INTERVISTË EKSKLUZIVE ME ISH-PRESIDENTIN E SHQIPËRISË, SHKËLQESIA E TIJ, Dr.ALFRED MOISIU
Intervistë e gjatë me shumë tema interesante, por do të mbetet e pashlyer në gjurmët e profesionit tim, por edhe te mërgata. Presidenti edhe pse në moshë të thyer, Ai më nderoi dhe nderoi gjithë mërgatën tonë. Nuk dua të bëj hyrje të intervistës, sepse nuk mundem me e shpreh përmes fjalëve, por një është e sigurt, se do ti pëlqeje çdo lexuesi. Po ju lë, që ta lexoni dhe pse jo edhe ta rilexoni.
“Çështja e bashkimit të shqiptarëve në Ballkan, është një problem në vete që kërkon shtjellim të veçantë. Ajo ka qenë dhe mbetet për mua një ëndërr personale, por besoj jo vetëm për mua, ajo është ëndërr e gjithë shqiptarëve të ndershëm. Kjo ëndërr kërkon ende kohën e vet, por ne nuk duhet të heqim dorë, pasi është një e drejtë legjitime jona. Shpërndarja e trojeve shqiptare, sipas oreksit të fqinjëve tanë, mbështetur nga fuqitë e mëdha të kohës,ka qenë një nga padrejtësitë më flagrante që mund ti bëhet një populli. Kjo padrejtësi duhet të korigjohet. Mund të themi se ndërhyrja e NATO-s dhe e SHBA- së, për të ndaluar genocidin në Kosovë dhe ndihmuar në çlirimin e saj, janë hapat e parë për të zhbërë një padrejtësi ndaj popullit tonë. Mund të quhet fillimi i një “mea culpa”, na tha ndër të tjera, Shkëlqesia e Tij, Dr.Moisiu.
President, diasporë, emigracion, gurbetçarë, apo si do t`ju drejtoheshit më së miri, asaj pjese të kombit që jeton dhe vepron larg vendit të të parëve, por që kurrë nuk është shkëptur nga ajo tokë, apo kudo që ka shkuar e jeton e do të jetojë, e ka si nënshkrim në shpirt?
Emigrimi është një fenomen i njohur në të gjithë botën. Emigracioni nuk është shpikje shqiptare. Është një fenomen i lashtë njerëzor, kur individët të shtyrë nga gjendja ekonomike, nga përndjekja, hasmëritë apo dëshira për të shkuar në shtete ku mund të jetohet dhe arsimohesh më mirë, e të tjera arsye jetësore, largoheshin nga trojet e tyre për në vende më të zhvilluara.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga fillesat e emigracionit shqiptar, vendi ynë ende nuk ka shifra të sakta për shpërndarjen dhe qëndrimin e emigrantëve tanë. Mungesa e një e serioziteti të duhur për emigracionin në Shqipëri ka ndikuar që ende akoma të flitet me “përafërsisht”.
Institucionet e krijuara vitet e fundit synojnë angazhimin e komuniteteve profesionale në diasporë, opinionin e tyre publik, duke e kthyer atë në vlerë të shtuar në shoqërinë shqiptare, si dhe krijimin e bashkëpunimit me partnerë vendas e të huaj, realizimin e projekteve dhe publikimin e studimeve në lidhje me migracionin shqiptar si dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik, kulturor, brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë.
Nuk është aspak e drejtë që për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në vende të tjera të mos kihet kujdesi i nevojshëm. Për ne, pjesa që ndodhet në emigracion llogaritet jo me përqindje, por mendohet se e kalon disa herë numrin e shqiptarëve që banojnë në vendlindje.
Për këtë, nga shteti shqiptar kërkohet një politikë konkrete, më dinamike, më konkrete dhe më e ndjeshme. Për të qenë sa më efektiv, duhet të bëhet e mundur që qeveria të hartojë dhe t’u përgjigjet strategjive të qarta për emigracionin por edhe për diasporën, për problemet që dalin për një zgjidhje sa më të efektshme të tyre.
Ju lutem të na thoni se si e përkufizoni diasporën mbarëshqiptare në botë, në kuptim të rëndësisë dhe peshës që ajo ka bartur historikisht për ngritjen dhe fuqizimin e shtetit shqiptar?
Që në fillim dëshiroj të shpreh rëndësinë e madhe dhe vëmendjen time të plotë ndaj migracionit dhe aspekteve që lidhen me të. Kjo temë ka qenë e mbetet pjesë e pandarë e të gjitha fjalimeve të mia të rëndësishme drejtuar kombit. Gjithashtu në çdo vend që kam shkuar për vizitë zyrtare, gjithmonë kam planifikuar dhe realizuar takime të frytshme me shqiptarët që ndodheshin atje, si të emigruar ashtu dhe të diasporës. Gjithmonë kam pasur parasysh si nevojat dhe problemet që shqiptarët mund të kishin atje ku ndodheshin, po ashtu edhe rritjen e prestigjit të tyre.
Për shtete të mëdha emigracioni mund të jetë faktor i natyrshëm zhvillimi dhe integrimi. Për Shqipërinë, e cila ruan një nivel të lartë të flukseve të emigracionit, merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Deri vonë emigrantët shqiptarë në botë janë parë nga shteti dhe shoqëria si burime financimi, për shkak të të ardhurave që siguroheshin përmes ndihmës në familje dhe investimeve të tyre në vendlindje.
Nuk duhet harruar kontributi i madh i emigracionit dhe diasporës tonë, që në kohën kur shqiptarët luftonin dhe përpiqeshin për të siguruar pavarësinë e shtetit të tyre. Rol të madh kanë luajtur shqiptarët tanë që banonin në Rumani, Bullgari e në vende të tjera për ruajtjen, pasurimin, botimin dhe përhapjen e librave dhe materialeve në gjuhën shqipe, kur kjo punë nuk mund të behej në vendin tonë.
Po ashtu ka qenë e madhe puna e emigrantëve dhe diasporës shqiptare për kultivimin dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare, te shtresat e gjëra të popullit shqiptar pas 500 vjet pushtimi. Ndërsa diaspora shqiptare në SHBA ka luajtur një rol të rëndësishëm për njohjen e problemit shqiptar. Si gjatë periudhës së para 1912, ashtu edhe pas Luftës së Parë Botërore, deri në Konferencën e Parisit, ku Fan Noli si kryetar i delegacionit dha një ndihmesë të madhe, deri dhe në takimin me Presidentin Wilson, për çështje shumë të rëndësishme të pavarësisë e më vonë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sot e kësaj dite.
Tani emigrantët konsiderohen gjithnjë e më shumë, ashtu siç janë realisht, burime të çmuara e të pandara njerëzore të shoqërisë. Disa nga studentët e diplomuar jashtë vendit janë kthyer dhe emigrantët e viteve të para tashmë kthehen me projekte konkrete investimesh dhe forcat politike po i drejtojnë shpresat e tyre drejt elitës intelektuale të kualifikuar në perëndim. Por më shumë duhet të mbështetemi tek mundësitë e mëdha që disponon diaspora shqiptare. Këto zhvillime pozitive ndër vite meritojnë të vlerësohen me rëndësinë e duhur.
Mendoj se roli i diasporës shqiptare në botë ka qenë dhe mbetet i pazevendësueshëm në krijimin e një imazhi sa më pozitiv për vendin tonë, në afrimin më të madh të tij me strukturat euro-atlantike apo edhe në rritjen e numrit të turistëve e të investimeve të huaja në Shqipëri. Në fazat e rëndësishme të zhvillimeve e ndryshimeve të shtetit shqiptar, roli dhe kontributi aktiv i të gjithë qytetarëve shqiptar, kudo që ata ndodheshin, kanë mbartur me vete jo vetëm dije dhe shkencë, por edhe një mentalitet të ri pune, praktika e metoda që e afruan Shqipërinë me Europën.
Ph.D.Dashnim Hebibi gjatë një takimi me Presidentin
Çdo qytetar i aftë dhe atdhetar shqiptar në emigracion ka qenë dhe do jetë nga ambasadorët më të mirë të vendit tonë në mjediset ku ata jetojnë e studiojnë.
Diaspora shqiptare, kryesisht të rinjtë shqiptar, duke luajtur nje rol aktiv në krijimin e imazhit pozitiv për vendin tonë, me sjelljen e respektin e fituar si edhe të miqësive dhe të lidhjeve të reja mes qyteteve, komunave, akademive, universiteteve, shoqatave etj, janë shndërruar në një urë të fortë lidhjeje dhe miqësie mes vendit tonë dhe vendit ku jetojnë, duke ndikuar në forcimin e marrëdhenieve midis këtyre vendeve.
Kontributi i diasporës shqiptare për shtetbërjen e Kosovës?
Diaspora kosovare kryesisht është produkt i dhunës të ushtruar dhe përndjekjeve politike ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Gjendja politike por edhe ajo ekonomike e rënduar në vend bëri që sigurimi i egzistencës dhe i mirëqenies ekonomike për familjet kosovare të bëhej prioritet i çdo emigranti por jo vetëm kaq. Prioritet i emigrantëve u bë edhe financimi i qeverisë së Kosovës, krijimi i mundësive për sistemin arsimor, mbështetja materiale e luftës çlirimtare në Kosovë dhe e shumë gjërave të tjera.
Ajo ka dhënë kontribut në rindërtimin e vendit pas shkatërrimit që pësoi në luftën e fundit, dhe për vite të tëra radhitet në vendin e parë për sjelljen e parasë në vend. Me konsumin gjatë qëndrimit në vendlindje radhitet në konsumatorin më të madh në vend e sidomos në sezonin verorë. Pjesëtarët e diasporës tashmë po sjellin kapitalin e tyre të kursyer nga vendet ku ata jetojnë duke u bërë kështu investitorët të rëndësishëm për ekonominë Kosovare.
Diaspora është përditë dhe më e interesuar për të investuar në Kosovë, në një klimë e cila po shkon drejt përmirësimit si për investitorët e brendshëm, ata nga diaspora por edhe për investitorët e jashtëm.
Takimet e bizneseve nga diaspora me bizneset nga Kosova kanë rëndësi të veçantë në krijimin e mundësive për eksportimin e prodhimeve nga firmat kosovare drejt tregut evropian. Kjo tregon një gatishmëri të madhe të diasporës për të investuar ne vendet e origjinës, drejt zhvillimit ekonomik të vendit. Më shumë interes duhet të tregohet për afrimin e elementëve përparimtare dhe shkemcorë të diaporës nga Kosova, në mënyrë që ata të aktivizohen më shumë në politikë për tëv kontribuar në forcimin e shtetit të ri të Kosovës.
Këto dhe shumë gjëra tjera të pathëna janë një tregues i mirë i rëndësisë së madhe që diaspora kishte dhe ka në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Çfarë veprimesh konkrete keni ndërmarrë gjatë mandatit tuaj në raport me shtetet me koncentrim më të madh të shqiptarëve për t’ia lehtësuar diasporës shqiptare rregullimin e statusit të tyre, tejkalimin e barrierave për t’u integruar atje, si dhe zhvillimit të aktiviteteve kulturore e ekonomike në vendet ku ata jetojnë e veprojnë?
Sigurisht Presidenti është ai që duhet të frymëzoi dhe të kërkoi nga ekzekutivi që në këtë drejtim të jetë më i organizuar dhe më konkret, por këto veprime më shumë kanë lidhje direkte me Qeverinë.
Që në vitin 2003, duke folur në Kuvendin e Shqipërisë shtrova kërkesën që në përbërje të qeverisë të krijohet dhe dikasteri i Diasporës, gjë e cila për fat të keq u realizua vetëm në vitin 2017.
Në vazhdimësi, në çdo vend që kam shkuar për vizitë, kam takuar përfaqësuesit e diasporës shqiptare të vendit ku isha. Dhe kjo bëhej, duke u planifikuar që më parë, me pëlqimin e palës ku kryhej vizita, gjatë hartimit të programit. Në mënyrë të veçantë jam interesuar për popullsinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Duke ju kërkuar Kryetarëve të atyre Shteteve, jo vetëm kujdes, por edhe zgjidhjen e problemeve që më ngrinin përfaqësuesit e strukturave politike shqiptare, që përpara se të kryeja vizitën. Pra, përpara se të kryeja vizitën, gjithmonë isha i informuar në mënyrë të veçantë me problemet aktuale të shqiptarëve në ato vise. Duhet të them, se për problemet që shtroja, gjithmonë kam pasur mirëkuptim nga ish kolegët e mi të kohës.
Po ashtu gjatë vizitave në vendet ku kishte një diasporë dhe emigracion të shtuar shqiptar, kam patur takime të zgjeruara me ta, si për ti informuar, se si po zhvillohet vendi, ashtu edhe për t’u njohur me problemematikat e tjera, të cilat më vonë trajtoheshin në takimet e mia zyrtare. Po ashtu gjatë vizitave në vendet ku kishte një diasporë dhe emigracion të shtuar shqiptar, kam patur takime të zgjeruara me ta, si për ti informuar, se si po zhvillohet ngjarjet tek ne, por edhe për të tërhequr vëmendjen e tyre për të dhënë një kontribut sa më të madh për vendin e origjinës, si në investime ashtu edhe në zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e marëdhënieve të mëtejshme me vëndet e banimit të tyre.
A mendoni që shqiptarët e shpërndarë nëpër botë do të gëzonin status më dinjitoz nëse ata do t’i përfaqësonte një shtet i vetëm shqiptar, e jo dy apo më shumë shtete në Ballkan?
Fakti që aktualisht kemi dy shtete shqiptare, është pasojë e vendimeve të shteteve kryesore europiane dhe botërore, nisur nga konjukturat dhe mënyra e zgjidhjes së problemeve. Pra nuk është rezultat i dëshirës së shqiptarëve apo i drejtuesëve të tyre. Çështja e bashkimit të shqiptarëve në Ballkan, është një problem në vete që kërkon shtjellim të veçantë. Ajo ka qenë dhe mbetet për mua një ëndërr personale, por besoj jo vetëm për mua, ajo është ëndërr e gjithë shqiptarëve të ndershëm. Kjo ëndërr kërkon ende kohën e vet, por ne nuk duhet të heqim dorë, pasi është një e drejtë legjitime jona.
Shpërndarja e trojeve shqiptare, sipas oreksit të fqinjëve tanë, mbështetur nga fuqitë e mëdha të kohës,ka qenë një nga padrejtësitë më flagrante që mund ti bëhet një populli. Kjo padrejtësi duhet të korigjohet. Mund të themi se ndërhyrja e NATO-s dhe e SHBA- së, për të ndaluar genocidin në Kosovë dhe ndihmuar në çlirimin e saj, janë hapat e parë për të zhbërë një padrejtësi ndaj popullit tonë. Mund të quhet fillimi i një “mea culpa”.
Sigurisht që qënia e gjithë shqiptarëve të Ballkanit në një shtet do të ishte shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, politik dhe ushtarak të kombit tonë, dhe respektivisht një mundësi më e madhe për të kontribuar për stabilitetin e rajonit.
Është më se paradoksale që Republika e Shqipërisë është një shtet i rrethuar nga të gjitha anët me shqiptarë. Nuk di a mund të ketë ndonjë rast tjetër të tillë në Europë.
Edhe në kushtet që jemi, të dy vendet dhe popujt tanë kanë shprehur vullnetin politik për t’iu dhënë një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe, për forcimin e dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Kjo e ka kthyer faktorin shqiptar në një faktor real dhe shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe ruajtjen e paqes në rajon, duke garantuar kështu një përfaqësim të denjë për shqiptarët anembanë botës.
Tani është koha që shqiptarët, kudo që ndodhen, të punojnë bashkarisht, krah për krah me komunitetin ndërkombëtar, për të ruajtur e zhvilluar traditat dhe vlerat historike, për t’u integruar, për të realizuar të drejtat e tyre, si dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt, të lirë dhe të begatë për familjet, vendin dhe rajonin.
Sipas jush, cila do të ishte strategjia më e qëlluar për ta mbajtur diasporën shqiptare të unifikuar?
Shqiptarët që kanë emigruar në vende të ndryshme dhe në kohëra të ndryshme, në pjesën më të madhe kanë arritur të krijojnë jetën dhe punën e tyre në kushtet e vendit ku janë. Ata atje kanë formuar familjet e tyre, kanë lindur fëmijët, të cilët janë edukuar dhe përfshirë në shoqëritë përkatëse. Sipas rasteve, kushteve dhe ligjeve përkatëse vendore kanë ruajtur gjuhën, zakonet, lidhjet e tyre. Por ka edhe raste , që për arsye të ndryshme fëmijët e përdorin gjuhën amtare pak ose aspak. Disa vijnë për pushime për të takuar të afërmit e tyre në Shqipëri ose Kosovë, por ka nga ata që i kanë ralluar këto ardhje, veçanërisht të rinjtë, të cilët kështu fillojnë shkëputjen nga vend lindjet e prindërve, gjyshërve e stërgjyshërve të tyre.
Të gjithë vendet e zhvilluara europiane kanë strategjitë e tyre për të mbajtur gjallë traditat e tyre, gjuhën, kulturën dhe lidhjet e diasporës me vendet amë. Ndërsa ne këtë problem më shumë e kemi lënë në nismat spontane të vetë diaporës për të bërë aq sa mund të bëjnë. Me këto duhet të merret më mirë dhe më shumë Ministria e Diasporës, për të organizuar programimin dhe mbarëvajten e këtyre problemeve, e cila ka ndërtuar një strategji për këto qëllime, por duhet të jetë ende shumë më tëpër aktive, sidomos për të kompensuar kohën e humbur.
Për të jetësuar këto angazhimeve të marra nga shteti shqiptar duhet një përmirësim rrënjësor i kursit të politikës tradicionale ndaj kësaj kategorie. Problemet e tyre kërkojnë kujdes, trajtim dhe vëmendje më të madhe nga ju dhe i gjithë shteti shqiptar. Ka ardhur koha t’u përgjigjemi kërkesave të emigrantëve tanë, duke organizuar e ngritur institute apo qendra kulturore, të cilat të jenë vatra të grumbullimit dhe të propangadimit të vlerave e të traditave tona kulturore,në shërbim të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe promovimit të imazhit të vendlindjes e të shqiptarëve jashtë vendit dhe për të ofruar shërbime e informacion për komunitetet e shqiptarëve në diasporë.
Fëmijëve shqiptar në emigracion duhet t’u krijohet mundësia për të pasur libra shkollorë në gjuhën shqipe, me qëllim ruajtjen e gjuhës dhe mësimin më të mirë të saj. Edhe në këtë drejtim qeveria duhet të mendojë e të punojë më shumë për gjetjen e fondeve të nevojshme për hapjen e institucioneve të tilla, fillimisht, në ato vende ku ka komunitet të madh shqiptar. Diaspora shqiptare është shumë dinamike dhe gjithnjë më e organizuar, e arsimuar dhe e gatshme të mbajë kontaktet me vendet e origjinës. Vlerësimi i organizatave shqiptare të diasporës dhe politikave të migrimit tregojnë për rolin në rritje që mund të luajë diaspora si një ndërmjetësuese mes vendeve mikpritëse dhe vendlindjes.
Organizatat e diasporës shqiptare në Perëndim, po përqendrohen edhe më shumë në mënyrën e organizimit më të mirë të tyre në vendet mikpritëse dhe përparësitë e tyre të brendshme. Ato po adresojnë situatën e anëtarëve të diasporës, të nevojave dhe kërkesave të tyre të ndërlidhura me pjesëmarrjen politike dhe të drejtat e punëtorëve të huaj, shtetësinë dhe të drejtat e komuniteteve fetare.
Cilësia kryesore e diasporës shqiptare është mobilizimi edhe përmes lobimit indirekt për të bindur qeverinë pranuese që të veprojë në favor të mbështetjes të shtetit të prejardhjes. Një angazhim të tillë diaspora shqiptare e ka pasur në përpjekjet për pavarësinë, së pari të Shqipërisë e pastaj të Kosovës.
Duhet të zhvillohet një bashkëpunim i ngushtë me institucionet e shtetit të Kosovës për një rivlerësim të marrëdhënies me diasporën e përbashkët. Gjithashtu, ndërtimi i një Plani Veprimi të përbashkët do të ishte i rëndësishëm sa edhe i detyrueshëm.
Pavarësisht këtyre, emigrimi mbetet një sfidë e vështirë për institucionet shtetërore dhe shoqërinë shqiptare. Shtetet tona duhet ti sigurojnë shqiptarëve një politikë gjithëpërfshirëse për diasporën dhe vendosjen e saj në një linjë me orientimet e politikës së integrimit të Bashkimit Evropian dhe trajtimin e saj me standardet më të mira ndërkombëtare.
Të dy shtetet duhet të koordinojnë dhe të bëjnë më shumë, në mënyrë që shqiptarët ta ndjejnë veten e tyre më të mbrojtur dhe më të mbështetur në arritjen dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre njerëzore dhe qytetare.
Si do ta zgjidhnit dhe lehtësonit ju çështjen e të drejtës së votës së bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë kufinjve të shtetit të tyre amë?
Përfshirja e diasporës në sistemin politik dhe zgjedhor është e rëndësishme pasi mundëson përfshirjen e kontributin dhe ekspertizën e saj në administrimin e shtetit.
E drejta e votës dhe përfshirja në vendimmarrjet kombëtare do të krijojnë një hapësirë të re të protagonizmit të diasporës në shoqërinë shqiptare. Lehtësitë për të votuar duhet t’u krijohen të gjithë emigrantëve që janë larguar përkohësisht apo në mënyrë afatgjatë, për sa kohë kanë shtetësinë shqiptare.
Pra, fillimisht duhet që strukturat shtetërore të krijojnë një databazë konkrete dhe reale të emigrantëve shqiptar në gjithë botën,si dhe të bizneseve të tyre. Më tej të zhvillojnë mekanizmat ligjor, për ti mundësuar shtetasve shqiptarë që banojnë në një shtet tjetër të votojnë për zgjedhjet e përgjithshme legjislative apo në referendumet kombëtare në Shqipëri.
Forcat politike kanë rënë dakord që të organizohet votimi i shqiptarëve që janë në emigracion. Por ende nuk dihet nëse kjo do të jetë e mundshme në këto zgjedhje, për arsye thjesht organizative. Megjithatë duhet thënë që politikanët shqiptarë, me këtë problem të merren më seriozisht, jo thjesht për politikë elektorale.
Ku do të jetë gjenerata e re e mërgatës, nëse nuk do të përkrahet nga dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova?
Emigrantët janë të prekur nga pabarazitë shoqërore dhe ka të ngjarë të kalojnë nëpër disa përvoja gjatë procesit të migracionit, si pengesa ligjore, sociale, kulturore, ekonomike,sjellore dhe komunikimi, që dëmtojnë mirëqenien e tyre fizike, mendore dhe sociale.
Situata e emigrantëve në Shqipëri shfaqet e ndryshme. Megjithatë niveli i konsolidimit dhe organizimit nga komuniteti në komunitet përgjatë viteve ka ndryshuar, shumë shqiptarë janë ende emigrantë ‘të parregullt’ ose ‘pa dokumente’, duke sjellë mosintegrim të tyre.
Pavarësisit dëshirës së madhe për të qenë të barabartë me qytetarët europiane, emigrantët shqiptarë janë përballur me paragjykime, steriotipe dhe diskriminime nga më të ndryshme, që kanë vështirësuar funskionimin e tyre dhe ecjen para në shoqëri.
Në disa raste, shqiptarët janë lidhur me kriminalitetin dhe degradimin moral, në veçanti me drogën, kontrabandën, sjellje të dhunshme dhe prostitucion, dhe më në përgjithësi me varfërine dhe mjerimin, duke përforcuar pikëpamjen se shqiptarët janë emigrantë të rrezikshëm dhe që vijnë nga vendet në krizë. Pikëpamja negative për emigrantët shqiptarë rrit predispozitat për shfrytëzimin e tyre, duke shkaktuar edhe nivele të larta të inferioritetit.
Në këtë drejtim, mbështetja dhe politikat e shtetit shqiptar kanë ndihmuar në dizenjimin e mekanizmave lehtësues për ofrimin e suportit dhe ngritjen e organizatave për emigrantët shqiptarë, si një formë mbështetjeje, zhvillim aktivitetesh, për të përmbushur nevojat dhe për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kulturor. Por edhe vetë emigrantët duhet të kujdesen më shumë që sidomos të rinjtë shqiptarë të mos bien pre e organizatave kriminale. Për këtë duhet që të porsaardhurit të merren në kontakt dhe të ndihmohen maksimalisht për integrimin e tyre.
Gjuha shqipe dhe ruajtja e saj. Cili do të ishte çelësi kryesor që do të hapte dyert e ruajtjes së gjuhës sonë, gjeneratë pas gjenerate?
Shqipëria ruan vlera të çmuara të trashëgimisë kulturore, të cilat mbartin në vetvete historinë e një populli të lashtë, me identitet europian dhe tregues civilizimi. Prandaj dhe duhet kushtuar rëndësi të veçantë ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe kombëtar të diasporës. Kjo do të arrihet vetëm në bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë mes diasporës, Shqipërisë dhe Kosovës.
Angazhimi me projekte të veçanta të programeve edukative dhe kulturore do të pengojë asimilimin e mëtejshëm në aspektin gjuhësor, veçanërisht i brezave të dytë dhe të tretë në diasporë. Këtu do të përfshihen kurset e gjuhës shqipe dhe mësimdhënësit që punojnë në shkolla me orë plotësuese.
Shembujt pozitivë për mësimin e gjuhës, pavarësisht se janë më shumë nisma personale ose lokale të shqiptarëve në vend të huaj, duhen mbështetur nga shtetet tona, por edhe nga vendet ku ata jetojnë. Kjo kërkon një punë më të mirë organizuar nga administratat tona, përfaqësitë diplomatike, që nisur nga përvojat pozitive të ligjërohen. Kështu psh në Itali lejohen dhe mbështeten me ligj organizimi e zhvillimi i arsimimit në gjuhën shqipe të arbëreshëve. Ky është një shembull që mund të kërkohet nga BE që të implementohet në të gjitha vendet europiane ku jetojnë shqiptarë.
Administratat përgjegjëse të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të bashkëpunojnë për të krijuar politika e programe edukuese që do të mirëpriten nga gjeneratat e reja. Krijimi i një tradite të modelit të shkollave verore, do të jetë një mjet i cili do të kthehet në traditë edukuese për fëmijët e diasporës.
Por kyesori është kujdesi familjar. Shqiptarët tanë nuk duhet ta kenë turp që me fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e tyre të flasin vetëm shqip. Pra kjo është në radhë të parë detyrë themelorë e familjeve shqiptare, që ta kenë për nder që fëmijët e tyre në familje të flasin vetëm shqip. Mos harrojmë se gjuha shqipe për këdo që banon në diasporë është njëkohësisht jo vetëm krenari, por dhe një pasuri e madhe që rrit vlerat kulturore për këdo.
Gjithashtu duhet vlerësuar dhe roli i mediave audiovizive dhe medias sociale në ruajtjen e gjuhës. Transmetuesit publikë duhet të jenë ligjërisht të detyruar t’i dedikojnë 10 deri 15 përqind të programit (tokësor dhe satelitor) tematikës së diasporës dhe migracionit. Ndërsa mediat sociale po kthehen në një revolucion të mjeteve të ndërveprimit mes njerëzve, me të cilat po krijojnë, shkëmbejnë dhe ndajnë informacion e ide në komunitete dhe rrjete virtuale.
Problemet ekonomike dhe vështirësitë që na dalin përpara nuk duhet të na stepin në përpjekjet tona të gjithanshme për të ruajtur e pasuruar atë që kemi më të shenjtë: trashëgiminë, vlerat kulturore, gjuhën dhe identitetin historik. Ne nuk duhet të harrojmë se të ndërthurura me traditën, historinë, kulturën dhe shpirtin tonë krijues, këto vlera janë një pasuri e çmuar dhe një pasaportë dinjitoze në rrugën tonë të ribashkimit të plotë me familjen europiane.
Çfarë do t’i sugjeronit drejtuesve të shtetit, atyre që janë sot dhe atyre që do të vijnë në të ardhmen, për mërgatën tonë?
Shteti shqiptar duhet të shohë pak më larg, të marrë eksperiencën më të mirë të vendeve fqinjë që emigruan shumë vite para nesh. Drejtuesit duhet të fusin në politikën e përditshme idetë dhe qasje më të mira e më civile, në interes të zhvillimit të një politike më racionale, më të prekshme, më të afërt me nevojat e njerëzve, më liberale, më tolerante dhe sigurisht më njerëzore.
Puna dhe përpjekjet e diplomacisë shqiptare duhet të jenë më të mëdha për t’u dhënë kurajo njerëzve tanë në emigracion, që të ruajnë lidhjet me tokën e tyre, të mos dobësojnë ndjenjën kombëtare, aq më tepër të mos mohojnë identitetin e tyre. Shteti dhe shoqëria duhet, që përmes politikave nxitëse, realiste dhe konsensuale, të krijojnë të gjitha mundësitë që brezi i ri t’i përkushtohet dijes dhe vlerave demokratike.
Duhet që të inkurajohen më shumë me të gjitha mënyrat e mundshme, që diaspora të investojë në Shqipëri dhe Kosovë. Këtu duhet pasur kujdes pasi korrupsioni që është aktualisht mund ti trembë dhe ti shtangë përfaqësuesit e diaporës për të investuar në vendet tona.
Politika shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë duhet t’i adresohet më shumë emigracionit edhe në kuptimin për ta tërhequr në angazhime politike brenda vendeve tona. Ata janë të pajisur me një edukatë dhe kulturë të mirëfilltë perëndimore, jo vetëm të arsimuar në ato vende, por edhe si pjesëtarë të opinionit vendas të pajisur me cilësitë demokratike origjinale të atyre vendeve.
Politikanët tanë duhet të bëjnë shumë më tepër, që emigrantët shqiptarë të mos e ndjejnë veten të braktisur në mëshirën e fatit, por gjithmonë ta ndjejnë interesimin e shtetit të tyre për të mos qenë të paktën jo më poshtë se emigrantët nga shtetet e tjera europiane. Duhet të organizojmë evente shkencore sa më shumë, sipas sektorëve të ndryshëm, duke tërhequr mendimin shkencor të shqiptarëve të suksesshëm në vendet perëndimore. Të tillë ka shumë, vetëm se duhen njohur, evidentuar dhe afruar.
Duhet të evidentohet saktësisht numri i emigrantëve shqiptare nëpër botë, duke bërë të mundur dhe njohjen e saktë e diasporës tonë në vendet ku ata jetojnë. Gjithashtu, takimet me diasporën duhen bërë jo për bujë, por me objektiva konkrete. Kështu, për këto duhen bërë plane të përbashkëta sipas vendeve ku janë emigrantët.
( Kjo intervistë është pjesë e librit të Ph.D.Dashnim Hebibi me titull: „Vështrim Presidencial“. Libër i cili ishte mbështetur nga Bashkësia Shqiptare e Qytetit të Rijekës / Kroaci dhe Perfekturës Bregdetaro Malore, ndërsa riibotimin e ibrit, sipas kërkesës së shumë lexuesve, të cilët, për shkak të numrit të vogël të ekzemplarëve, nuk mundën ta sigurojnë një kopje për bibliotekën e tyre shtëpiake, u mundësua me mbështetjen financiare, dhe jo vetëm, të Asociacionit Qytetar ‘Bujanoci’ me seli në Zvicër)