Gjykata Speciale ka reaguar pas lajmeve nëse ish presidenti, Hashim Thaçi ka bërë apo jo kërkesë në lidhje me lirimin e mundshëm për të ardhur në Kosovë për varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi.
Specialja në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës i lejon të paraburgosurit të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye detyruese humanitare.
“KSC-ja ka marrë disa pyetje nga gazetarë dhe anëtarë të publikut pas vdekjes së babait të Hashim Thaçit nëse zotit Thaçi do t’i lejohet të vizitojë Kosovën, siç iu lejua javën e kaluar kur vizitoi spitalin, dhe në dy raste të mëparshme.
Duke qenë shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit me familjen në situata si kjo, korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës i lejon të paraburgosurit të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët e miratuan këtë rregull bazuar në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndër të tjera, thuhet se deri më tani, 13 vizita të tilla nga të paraburgosurit në Kosovë janë urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara dhe janë menaxhuar nga gjykata.
“Për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjë nderime dhe të kalojë kohë me anëtarët e ngushtë të familjes pas vdekjes së një të afërmi”.
Sipas Speciales, kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjyqtarët që merren me çështjen vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur kërkesa është bërë me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo dhe ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të KSC dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa janë gjithmonë fillimisht konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale.
Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjyqtarët zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më në detaje. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjyqtarët, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë pak kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Gjykatës Speciale dërguar Telegrafit.