Intervistë Ekskluzive me Prof. Burhan Morina, Veprimtar dhe Bëmirës në Zvicër
Intervistoi: PhD. Dashnim HEBIBI
“Mërgata ka kuptuar që grupacionet politike, gjithashtu edhe prijësit interesxhinj për pushtetin, nuk respektojnë dhe nuk e mbështesin mërgatën, përveç kur u duhen për qëllimet e tyre personale e grupore. Tani, mos të harrojmë se nuk e ke atë mërgatën që sa herë ka dashur një politikan apo prijës partie, vjen këtu dhe merr lavdata. Përkundrazi, bombardohet me kritika për mospunën e tyre. Harruan se për dallim nga vëllezërit tanë që jetojnë në Kosovë dhe të cilët varen shumë nga politika për një vend pune apo edhe një shkollim në drejtimin që personi dëshiron, mërgata këtë problem nuk e ka”, na tha ndër të tjera z.Morina.
I nderuar z. Morina, ju falenderojmë për kohën që keni ndarë për këtë intervistë! Edhe pse jeni apolitik, kësaj here, besoj se do t‘ na mundësoni që të marrim mendimin tuaj real e të pavarur për gjendjen aktuale politike në vendet tona. Kjo, tek e fundit, të jetë për hir të lexuesve.
Si e shihni që kohëve të fundit, ose më mirë të themi, sa herë që ofrohen zgjedhjet, në shtetet evropiane ku ka diasporë shqiptare vinë politikanë të shumtë për fushatë?
Ju falenderoj shumë edhe juve që po na jipni hapësirë. Ju përgëzoj me zemër për këtë projekt shumë të mirë dhe të duhur për diasporën tonë. Kur një mik apo shok i juaji, nuk ju lajmrohet një kohë të gjatë, edhepse më parë nuk keni pasur ndonjë problem, e pas një kohe ju telefonon dy apo tri herë brenda një jave, atëherë prite se javën e radhës kur të telefonojë, e degjon të të thojë:
“Mik, a ke mundesi të ma bësh një favor? Dmth, atij ju nuk i keni munguar apo i është kujtuar për ju. Ai, tani ka nevojë personale prej teje. E njëjta mënyrë është edhe te partitë/politikanët apo dhe qeveria. Katër vite nuk kanë kohë të të përshendesin e kur të shohin në rrugët e qytetit, kur ju jeni në vendlindje, e sot vinë e të „përqafojnë e të nderojn“ nga dashuria që kanë për ty. Unë e shoh si interes të pastër për pushtet e shumë pak për interes shoqëror.
Mendoni se mërgata shqiptare e ka kuptuar që po i duhet atdheut vetëm për vota?
Nuk po mund të them, jemi apo jo jashtë jetës politike e sociale të vendlindjes. Këtu, ne, shiptarët që jetojmë e veprojmë jashtë Kosovës, jemi tri gjenerata që mendojmë e veprojmë, secili në mënyrën politike të veten.
Gjenerata e re, gati është larguar komplet nga jeta politike dhe vepruese ne Kosovë. Ata, tani më shumë mendojnë të aktivizohen në vendin ku jetojnë, se sa në Kosovë, atje ku shkojnë, ndoshta, një herë në vit, disa, e ka prej tyre që edhe me vite të tëra nuk shkojnë në Kosovë. Ata preferojnë t’i kalojnë pushimet në vende të ndryshme të botës. E di që moshës së vjetër kjo gjë i dhemb shumë, por realiteti është ky.
Grupi tjeter, i cili është lindur në Kosovë dhe kohën e fëmijërisë e rinisë e ka kaluar në vendlindje, ka pozitë të palakmueshme shpirtërore. Kanë mbetur as andej e as këndej. Flas për gjeneratën time këtu. Grupi i tretë është gjenerata e prindëve tanë, tani më shumica pensionistë. Ata, gjithmonë kanë besuar se një ditë të afërt do të jetojnë së bashku me familjen në vendlindje, por ja që jeta të valvitë ndryshe.
Tani po kthehem në pyetjen e juaj.
Jo, mërgata, sa i perket vendlindjes, kurrë nuk e mendon që vetëm në një kohë vota i duhet atdheut. Mërgata ka kuptuar që grupacionet politike, gjithashtu edhe prijësit interesxhinj për pushtetin, nuk respektojnë dhe nuk e mbështesin mërgatën, përveç kur u duhen për qëllimet e tyre personale e grupore. Tani, mos të harrojmë se nuk e ke atë mërgatën që sa herë ka dashur një politikan apo prijës partie, vjen këtu dhe merr lavdata. Përkundrazi, bombardohet me kritika për mospunën e tyre.
A po politizohet shumë me këto fushata mërgata jonë?
Ndoshta, por unë këtë nuk e besoj. Unë bazohem në takimet e mia me miq e shokë.
Ajo çka shkruhet në mediume, nuk e pasqyron realitetin. Tashmë nuk ka mbetur asnjë politikan pa u provuar, çka të lë të kuptosh se më askush nuk mund të fluturojë me premtimet e tyre. Tjetra, fraza “do të bëjmë” nuk ka më kuptim. E pati kohën e vet secili, nuk e bënë.
Sipas jush, çka do të duhej të bënte një qeveri e re për mërgatën shqiptare?
Qeveria, po të mendonte për të mirën e Kosovës, mërgatën do ta fuste në vendimmarrje. Duhet të organizojë mësimin e gjuhës amtare në vendet ku jetojnë mërgimtarët. T’ë sjellë mësues dhe t’i financojë ata dhe planprogramin shkollor për mërgatën.
Cila qeveri (apo asnjëra) ka bërë diçka të mirë për diasporën tonë?
Jo një qeveri, por deri sot, asnjëra nuk ka bërë gjë, ama bash asgjë për mërgatën.
Cili do të ishte plani i parë i një qeverie të Kosovës për të mirën e mërgatës?
Një qeveri me mendje të shëndoshë dhe që mendon për të mirën e mërgatës dhe zhvillimin shtetëror, duhet që të komunikojë e bashkëpunojë ngusht me mërgatën. T’ia plotësojë kushtet dhe t’i japë pozita udhëheqëse njerzve të mërgatës, të cilët, në vendet ku ata veprojnë, kanë treguar aftësitë e tyre shkencore, e menaxheriale në praktikë. Këta njerëz i duhen Kosovës dhe qeverisë sonë. Nuk mjafton të mbarosh një fakultet, e ti thuash vetes intelektual. Intelektual e udhëheqës i mirë je, atëherë kur je në gjendje edhe postin tënd t’ia dorëzosh atij që ia ka zanat asaj pune. E jo ti thuash vetit intelektual me 10-20 libra të lexuara, me një diplomë fakulteti, e të mendosh se te “dheu i bardhë” kryhet bota. Bota, pikërisht aty fillon.
A po i jipet hapësirë diasporës për të kontribuar për të mirën e asaj toke?
Deri sot, unë nuk e kam vënë re. Shpresoj që në të ardhmen të ndyshojë qasjen ndaj mërgateës.
Si e shihni idetë e PhD. Dashnim Hebibit që të kemi muzeun e diasporës dhe bankën shqiptare të diasporës shqiptare?
Sikur të realizohej kjo ide, do të ishte fenomenale, si për mërgatën, ashtu dhe për shtetin dhe popullin tonë. Banka do të mundësonte transaksionet e blerjes/shitjes si bankë ndermjetësuese. E sa i përket kulturës, jo vetëm muzeun, por edhe teatrin e shumë gjëra kulturore tjera, do i sillnin shumë të mira mërgatës.
“Mërgata nuk gjykon nga frika për një vend pune, por gjykon e lirë dhe pavarur nga partia, gjegjësisht udhëheqësi politik”
A është e zhgënjyer diaspora jonë me politikbërjen?
Politikëbërja e pushteteve gjatë këtyre viteve, nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë, jo vetëm ndaj diasporës, por edhe ndaj vet popullit, që jeton në vend. Politikbërja në Kosovë u mor gjithëherë me eufori. Kjo mënyrë politkbërjeje nuk sjell rezultat afatgjatë.
Qeveritë e kaluara e anashkaluan komplet mërgatën. Mendonin se mërgata nuk mund të ndryshojë asgjë. Harruan se për dallim nga vëllezërit tanë që jetojnë në Kosovë dhe të cilët varen shumë nga politika për një vend pune apo edhe një shkollim në drejtimin që personi dëshiron, mërgata këtë problem nuk e ka. Këtu është e mira, se mërgata nuk gjykon nga frika për një vend pune, por gjykon e lirë dhe pavarur nga partia, gjegjësisht udhëheqësi politik.
E di se do të jipni opinion të pavarur. Sipas jush, kjo qeveri, a i ka realizur projektet e premtuara?
Në përgjigjen më lart e ceka tërthorazi se tani më nuk mund të thotë asnjë parti apo lider partiak, ‘nëse fitoj unë, do ta bëj më mirë!’ U provuan të gjithë. Unë mendoj që qeveria e tanishme nuk e ka kaluar as 50%-shin e premtuar të para katër viteve.
A ka bërë punë të mira? Po. Punë të mira kanë bërë te gjitha qeveritë, por kandari matës premtues parazgjedhor nuk ka kaluar, nga askush deri më tani.
Ketë qeveri e shpëton nga mospuna infrastrukturore e ekonomike e arsimore vetëm shtrirja e sundimit të ligjit në gjithë kufirin shtetëror, si dhe forcimi i ushtrisë me armë moderne, që në rast agresioni, Kosova të jetë në gjendje të mbrohet me forcat e veta.
Diaspora është bonjake dhe shikohet si monedhë?
Ka kaluar koha kur diaspora ishte bonjake. Gjithashtu, po ikë ajo kohë që të shihet vetëm si monedhë. Diaspora jonë, më këtë kapacitet që ka, ekonomik e arsimor, kualitet dhe kuantitet, e dëshmoi herën e fundit dhe mund ta dëshmojë, sa herë që është nevoja, të ndërrojë pushtetin në Kosovë. Këtë, tani e kanë kuptuar edhe ata që e anashkaluan kur morën kolltuqet e pushtetit. Me diasporën është gabim të luhet apo që ajo të injorohet.
E shihni rrezikun që gjeneratat e reja që po rriten jashtë vendlindjes, do të shmangin pushimet për të shkuar në Kosovë, sepse ka raste që edhe po nënçmohen?
Gjeneratat e reja të diasporës nuk është se po i shmangin pushimet në Kosovë për shkak të nënçmimit eventual të rasteve të ndryshme.
Për rininë e diasporës nuk është Kosova interesant për t‘i kaluar pushimet. Ata shohin botën dhe kanë mundësinë të vizitojnë vendet më të bukura dhe më interesante të globit. Ata dallojnë nga gjenerata ime, që çdo mundësi që kanë pasur, kanë shkuar në vendlindje.
Tash, dashurinë e mallëngjimin që kam unë për vendlindjen time, rinia nuk e ka. Është e dhimbshme, ama realiteti është ky. Ju uroj shumë suksese në projektin tuaj dhe tonin që tashmë e kemi fjalën e lirë edhe ne në këtë platformë mediale HeveticAlForum.ch. Suksese dhe më lejoni që t’ua uroj të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, me shpresë se do të bashkohemi, ashtu siç kanë dashur ata të parët tanë që sakrifikuan shumë për të mirën e kombit.
helveticALforum.ch