/ Nga D.Hebibi, Pejë/
Dija nuk njeh kufij. Ajo kërkon përkushtim, sakrificë dhe punë të palodhur, por në fund, shpërblimi është i madh. Ditët e fundit, një lajm i bukur u shpërnda në rrjetet sociale nga PhD. Petrit Hajdari nga Peja, i cili ndau me familjarët, miqtë dhe shokët një moment krenarie: vajza e tij, Zerina, ka nisur rrugëtimin e saj akademik në Evropë, në Universitetin e njohur të Opole në Poloni.
Zerina Hajdari nga Universiteti Haxhi Zeka në Pejë (UHZ-ja), fiton bursë të plotë përmes programit ERASMUS Plus, në drejtimin e Teknologjisë Ushqimore. Nuk është e lehtë të përballohen sfidat financiare dhe emocionale që sjell një rrugëtim i tillë, por prindërit bëjnë gjithçka për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Profesor Petrit Hajdari, i njohur për shpirtbardhësinë, pozitivitetin dhe patriotizmin e tij, është një njeri i palodhur, i cili gjithmonë ka përkrahur dijen dhe suksesin.
Nuk është çudi që postimi i tij preku zemrat e shumë njerëzve, të cilët i uruan suksese Zerinas në këtë rrugë të re. Të rinjtë shqiptarë po ecin me hapa të sigurt drejt dijes dhe suksesit. Pa dyshim, Zerina do t’i bëjë krenarë prindërit e saj dhe gjithë kombin me arritjet e saj. Ajo njihet si një vajzë e fortë dhe e vendosur – një burrneshë e vërtetë.
Në mesazhin e tij emocionues, babai i saj, PhD. Petrit Hajdari, shprehet: “Zemra ime, Zerina, Sot fillon një kapitull i ri në jetën tënde, një rrugëtim që do të të sjellë sfida, emocione dhe suksese të reja.
Jam krenar për guximin dhe përkushtimin tënd, për ëndrrat që ndjek dhe për forcën që ke për të ecur përpara. Universiteti i Opole në Poloni do të jetë një hapësirë e re për rritjen tënde.
Shijoje këtë udhëtim, mëso, sfido veten dhe mbi të gjitha, beso në fuqinë tënde! Me dashuri dhe krenari të pafund, Babi, Mami, vëllau, motra, gjyshi e gjithë familja”.
Të gjithë presim me padurim lajme të mira nga Zerina, duke besuar fort se ajo do të arrijë suksese të shkëlqyera dhe do të përmbyllë studimet me nota të larta. Suksese, Zerina!