Intervistë ekskluzive; “Jam soliste e ansamblit juridik të Fakultetit Juridik në Universitetin e Augsburgut. Jam aktive në politikë në Gjermani. Jam pjesë e partisë CSU. Jam kryetare e JU (Junge Union; Unionit të të rinjëve në CSU). Jam pjesë e kryesisë së CSU për komunën e Fürstenfeldbruck dhe pjësë e kryesisë së JU për komunën e Fürstenfeldbruck. Jam e deleguara (jo delegate) e CSU Emmering dhe e deleguara rezerve e CSU për komunën e Fürstenfeldbruck.
Shteti amë është dashur ta inkuadrojë gruan shqiptare të diasporës më tepër në strukturat shtetërore. Të dëgjohet më tepër zëri i femrës shqiptare të diasporës. Shteti amë duhet ta inkurajojë femrën shqiptare të diasporës që ajo të marrë guxim ti shprehë dhe ti realizojë dëshirat e ëndrrat e saj. Sipas meje, një grua e pavarur, e motivuar dhe e suksesshme është shtylla kryesore e një shoqërie të shëndoshë“, na tha, ndër të tjera, zonjusha Nikçi.
Ju lutem të na përshkruani profilin tuaj! Me se merreni? Çfarë profesioni keni?
Emri im është Fatbardha Nikçi. Jam lindur në Mynih (Gjermani). Jetoj me prindërit dhe me vëllain në një qytet afër Mynihut. Jam 24 vjeçare dhe studjoj drejtësinë në semestrin e nëntë në Universitetin e Augsburgut. Qysh në fëmijëri të hershme kam treguar interes për muzikë. Në moshën katër vjeçare kam filluar me mësime të pianos, të cilat i ndjek edhe sot.
Në moshën tetë vjeçare kam filluar edhe me këndim. Në kohën time të lirë këndoj Jazz dhe muzikë klasike. Prej moshës pesë vjeçare më kanë dërguar prindërit, çdo vit, në Kosovë te gjyshi dhe te gjyshja për ta mësuar gjuhën shqipe sa më mirë që është e mundur.
Pas klasës së katërtë u përcaktova për gjimnaz, të cilin e përfundova me sukses pas tetë vjetësh. Gjimnazin e përfundova në CarlSpitzweg-Gymnasium në Germering. Për prindërit e mi, ka qenë gjithëmonë më rëndësi organizimi i aktiviteteve dhe përkrahja e komunitetit shqiptar në Bavari, për të ruajtur identitetin dhe traditat shqiptare.
Këtyre aktiviteteve iu bashkangjita edhe unë. Moderova, këndova dhe recitova në shumë manifestime të organizuara nga shoqatat shqiptare në Bavari. Kam qenë e ftuar dhe kam marrë pjesë edhe në manifestime të organizuara nga shqiptarët e Malit të Zi në Rozhajë dhe Vuthaj. Më 16 gusht të vitit 2022 e kam publikuar këngën time të parë „Si Unë“, të komponuar nga Florent Boshnjaku, me tekst të Luisa Boshnjakut.
Në tetor të vitit 2022 kam qenë e ftuar nga znj. Zana Qela të marr pjesë në „Tirana Youth Festival“ ku jam prezantuar me këngën time „Për Ty“, komponuar nga Florent Boshnjaku, me tekstin e shkruar nga Venera Lumani, videoklipi i së cilës shpresoj të realizohet gjatë këtij viti. Në 2022 kam qenë pjesë e programit të Vitit të Ri në ‘Klan Kosova’, ku kam kënduar tri këngë. Vitin e kaluar, në nëntor, kemi inçizuar një album me 12 këngë të vjetra qytetare. I kemi ri-interpretuar. Producent i albumit është Florent Boshnjaku. Muzika është interpretuar prej Astrit Stafajt, Xhemil Gjinit, Festim Fanajt, Adorel Haxhiajt, Edon Ramadanit.
Gjatë xhirimeve në RTK, ekipit tonë iu bashkëngjit edhe Artan Rexhepi (piano) dhe Dëfrim Behluli (Bass). Në shkurt të këtij viti isha e ftuar në hapjen e një klubi të boxit në Mynih të Gjermanisë, ku edhe këndova tri këngë të albumit tim. Jam soliste e Ansamblit të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Augsburgut. Jam aktive dhe në politikën gjermane. Prej moshës 18 vjeçare jam anëtare e Partisë CSU, një ndër partitë më të mëdha në Gjermani, si dhe anëtare e JU (Unioni të të rinjëve), ku e mbaj vendin e kryetares në qytetin ku jetoj.
Jam në kryesi të CSU dhe JU në komunën ku jetoj. Jam e deleguara (jo delegate) e CSU Emmering dhe e deleguara rezervë e CSU për komunën e Fürstenfeldbruck. Në shtator 2023 kemi qenë të ftuar në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe pjesë e delegacionit tetë-anëtarësh, i cili e ka përfaqësuar Bavarinë e Epërme. Në mars të këtij viti jam zgjedhur anëtare e BESA Foundation. Punoj si studente në një zyrë juridike në Mynih. Në kohën time të lirë vozis motor, skijoj dhe luaj tenis.
Na tregoni, ju lutem, kur keni migruar në Gjermani?
Jam e lindur dhe rritur në Mynih të Gjermanisë.
Cila është struktura aktuale e familjes suaj?
E pamartuar.
Cila është veprimtaria juaj publike (jashtë punës së zakonshme)?
Jam këngëtare e muzikës së lehtë shqipe. Kam të inçizuara një EP (e titulluar “Dashni e Verë”) dhe një album (të titulluar “Kangë Zemre”) me këngë të lehta qytetare. Kam të publikuara dhe dy këngë “Si Unë” dhe “Për Ty”. Jam soliste e ansamblit juridik të Fakultetit Juridik në Universitetin e Augsburgut. Jam aktive në politikë në Gjermani. Jam pjesë e partisë CSU. Jam kryetare e JU (Junge Union; Unionit të të rinjëve në CSU). Jam pjesë e kryesisë së CSU për komunën e Fürstenfeldbruck dhe pjësë e kryesisë së JU për komunën e Fürstenfeldbruck. Jam e deleguara (jo delegate) e CSU Emmering dhe e deleguara rezerve e CSU për komunën e Fürstenfeldbruck.
Sa keni arritur të integroheni në shoqërinë gjermane?
Meqenëse jam e lindur dhe rritur në Gjermani, integrimi në shoqërinë gjermane ka ardhë automatikisht.
Sa shpesh e vizitoni vendin e lindjes suaj?
Disa herë në vit, se tani përveç se e vizitoj familjen time, me Kosovë më lidhë edhe veprimtaria ime si këngëtare.
Cila grua (fytyrë publike) në atdhe [Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës, etj.] mendoni se ka bërë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë tonë?
Ka shumë gra në Kosovë që kanë bërë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë tonë. Për mendimin tim, çdo grua shqiptare kontribuon në mënyrën e vet. Secila grua e shkolluar dhe e emancipuar ose grua që edukon fëmijë edhe që ka ndërtuar një familje të shëndoshë, kontribon për avancimin e gruas.
Në cilin dimension mendoni se gruaja shqiptare e diasporës ka kontribuar më së shumti për çlirimin e Kosovës?
Gruaja shqiptare e ka sakrifikuar veten dhe ka kontribuar në çdo kohë për familje dhe për shoqëri. Unë, në atë kohë, nuk kam qenë e lindur, kështu që nuk kisha pasur çka të shtoj më tepër.
Sa premtuese, sipas jush, është gjenerata e fëmijëve në ruajtjen e traditës kombëtare [etnokulturës tonë]?
Kemi një gjeneratë të fëmijëve që premtojnë shumë. Mirëpo, mendoj se jo në secilën familje shqiptare të diasporës i kushtohet rëndësi shkollimit dhe edukimit të fëmijëve, si në mirësjellje ashtu edhe në ruajtjen e vlerave shqiptare.
Në cilat segmente vlerësoni se gruaja shqiptare e diasporës ka nevojë të mbështetet nga shteti amë?
Shteti amë është dashurta inkuadrojë gruan shqiptare të diasporës me tepër në strukturat shtetërore. Të dëgjohet më tepër zëri i femrës shqiptare në diasporë. Shteti amë duhet ta inkurajojë femrën shqiptare të diasporës që ajo të marrë guxim ti shprehë dhe ti realizojë dëshirat dhe ëndrrat e saj. Sipas meje, një grua e pavarur, e motivuar dhe e suksesshme është shtylla kryesore e një shoqërie të shëndoshë.
Jeni model dhe shembull i shumë vajzave të reja që po rriten në Gjermani për sukseset e juaja. Komenti juaj?
Faleminderit për këtë vlerësim! Nuk ka asgjë më mirë se tëjesh shembull për gjeneratat e reja, të cilët janë në rrugë drejtë suksesit.
Sipas jush, po dëgjohet sa duhet zëri i gruas shqiptare në diasporë?
Jo, gruaja shqiptare e diasporës është jashtëzakonisht pak e përfshirë në jetën e shqiptarëve të diasporës. Në shoqata, parti politike apo evenimente që organizohen prej shqiptarëve ka shumë pak femra. Femrat janë zakonisht të përfshira në organizime që kanë të bëjnë me fëmijë, gjë që është shumë pozitive, por që nuk është e mjaftueshme.
A do të duhej që gruaja shqiptare e diasporës të jetë më e organizuar?
Po, gruaja shqiptare e diasporës, sipas mendimit tim, është shumë e varur nga bashkëshorti dhe shoqëria. Mendimi i saj nuk vlerësohet sa duhet. Se për çfarë arsye, unë nuk e di. Së pari, mungon përkrahja dhe mbështetja e femrave mes vete. Një gjuhë e përbashkët, një qëllim i përbashkët që çon deri te vetëdijësimi dhe përkrahja e femrës shqiptare të diasporës.
Intervistoi: Dashnim HEBIBI