Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Shkëlqesia e Tij, Dr. Martin Berishaj, zhvilloi një takim pune me Presidentin e Bordit të Croatia Airlines, z. Jasmin Bajić, ku u diskutua mundësia e hapjes së një linje ajrore direkte Zagreb–Prishtinë.
Gjatë bisedës, ambasadori Berishaj theksoi rëndësinë e një lidhjeje të tillë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, turistike dhe kulturore mes Kosovës dhe Kroacisë. Një linjë direkte do të lehtësonte lëvizjen e qytetarëve dhe bizneseve, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim.
Nga ana e tij, z. Bajić shprehu gatishmërinë për të shqyrtuar këtë mundësi dhe për të analizuar aspektet operacionale dhe tregtare të linjës së re ajrore. Palët u dakorduan të vazhdojnë komunikimin për një vendim konkret mbi këtë iniciativë.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së ndërlidhjes mes dy vendeve dhe avancimit të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e transportit ajror.
#KosovëKroaci #LidhjeAjrore #ZagrebPrishtinë #DiplomaciEkonomike #MundësiTëReja