Në Preshevë, në atë qytezë autoktone shqiptare, ka përfunduar festa teatrore që kishte filluar më 09-13 dhjetor. Edicioni jubilar – 30 vjetori i themelimit të këtij festivali (1994 – 2024). Edhe kësaj here, pa pishtarin e teatrit, Agron Boriçi, i cili u shua në moshën 60 vjeçare. Ai është marrë aktivisht me veprimtari skenike, si regjisor, skenarist dhe aktor.
Agron Boriçi, me katër dekada veprimtari skenike, si regjisor, skenarist dhe aktor, ka inskenuar 30 drama të gjinive të ndryshme, ka përgatitur 8 recitale skenike, 2 filma dokumentarë, ka inskenuar e shkruar mbi 50 skeçe humoristike. Autor i dramës “Aga Ymeri”, “Kalorësi i Apokalipsçs”, “Berberhonja”, tri pjesë të “Kabare TV Llaçka”.
Agroni është njëri ndër themeluesit e festivalit tradicional “Ditët e Komedisë Shqiptare” në vitin 1994. Përveç që është marrë aktivisht me skenën, është edhe autor i librit “Sherri i Preshevës në derë të Stambollit”. Për punën e tij është shpërblyer me çmime të ndryshme, ku veçohen: dy çmime për regjinë më të mirë, tri për aktrim dhe një për tekstin më të mirë. Do të ishte nder për të gjithë që të ndahen, në këtë festival dhe të mbetet tradicionale, një çmim me emrin e ‘Agron Boriçi’.
Duhet të përmendet ky personalitet, sa herë që përmendet kultura në atë trevë shqiptare, sepse, përveç që ka vepruar në atdhe, ai ka lënë gjurmë edhe jashtë atdheut me disa miq preshevarë, nga Kosova e Maqedonia e Veriut, në realizime të ndryshme. Ishte i papërtueshëm, modest dhe aristokrat në shpirt. E donte shumë Preshevën, edhe pse zemra i rrahte edhe për Shkodër. Presheva nuk bëri sa e meriton z. Boriçi. Do të duhej që të nderohej ai dhe disa personalitete të tjera, edhe pse nuk i kemi fizikisht. Të ndahen mirënjohje për familet e tyre. Kujtoj se vajza e Agron Boriçit, Afeida, është rritur në skenë e njohur kombëtarisht, por edhe ajo i qëndroi besnik veprave të babait të saj. Nuk duhet politika të na ndajë. Nuk duhet politika të jetë arsye të mos nderohemi mes vete. Kultura nuk ka politikë. Kultura duhet të na bashkojë. Agron Boriçi ishte i Preshevës.
Ai, kudo që shkonte, e kishte përparësi Preshevën. Dha shumë për teatrin e qytetit. Duhet të jemi realistë. Sado që shkruhet për jetën dhe veprën e Agron Boriçit, është pak, por ky festival dhe të tjerët do të duheshin ta kishin simbol emrin dhe veprën e tij, sepse hija e tij, jeta e tij na përcjell në çdo skaj të asaj treve. Le të vlojë, si dikur Presheva, kur ishte gjallë fizikisht Agron Boriçi, Flamurtarë të kulturës, ju mbajmë në shpirt.
Nga PhD.Dashnim HEBIBI