëzoj organizimin dhe gjithë organizatorët“. Përveç disa aktorëve që veprojnë në Zvicër, kishte edhe nga Gjermania, Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës. Mbrëmje të tilla artistike, do të kujtohen për të mire nga të gjithë ata që ishin prezent dhe besojmë, se edhe në të ardhmen, do të vazhdohet. ( Foto nga Florim Useini)
helveticALforum