Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 26- vjetorin e vrasjes. Ai ka thënë se idealet e Malokut mbeten të gjalla për të na udhëzuar në ndërtimin e së ardhmes.
“26 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë, Enver Maloku u qëllua pranë banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë. Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndrrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë. Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45 vjeçare”, ka shkruar Abdixhiku.
Në përkujtim të jetës dhe veprës së Malokut, bashkë me familjen e tij dhe bashkëpunëtorët e Lidhjes Demokratike, Abdixhiku dhe të pranishmit u mblodhën përballë portretit të tij në Murin e Nderit në Selinë Qendrore të LDK-së. Aty qëndrojnë emrat e atyre që ndihmuan në ndërtimin e themeleve të Kosovës, duke nderuar trashëgiminë e pashlyeshme të Malokut në lëvizjen kombëtare. Abdixhiku gjithashtu e përmendi rëndësinë e idealit të Malokut, duke thënë: “Enver Maloku nuk ishte vetëm një gazetar dhe veprimtar i shquar i Lidhjes Demokratike dhe i lëvizjes kombëtare për liri; ai ishte një frymëzim për brezat që besojnë në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në detyrën e secilit prej nesh për t’i mbrojtur vlerat e kombit.”, njofton rtk.