Shkrimtari, studiuesi dhe autori i shumë këngëve, Alfred Çapaliku, një nga emrat më të spikatur të kulturës dhe letrave shqipe, u prit sot në një takim të përzemërt nga Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj.
Gjatë takimit, Rektori Gjuraj shprehu mirënjohjen për kontributin shumëdimensional të Çapalikut në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare , si dhe për studimet e tij mbi figurat e ndritura të historisë së gjuhës dhe letërsisë shqipe . Si ish-anëtar i Qendrës së Studimeve Albanologjike pranë UNISHK, Çapaliku ka dhënë një kontribut të vyer në promovimin e vlerave kombëtare përmes një qasjeje të thellë shkencore dhe artistike.
“Profesor Alfred Çapaliku është një figurë shumëdimensional , që përmes krijimtarisë dhe studimeve të tij ka ndriçuar historinë e kulturës dhe gjuhës sonë kombëtare. Ai është një pasuri për universitetin tonë dhe për gjithë trashëgiminë intelektuale shqiptare,” u shpreh Rektori Gjuraj.
Nga ana e tij, Alfred Çapaliku falënderoi Rektorin për nderimin dhe vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për ruajtjen e identitetit kombëtar përmes studimeve shkencore dhe krijimtarisë letrare.
Takimi ishte një moment frymëzues që theksoi lidhjen e fortë mes kulturës dhe akademisë, duke nënvizuar rolin e studiuesve si Çapaliku në pasurimin e vlerave shqiptare .
#UNISHK #AlfredÇapaliku #StudimeAlbanologjike #TrashëgimiaKulturore #ToninGjuraj #LetërsiaShqiptare