Pjesë nga kumtesa e z.Hebibi e paraqitur në Konferencën Shkencore të organizuar në Luzern të Zvicrës me organizim të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për Zvicrën Qendrore para disa mujave e që mbetet aktuale edhe sot. Në emër të Institutit Helvetik të Studimeve për Evropën Jug-Lindore me qendrën e saj në Cyrih, kam kënaqësinë që, para këtij paneli të respektuar dhe ndjekësve të kësaj konference, në cilësinë e njohësit dhe studjuesit të çështjeve të ndërlidhura me kontributin e përgjithshëm të diasporës shqiptare nëpër vendet evropiane dhe më gjerë, të shpalos para jush një këndvështrim personal rreth rëndësisë dhe fuqisë lidhëse që përfaqëson zhvillimi i bizneseve shqiptare në hapësira gjeografike jashtë shteteve amë.Veçantia që e ka karakterizuar dhe dëshmuar diasporën shqiptare përgjatë gjithë ekzistencës së saj jashtë trungut amë, lidhet pikërisht me kontributin që ka dhënë para dhe gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.Potenciali biznesor i diasporës shqiptare në cilindo vend jashtë trungut të shteteve amë dhe roli i saj si aktor në hapësirën ekonomike globale, përfaqëson një nivel të ri të interesit kombëtar. Rëndësia e trurit dhe talentit të përfaqësuesve të diasporës shqiptare, jo vetëm se po pranohet nga shtetet pritëse, por edhe po bëhet çdo ditë e më atraktive për kompanitë e huaja me shtrirje ndërshtetërore e tejoqeanike. Këtë potencial njerëzor kemi për obligim që ta ruajmë, kultivojmë e shfrytëzojmë, duke investuar vazhdimisht në të, në mënyrë që rrjeti i bizneseve shqiptare të jetë konkurencë serioze në tregun e Zvicrës, Evropës e më gjerë.Unë uroj sinqerisht që punimet e kësaj konference të parë të këtij karakteri, përmes të cilës është synuar të mblidhen bashkë shumë figura të shquara e të dëshmuara në fushën e biznesit, të cilat, si pikë të përbashkët kanë kombin shqiptar, por si synim, sigurisht që kanë dhe duhen të kenë pushtimin e tregjeve vendore e të huaja, të prodhojnë ide dhe vizione të qëndrueshme drejt krijimit të një banke komerciale shqiptare këtu në Zvicër.
Bankë për t’a mbajtur kapitalin shqiptar në qarkullim dhe në shërbim të ngritjes e shkëlqimit të diasporës shqiptare në çdo sferë.
Në fund, për të mos e zgjatur më shumë, uroj që ky forum të shndërrohet në traditë të përvitshme dhe nga punimet e tij të publikohen shkrime të karakterit akademik, nga të cilat do të përfitojë, jo vetëm komuniteti shqiptar i biznesit në diasporë, por edhe më gjerë. Të nderuar miq, po e përfundoj fjalën time duke e kujtuar një mesazh me rastin e 28 Nëntorit në vitin 2021 nga Biznesmeni dhe filantropi i njohur Lazim Destani, që është në krye të listës së shqiptarëve më të suksesshëm në fushën e biznesit në arenën ndërkombëtare i cili ka thënë: “Patriotizmi sot matet me punën që bëjmë, me detyrat që jemi ngarkuar, me profesionin që ushtrojmë. Puna që bëjmë, pavarësisht profesionit, qoftë mësues apo mjek, qoftë një teknik apo inxhinier, qoftë punonjësadministrate apo mjeshtër i një zanati, afarist apo i përfshirë në aktivitete shoqërore çfarëdo qofshin ato, kur gjithsecili e bën punën e vet me nder e korrektësi, me disiplinë e përkushtim, atëherë nuk ka pse mos të vijë zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendeve tona“.