Bülach, 23 nëntor
Festat e nëntorit te mërgata jonë kanë nisur në fillim të nëntorit. Gjithandej, vetëm sonte në Zvicër, sipas HelveticAlForum, janë mbajtur mbi 10 manifestime.
Sonte, ekipi ynë përcolli programin e Ansamblit të Valleve ‘Vatra’ në Bülach. Ishte mbledhur një numër i madh i bashkatdhetarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Programi u hap me hymnin kombëtar, duke e kënduar drejtpërdrejt fëmijët e lindur në Zvicër, të cilët po rriten kuq e zi. Z. Shaban Haliti, një veprimtar i njohur, udhëheqës i këtij ansambli, e prezentoi programin që ishte përplot me këngë, valle e recitime. Kishin ardhur edhe mysafirë nga Kosova e në mesin e tyre edhe aktori Çun Lajçi.
Zonja Ramadani duke i përshëndetur të pranishmit
Fjala e rastit iu dha zv. Ambasadores së Kosovës, shkëlqesisë së saj, znj. Shukrije Ramadani, e cila përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe organizatorët, duke përcjellur mesazhin që ti dërgojmë fëmijët në shkollën plotësuese shqipe LAPSH.
“Jo vetëm në emër të ambasadës, por ju përshëndes edhe nga zemra. Ti ruajmë rrënjët tona.” Me zonjën Ramadani ishte edhe zv. konsullja e Kosovës në Zürich, znj. Makfire Azemi. Në mesin e shumë mysafirëve ishin edhe shoqëri të tjera, si ShKA ‘Bashkimi’, ‘Dardania’ me drejtuesin Shefqet Cakolli, Kryetar i LAPSh-it për Zürich, z. Naser Ulaj, z. Florim Useini, Kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, etj.
Lulzim Krasniqi, me një fjalë rasti, i cili është kryetar i ansamblit, ndër të tjera, tha:
‘Ta mbajmë të gjallë frymën e 28 Nëntorit’. Programi ishte i pasur, duke pasur parasysh se ky ansambël, në qershor të vitit 2025 i bën 30 vjet veprimtari artistike. Edhe Çun Lajçi, me një pjesë artistike, i dha emocione të pranishëmve. Nga drejtues të këtij ansambli, u kërkua që të ndihmohet nga ata që munden në aspektin financiar, sepse po përballen me probleme të shumta.
Këto probleme nuk i përjetojnë vetëm ata, por thuajse të gjitha shoqatat, prandaj duhet ndihmuar. Krejt në fund të këtij manifestimi, gjatë një bashkëbisedimi me z. Florim Useini, kërçovarin e njohur, atdhetar, bëmirës e afarist, erdhëm në përfundim që të mos tregohemi të bashkuar vetëm në festat tona kombëtare e fetare, pastaj në stadiume, në valle, gazmende, tragjedi, e në të pame, por përjetësisht. Gëzuar!
HSS VIDEO;
helveticaALforum.ch