Intervistë me Seid Feta Zumberi, student për Master of Law në Universitetin e Cyrihut
“Kam zgjedhur juridikun, sepse ndjej një shtysë të brendshme për drejtësi dhe dëshiroj që një ditë ta promovoj atë në një nivel të plotë dhe të qëndrueshëm. Jam i vetëdijshëm se drejtësia e plotë është një ideal i paarritshëm”, na tha ndër të tjera, Seid Feta Zumberi.
Intervistoi: PhD. Dashnim HEBIBI
Përshendetje! Fillimisht, të falemnderit për kohën! Seid, je 25 vjeçar, i lindur në Walenstadt, Zvicër, me origjinë nga Sllupçani i Maqedonisë së Veriut. Gjuhën, shumë bukur po e flet dhe shkruan. Përveç familjes, ke shkuar edhe në Shkollën Plotësuese Shqipe LAPSH?
Po, kam ndjekur Shkollën Plotësuese Shqipe LAPSH në Flums gjatë shkollës fillore dhe të mesme të ulët. Dua të falënderoj, veçanërisht Dr. Vaxhid dhe znj. Qefsere Sejdiu për përkushtimin e tyre në mësimdhënie. Mundohem ta ruaj gjuhën shqipe dhe ta përdor çdo ditë, edhe pse rrethanat e jetës shpesh e vështirësojnë këtë.
“Një falënderim i pazëvendësueshëm për babain tim Fetah Zumberi, nënën time, tre vëllezërit, motrën dhe gjithë familjen time të ngushtë dhe të gjerë, miq, shokë e dashamirë”
Më vjen mirë, sinqerisht, që po flet shumë rrjedhshëm. Kjo është një pasuri, sepse e ke ruajtur gjuhën tonë. Vjen nga një familje intelektualësh. Pse e zgjodhe juridikun që ta studjosh?
Kam zgjedhur juridikun, sepse ndjej një shtysë të brendshme për drejtësi dhe dëshiroj që një ditë ta promovoj atë në një nivel të plotë dhe të qëndrueshëm. Jam i vetëdijshëm se drejtësia e plotë është një ideal i paarritshëm, por dëshiroj të jap kontributin tim maksimal dhe të frymëzoj të tjerët të kontribuojnë në këtë drejtim.
Familja Zumberi numëron mbi gjashtë mjekë, disa anëtarë të përkushtuar në botën e biznesit, një ish-politikan, si dhe tre vëllezërit, të cilët kanë përfunduar studimet me titull Master of Science në informatikë dhe ekonomi në Universitetin e Cyrihut. Kjo, padyshim se është pasuri e madhe. Na thuaj drejt, mes veti, flisni më përpara gjermanisht apo shqip?
Varet nga tema dhe personi me të cilin bisedoj. Me vëllezërit e mi flasim të dyja gjuhët rrjedhshëm dhe pa problem, ndërsa me pjesën tjetër të familjes komunikojmë vetëm në gjuhën shqipe.
Rruga jote arsimore filloi në Flums, ku përfundove shkollën fillore dhe atë të mesmen e ulët, ndërsa gjimnazin me drejtim të ekonomisë dhe të drejtësisë e përfundove në Sargans.
Na njofto se pse u angazhove edhe për arbitër futbolli për nëntë vite me radhë?
Fillimisht, arbitrimin e nisa si një hobi (përpara se të filloja gjimnazin). Shpejt më pëlqeu roli i liderit dhe kontrolli mbi lojën, duke gjetur kënaqësi në drejtimin e një loje të drejtë përmes zbatimit korrekt të rregullave. U ngrita në detyrë shpejt në ligat më të larta, gjë që përfundimisht më çoi të bëhesha pjesë e grupit të talenteve të arbitrave në Cyrih për një vit. Më pas, për arsye personale dhe akademike, vendosa të tërhiqem nga kjo fushë.
Ke zgjedhur të studjosh për drejtësi, duke dashur t’i përkushtohesh fushës së drejtësisë, me synimin për të ndihmuar të varfërit dhe ata që përjetojnë padrejtësi. Komenti yt?
Kam zgjedhur drejtësinë për të ndihmuar, jo vetëm individët që përjetojnë padrejtësi, por edhe për të kontribuar në avancimin e shtresave më të ulëta të shoqërisë. Drejtësia, për mua, është një mjet për të promovuar një shoqëri më të drejtë dhe me mundësi të barabarta për të gjithë individët.
Ke përfunduar studimet e nivelit Bachelor of Law në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Cyrihut. Në cilin universitet je duke vazhduar?
Në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Cyrihut.
Ke punuar si këshilltar për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave në Swiss Infosec AG, ku ke këshilluar dhe mbështetur kompani të mesme dhe të mëdha në zbatimin e rregulloreve dhe standardeve në fushën e mbrojtjes së të dhënave. Sikur të të jipej mundësia që të kontribuoje në vendin e të parëve për një periudhë, do të kishe pranuar?
Aktualisht jam i fokusuar në ndërtimin e karrierës time akademike dhe profesionale. Në të ardhmen, nuk përjashtoj mundësinë për të kontribuar në vendin e të parëve.
Synimi yt është që në të ardhmen të angazhohesh për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare. Për ku është fjala?
Bëhet fjalë për shtete të ndryshme ku ekzistojnë pakica kombëtare.
Çka do ti kishe thënë të rinjve që janë në dilemë për të filluar studimet, apo për të hyrë në ndonjë punë?
Varësisht nga aftësitë dhe interesat e çdo personi, do të rekomandoja gjithmonë ndjekjen e asaj rruge që i përshtatet më së miri atyre. Për ata që mund të ndjekin studimet, shkollimi është një mundësi e shkëlqyer, jo vetëm për të zhvilluar njohuri të reja, por edhe për të rritur aftësitë personale. Nga ana tjetër, puna praktike mund të jetë po aq e vlefshme për ata që zgjedhin të hynë në tregun e punës herët, duke krijuar përvoja dhe kompetenca të drejtpërdrejta.
Një nga vlerat më të mëdha të Zvicrës është parimi i barazisë së mundësive (Chancengleichheit), që i lejon secilit të ketë shansin për të arritur sukses, pavarësisht nga rruga që zgjedh. E rëndësishme është që të qëndrojmë të përkushtuar dhe të motivuar në çfarëdo drejtimi që zgjedhim, sepse vetëm përmes punës së vazhdueshme dhe këmbënguljes mund të arrijmë qëllimet tona.
(Foto kujtimi me xhaxhin Skender Zumberi)
E viziton vendlindjen e prindëve?
Sigurisht. Mundohem ta vizitoj sa herë që më jipet mundësia dhe sa herë që kam kohë të lirë.
Si intelektual, i lindur, rritur e edukuar në Zvicër, me çka pajtohesh në Maqedoni të Veriut dhe me çka nuk pajtohesh? Na thuaj dy tri raste që për ty janë të mira ose jo të mira, të cilat do ti ndryshoje?
Në këtë pikë, më duhet të reflektoj më shumë. Mendoj se ka vend për përmirësim në fushën e arsimit dhe mundësive për të rinjtë, por gjithashtu vlerësoj përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e kulturës. Nga ana tjetër, situata politike dhe funksionimi i shtetit ligjor nuk janë ende në nivelin që do të dëshiroja, dhe mendoj se këto janë fusha ku duhet bërë më shumë punë. Gjithsesi, qëndrimi im është gjithmonë të vlerësoj progresin dhe të besoj se ndryshimet e duhura mund të ndodhin me përkushtim dhe angazhim.
Cili do të ishte urimi yt për të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit?
Uroj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, unitet, progres dhe harmoni. Qoftë kjo ditë një kujtesë e forcës dhe qëndresës sonë si komb, duke na frymëzuar për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur së bashku.
Mirupafshim dhe padyshim se presim suksese të tjera.
Ju falenderoj shumë, z. Dashnim Hebibi, për mundësinë dhe kohën që më dhatë për këtë intervistë. Ishte një kënaqësi e veçantë të ndaja mendimet dhe përvojat e mia me ju dhe lexuesit tuaj. Shpresoj që bashkëbisedimi ynë të jetë inspirues dhe i dobishëm për të gjithë.
Ju uroj gjitha të mirat në punën tuaj dhe suksese të mëtejme.
helveticALforum.ch