Të nderuar studentë, staf, bashkëkombës dhe miq të Universitetit të Evropës Juglindore,
28 Nëntori është dita kur zemrat tona rrahin më fuqishëm, kur kujtojmë me krenari sakrificën e etërve tanë dhe forcën e shpirtit kombëtar që bëri të mundur ngritjen e flamurit të pavarësisë. Kjo ditë nuk është vetëm një akt historik, por është mishërim i bashkimit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.
Në ditë festash është e udhës që të reflektojmë për të ardhmen më të mirë të brezave që vijnë, që t’iu trashëgojmë vlera me të cilat do të jenë krenarë. Flamuri kombëtar shqiptar në vete i mbart të gjitha këto vlera dhe më së miri përfaqëson idealin e të gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e pandashme e zhvillimit dhe vlerave të përbashkëta evropiane.
Universiteti i Evropës Juglindore, si një institucion i arsimit të lartë me përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta dhe përgatitjes së brezave të rinj, është krenar që kontribuon në formimin e profesionistëve dhe liderëve të së ardhmes. Nëpërmjet dijes, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën tonë, por edhe ndërtojmë të ardhmen tonë, duke e çuar përpara misionin kombëtar.
Le të jetë kjo ditë një kujtesë e vazhdueshme për rëndësinë e bashkimit, përkushtimit dhe investimit në dije, që të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri moderne, të drejtë dhe të fortë.
Urime përzemërsisht 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Flamurit!
Me respekt,
Akad.Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti
Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore