Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përshëndetur 55-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, duke e cilësuar atë një vatër të rëndësishme të dijes dhe shqiptarisë.
“Si sot, 55 vjet më parë, më 15 shkurt 1970, u mbajt mbledhja e Kuvendit themelues të Universitetit të Prishtinës, një ngjarje historike e arsimore, me rëndësi kombëtare për Kosovën, por edhe për kombin shqiptar.
Universiteti i Prishtinës, i cili mban emrin e nderuar “Hasan Prishtina”, me 14 fakultetet dhe 158 programet e tij, është ndër qendrat më të mëdha e më të rëndësishme arsimore, shkencore e kulturore shqiptare.
Përgjatë më shumë se gjysëm shekulli, Universiteti i Prishtinës ka arsimuar, formuar, edukuar dhe inspiruar dhjetra breza studentësh, pedagogësh e intelektualësh, personalitete të shquara të dijes, të luftës për çlirim, pavarësi, shtetformim, demokraci, zhvillim e progres, dhe ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një vatër e madhe e shqiptarisë. Urime studentëve e profesorëve, ish studentëve dhe ish profesorëve si edhe gjithë popullit të Kosovës, në vitin e 55-të të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”!”, njofton rtsh.