Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se nëse PD vjen në pushtet pagat e mësuesve do të jenë mbi pagën mesatare.
Berisha: Të dashur mësuese e mësues, prindër, demokrate e demokratë të qytetit të Kamzës.
Të dashur drejtues të PD-së në qendër dhe Kamzë, kandidatë të kësaj partie për deputet të Kamzës dhe kryeqytetit.
I dashur Mediu, të dashur miq, të pranishëm në këtë takim, në një ditë nderimi, në një ditë do të thosha edhe më shumë se nderimi të mësueses, mësuesit, të kontributit të tyre, të përpjekjeve të tyre të mëdha në fushën e dijes, të edukimit qytetar, të atdhetarisë, por dhe njerëz që sot përballen me vështirësi të mëdha dhe të pamerituara.
Sot ne nderojmë këtë ditë, nderojmë figurën e mësueses dhe mësuesit, në një kohë që nuk meritonim kurrë këtë gjë. Kur vështron disa tregues, kur konstaton se pak muaj më parë, fëmijët tanë të mrekullueshëm renditen të fundit në botë për mendimin kreativ, në testin e cilësisë.
Kur kujton se arsimi ynë në cilësi nga një ngjitje vertikale që pati në vitet 2007-2014, pësoi një rënie dramatike vertikale, një rënie e cila nuk është parë, nuk është konstatuar në asnjë nga vendet e planetit, një rënie me 69 pikë në njërën prej shkencave më themelore të njeriut dhe njerëzimit, që është matematika.
Këto tregues nuk janë rastësor. Këto tregues janë dëshmi e një rrokullisje të madhe të sistemit të arsimit në këto vite të narkodiktaturës, të narkoshtetit.
Në rast se kthehemi së bashku mbrapa, në vitet 2005-2013 gjatë atyre dy mandateve, u rindërtuan mbi 1300 shkolla, kopshte dhe këtu në Kamzë, nga 3 apo 4 turne u kalua në mësimdhënie normale.
Në Kamzë dhe Shqipëri, interneti dhe kompjuteri që ishte mollë e ndaluar, u vu në dispozicion të nxënësve në të gjitha shkollat e vendit. Nga 48 shkolla që ishin në vitin 2005 me internet dhe laborator informatike, me 940 kompjutera gjithsej, 24500 kompjuter u ndanë në të gjitha shkollat e vendit.
U krijuan laboratorët e informatikës në shumicën dërmuese, apo në të gjitha shkollat e mesme.
Por mbi të gjitha, të jemi këtu, ne vendosëm mësuesin në piedestalin që e meritonte. Rrogat e tyre u rritën më shumë se të gjitha rrogat e tjera. Shqipëria në piramidën e rrogave vendosi mësuesit në 1/3 e epërme të saj. Nuk janë kaq shumë vende që e kanë atë pozicion për pagat e mësuesve. Numri i mësuesve pa arsim përkatës u reduktua, pasi arsimi tashmë u bë një profesion i vlerësuar, profesioni i mësuesit.
Dhe të gjitha këto së bashku bënë të mundur disa arritje shumë të rëndësishme. U bë e mundur që nga 68% që ishte përqindja e nxënësve që kalonin nga shkolla 9-vjeçare në shkollën e mesme, të arrihet në 90% dhe jo me detyrim, por me mirëorganizim dhe investime.
U bë e mundur që Shqipëria nga 12 studentë që kishte për 1 mijë banorë, në një kohë kur mesatarja Europiane ishte 43 studentë, të kalonte në 50 studentë për 1 mijë banorë.
U bë e mundur një ngjitje vertikale në testin e PIZA-s. Pra, u shënuan arritjet e para serioze, u shumuan programet me qindra. Ju jeni dëshmitar që ne kemi shpallur moton tonë ‘Shqipëria Madhështore’ dhe unë garantoj secilin prej jush se kjo moto, sado që mund të tingëllojë si e largët, mund të tingëllojë si jo realiste, por unë ju jap fjalën dhe ju garantoj se ‘Shqipëria Madhështore’ do yë jetë një realitet shumë më i afërtë nga ai që mendoni ju.
‘Shqipëria Madhështore’ është dhe do të jetë para së gjithash, projekti i burrave dhe grave që e duan Shqipërinë, që e saksifikojnë për Shqipërinë, që i besojnë Shqipërisë. ‘Shqipëria Madhështore’ është vendi të cilit natyra dhe Zoti i kanë dhënë pasuritë më përrallore për tu ngritur në zenitin e madhështishë, në zhvillimin e saj.
‘Shqipëria Madhështore’ është vend në të cilin mund të prodhohet kudo dhe çdo gjë.
Është vendi në të cilin rezervat natyrore të gjithanshme janë botërore, rezervat energjetike janë të jashtëzakonshme. ‘Shqipëria Madhështore’ është vendi në të cilin kurrë nuk mund të ishin këto rroga e pensione.
Por ‘Shqipëria Madhështore’ ka një kusht të të gjitha kushteve ‘Arsimin Madhështor’. Ëndërra e madhe e shqiptarëve për një ‘Shqipëria Madhështore’, nuk mund të realizohet pa një arsim madhështor. Pa transformimin e thellë të arsimit. ‘Shqipëria Madhështore’ nuk mund të jetë Shqipëria e njerëzve që numërojnë kafshatën.
Nuk mund të jetë Shqipëria e të sëmurëve që nuk blejnë dot ilaçet. Nuk mund të jetë Shqipëria e prindërve që nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre. Jo. Të gjitha këto marrin fund në tre muajt e parë të qeverisjes.
Shqiptarë, 3 muajt të parë të qeverisjes që prodhon varfëri ekstreme nuk ka dhe nuk do të ketë. Paketa jonë është paketë asgjësuese për varfërinë ekstreme. ‘Shqipëria Madhështore’ është Shqipëria e arsimit madhështor, në të cilin mësuesi e mësuesja, do të jenë në piedestalin e nderit që u takon atyre për misionin e madh që kanë.
Nuk ka mision më të madh, nuk ka mision më të rëndësishëm, më serioz se misioni i mësuesit.
Ndaj dhe ne i rikthehemi përsëri besimit tonë tek arsimit. Ne i rikthehemi përsëri trajtimit dinjitoz të mësuesit dhe mësueses në Shqipëri. Nuk mund të ketë mësues me rrogë mesatare në Shqipëri.
Nëqoftëse rroga mesatare në Shqipëri do të jetë 1200 euro, e mësuesit do të jetë mbi mesataren. Për këtë ju garantoj unë miq. E pedagogut do të jetë qartësisht mbi mesataren.
Pra do i rikthehemi me forcën më të madhe, trajtimit të merituar të mësuesit e mësueses, njofton oranews.