HelveticALforum ka mësuar, se sot Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih e kanë vizituar regjisorët, aktorët dhe pjesmarrësit e Edicionit të Tretë të „Tri Netë Film Fest“, që filloi mbrëmë në Spreitenbach të Zvicrës. Siç edhe ju kemi njoftuar të nderuar lexues, ky Festival e filloi me shumë sukses, ku të pranishëm ishin edhe disa personalitete.
Ja se si e përshkruan vizitën e këtij ekipi, Shefi i Misionit Konsular në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha përmes një postimi në Facebook.
„Me krenari dhe emocion, sot mirëpritëm regjisorët, aktorët dhe pjesëmarrësit e Edicionit të Tretë të “Tri Netë Film Fest”, përfshirë personalitete të njohura si Mentor Zymberaj, Ben Apolloni, Sabri Pajaziti, Burim Haliti, Arijola Demiri, Sherif Dakaj dhe Avdi Amiti. Ky festival i rëndësishëm kulturor, i cili zhvillohet në Kino Pathé, Spreitenbach, është bërë i mundur falë mbështetjes së Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe përkushtimit të regjisorit të shquar Ben Apolloni.
Filmat që do të shfaqen në këtë edicion nuk janë thjesht prodhime artistike, por pasqyrim i historive, traditave tona kombëtare. Këto krijime artistike frymëzojnë dhe ndërtojnë ura mes nesh kudo që ndodhemi, duke na kujtuar rëndësinë e trashëgimisë sonë të pasur kulturore. Datat për shfaqjen e filmave, sonte, më 8 nëntor dhe nesër, më 9 nëntor 2024. Ju ftojmë të gjithëve të merrni pjesë dhe të festoni bashkë me ne artin, kulturën dhe shpirtin shqiptar!”. Sipas asaj, që kemi mësuar, pritet që edhe sonte dhe nesër, do ta përcjellin këtë Festival një numër i madh i artëdashësve.
helveticALforum