Studentët e Universitetit të Evropës Juglindore patën kënaqësinë të marrin pjesë në një ligjëratë frymëzuese të mbajtur nga arkitekti i njohur ndërkombëtarisht, Gëzim Paçarizi, themelues i Paçarizi Studio. Ligjërata, e cila u zhvillua të enjten (28 nëntor 2024), u përqendrua në temën “Ideja Arkitektonike”, duke i ofruar studentëve një pasqyrë të thellë mbi procesin krijues që qëndron pas ndërtimit të projekteve arkitekturore.
Gjatë prezantimit të tij, Paçarizi ndau përvojat e tij të pasura nga projektet e realizuara në Zvicër, Shqipëri dhe Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kontekstit kulturor dhe identitetit lokal në zhvillimin e një ideje arkitektonike. Ai theksoi se arkitektura është më shumë se thjesht ndërtim: ajo është një mënyrë për të treguar histori dhe për të krijuar hapësira që përmirësojnë jetën e njerëzve.
Në fund të ligjëratës, studentët patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë me arkitektin, duke ngritur tema si sfidat e arkitekturës bashkëkohore, ndikimi i teknologjisë në procesin projektues dhe balancimi midis estetikës dhe funksionalitetit. Dialogu i hapur dëshmoi interesin dhe përkushtimin e studentëve për të eksploruar më thellë botën e arkitekturës.
Dekani i Fakultetit Teknik, Prof. Rakib Amdiu, arkitetikit Paçarizi i ndau plaketë dhe një monografi në shenjë mirënjohje për ligjëratën e mbajtur për studentët.
Ky aktivitet shënon një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin akademik të universitetit, duke forcuar lidhjet midis studentëve dhe ekspertëve të shquar ndërkombëtarë./uejl