Grupi letrar ‘Lexo’ përbën një kapitull të paharrueshëm në jetën time dhe është padyshim një nga përvojat më të vlefshme që kam pasur ndonjëherë. Për katër vite me radhë, pata fatin të jem pjesë e këtij grupi të veçantë, nën drejtimin e arsimtarit të palodhur, Fitim Nuhiu.
Ai na udhëhoqi nëpër udhëtimet e letërsisë, duke na frymëzuar të zbulojmë fuqinë e fjalës dhe të thellojmë dashurinë për librat, ide që mbeten me mua edhe sot e kësaj dite.
Gjatë këtyre viteve, kemi lexuar libra të ndryshëm – që nga klasikët e letërsisë, deri te zërat modernë që flasin për botën sot. Çdo libër që lexonim na çonte drejt diskutimeve të sinqerta dhe të pasura me domethënie. Diskutimet që kishim rreth këtyre veprave më ndihmonin të zhvilloj mendimet e mia dhe të krijoj një dashuri më të madhe për letërsinë, e cila shkonte përtej thjesht leximit; ishte një eksplorim i vazhdueshëm i botës dhe një ushqim për shpirtin dhe mendjen.
Pjesëmarrja në grupin letrar ‘Lexo’ na dha gjithashtu mundësinë për të udhëtuar dhe për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme letrare në vende të ndryshme, ku përfaqësonim jo vetëm grupin tonë, por edhe pasionin tonë për artin dhe letërsinë. Në këto udhëtime krijuam kujtime të veçanta që më mbushin me mall. Ishte një eksperiencë unike që na bëri të lidheshim më shumë si grup dhe të ndanim me njëri-tjetrin gjithçka që na ofronte ky pasion.
Ndër arritjet më të mëdha dhe më krenare për ne ishte botimi i dy librave: “Urat e Shpresës” dhe “Edhe Lugina ka bilbilat e saj”. Këto libra përfaqësonin më shumë se sa thjesht shkrime; ato ishin një pasqyrë e botës sonë të brendshme dhe një dëshmi e përkushtimit të të gjithë grupit. Të shihje punën tënde në një libër të botuar ishte një përjetim i veçantë dhe një ndjenjë që na frymëzoi të vazhdonim të krijonim.
Arsimtari Fitim Nuhiu ishte njeriu që gjithmonë besonte te ne dhe na tregoi se letërsia nuk është thjesht një disiplinë shkollore, por një rrugëtim për të njohur veten dhe të tjerët. Ai nuk ishte vetëm një udhëheqës i grupit letrar “Lexo”, por edhe një mentor dhe mik, i cili na frymëzonte të shprehnim pa frikë mendimet dhe emocionet tona. Me fjalët e tij të ngrohta dhe mbështetjen e pakushtëzuar, ai krijoi një atmosferë ku secili prej nesh ndjente se zëri ynë kishte rëndësi.
Pasioni i tij për letërsinë dhe përkushtimi për edukimin shkonte përtej detyrës së tij të përditshme. Arsimtari Fitim Nuhiu gjithmonë gjeti mënyra për ta bërë çdo lexim dhe diskutim të veçantë dhe të gjallë.
Ai sillte në jetë personazhet dhe temat e veprave letrare, duke na mësuar se çdo histori mbart një mesazh dhe një mësim. Me anekdota dhe shembuj nga jeta, ai na ndihmoi të lidhim leximet tona me përvojat personale, duke na bërë të kuptojmë se letërsia është pasqyra e jetës.
Kur përballeshim me sfida në shkrimet tona ose kishim dyshime për aftësitë tona, arsimtari Fitim ishte gjithmonë aty për të na mbështetur dhe inkurajuar. Ai na mësoi të mos dorëzohemi kurrë dhe na tregoi se forca e vërtetë qëndron në përpjekjen dhe përkushtimin tonë. Për ne, ai ishte dhe do të mbetet gjithmonë një model i vërtetë i dashurisë për arsimin dhe letërsinë. Prania e tij në grupin letrar “Lexo” e bëri çdo mbledhje të paharrueshme dhe çdo lexim një eksperiencë të re dhe të thellë.
Sot, jam krenare të them se ky grup letrar ka luajtur një rol të madh në rrugëtimin tim. Falë përvojave dhe leximeve që pata në grupin letrar ‘Lexo’, tani jam një shkrimtare dhe jam në procesin e botimeve të librave me radhë..
Ëndrra për të pasur një libër me emrin tim lindi nga ky grup letrar dhe nga leximet që më frymëzuan të besoj në fuqinë e fjalës dhe të shprehjes artistike.
Tani që ndodhem larg vendlindjes, në një vend të ri si Gjermania, ndjejë mungesën e këtij grupi dhe të gjithë përvojave që kemi kaluar bashkë. Por përkushtimi ndaj letërsisë dhe dëshira për të ndarë historitë e mia mbeten të forta. Grupi letrar ‘Lexo’ më dha më shumë sesa njohuri; më dha krahë për të besuar në veten dhe në zërin tim si shkrimtare.
Dhe nuk kam ndërmend të ndalem kurrë. Pasioni për letërsinë do të më udhëheqë gjithmonë, dhe gjithçka filloi pikërisht aty, në atë grup letrar të vogël në Preshevë,i cili mbetet gjithmonë pjesë e zemrës sime dhe udhërrëfyesi im në rrugën e letërsisë.
(Grupi Letrar LEXO, pranë shkollës fillore
“Prof. Ibrahim Kelmendi, Preshevë)
Rumejsa Jakupi, Gjermani