“Me bashkëshortin tim Adem Osmani, siç ju thashë edhe më lart, kemi vajzat tona, që janë jeta jonë. I duam dhe na duan shumë. Na kuptojnë kur jemi larg tyre në punë, në aktivitete të tjera të bashkatdhetarëve tanë, por edhe të miqve zviceranë. Bashkëshorti im, Ademi, kudo që shkon, ka dëshirë që të shkojmë bashkë”, na tha, ndër të tjera, zonja Osmani.
Para se të filloj intervistën, më duhet t’i them dy fjalë, por me shumë kuptim, për familjen e Adem Osmanit. Të rrallë janë ata që thuajse në çdo takim të mërgatës sonë që organizohet nga diaspora dhe e ftojnë z. Osmani, ai të mos jetë i pranishëm pa bashkëshorten e tij. Kurrë nuk i sheh të vërenjtur, por të buzëqeshur. Është për të përshëndetur dhe model për të gjithë, që të jetë nëpër takimet tona edhe ma shumë prezenca e gruas shqiptare.
Kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë shumë. Nuk janë të zhurmshëm. Modestë që të dy. Aty ku kontribuojnë, nuk flasin. E kryejnë ndihmën dhe krenohen me atë. Ndihma për të tjerë nga ky çift është ushqim shpirtëror për t’a. Këto që i përmenda, i kam parë edhe me sytë e mi, nëpër shumë manifestime të diasporës sonë. Meritojnë respekt të veçantë si familje dhe janë model i një familjeje të integruar në Zvicër që ruajnë me zemër gjuhën dhe traditat tona.
Kudo që shkojnë, nderohen maksimalisht, sepse bardhësia e tyre shpirtërore shihet edhe në buzëqeshje dhe modesti. I falenderoj shumë që ma mundësuan që ky libër të shohë dritën, po e përmendi edhe kësaj here edhe pse është në fillim të librit edhe do ta përmend për jetë. Zoti I bekoftë! Gjersa të kemi personalitete të tilla, do të jetë mirë në sipërfaqen e tokës dhe ndihmat e tyre do të jetojnë brez pas brezi.
Shëndeti e sukseset mos ju ndalshin! Edhe diçka, kur iu ofrova për intervistë dhe kërkova që të jetë pjesë e librit, pa një, pa dy më tha:“jipi hapësirë të tjerëve”. Paramendoni sa modeste edhe pse është model i veçantë i frymëzimit për gjeneratat e reja. Si bashkëshorte e Adem Osmanit, veprimtarit të dalluar të kauzës sonë kombëtare, ajo është prezente me z.Osmani nëpër takime, por edhe në përditshmëri me biznesin e tyre. Respekt!
Ju lutem të na përshkruani profilin tuaj!
Përshëndetje për ju dhe për të gjithë lexuesit e këtij libri. Të përgëzoj për këtë projekt që do të mbetet i përjetshëm për gjenerata të tëra. Do të përpiqem që të jem shumë e shkurtë në përgjigje, duke e pasur parasysh se keni, sigurisht, edhe gra e vajza të tjera. Ju falënderoj shumë që po më jipni hapësirë edhe mua.
Jam e lindur në Gjakovë më 3 qershor të vitit 1974. Jam e martuar me Adem Osmanin që nga viti 1993. Kemi një familje të shëndoshë me tri vajza: Arta 28 vjeçare, Nora 25 vjeçare si dhe Diana-Zana 17 vjeçare. Jetojmë e punojmë në Aarau, kantoni Aargau, Zvicër. Arta ka mbaruar studimet në Universitetin e St.Gallenit dhe punon në kompaninë e njohur Galaxus në Cyrih. Nora, pas mbarimit të shkollës së mesme (profesionale), punon në Kompaninë ‘Pewu Ag’ në Aarau, si dhe në kompaninë tonë. Ndërsa Diana-Zana është në gjimnaz (Kantonal Schule) në klasën e dytë.
Na tregoni se kur,afërsisht, kur keni migruar në Zvicër?
Në moshën 13 vjeçare kam ardhur në Zvicër.Aty kah viti 1987, së bashku me prindërit e mi. Në këtë shtet, pra në Zvicër, kam vazhduar shkollimin fillor, klasën e 8-të dhe të 9-të. Shkollimin profesional e kam mbaruar te Kompania ‘Coop’ në Sefenwil AG, ku kam vazhduar me punë deri në vitin 1999, kur kemi themeluar kompaninë tonë me bashkëshortin tim, ‘Dach 2000 GmbH’ në Aarau. Bashkëshorti im, Adem Osmani, është Dipl.Oec në Zvicër që nga viti 1992, ku jemi njoftuar dhe jetojmë së bashku nga viti 1993.
Me Ademin udhëheqim kompaninë tonë me shumë përkushtim me emrin “Dach 2000 GmbH” e cila merret me investime në patundëshmëri (immobilien) si dhe në degë të tjera të industrisë. Ademi, që nga shkolla e mesme, ka jetuar në Prishtinë, ku edhe është marrë me aktivitete shoqërore e politike (që nga demostratat e vitit 1981, pajtimet e gjaqeve, pastaj në LDK ku ndihmuar luftën e UÇK-së, shkollën shqipe, shoqatën e gruas, e kështu me radhë.
Cila është struktura aktuale e familjes suaj?
Me bashkëshortin tim, Adem Osmani, siç ju thashë edhe më lart, kemi vajzat tona, të cilat janë jeta jonë. I duam dhe na duan shumë. Na kuptojnë kur jemi larg tyre edhe në punë, në aktivitete të tjera të bashkatdhetarëve tanë, por edhe të miqve zviceranë. Bashkëshorti im, Ademi, kudo që shkon, ka dëshirë që të shkojmë bashkë. Shpesh kemi parë nëpër aktivitete që nuk është prezente gruaja shqiptare. Vajzat tona janë ushqimi ynë shpirtëror që kemi pasur, kemi e do të kemi suksese. Janë edukuar në frymën kombëtare dhe lumët ne që i kemi.
Si e kujtoni ardhjen tuaj për herë të parë në Zvicër?
Pyetje interesante dhe kthehem shumë kohë përpara me kujtesë. Normal se ishte jo edhe e këndshme, duke e pasur parasysh se isha 13 vjeçare. Si shumë te reja, isha me plot entuziazëm e me dëshira të pafundme. Është normale se kam pasur vështirësi deri sa jam mësuar me rregullat e shtetit zviceran, por me kohën jam përshtatur dhe jam shumë e lumtur që jam në Zvicër, në këtë shtet vertetë mik të kombit tonë. Falenderoj prindërit që na kanë edukuar që të duam familjen, shtetin tonë prej nga vijmë, por edhe të respektojmë ligjet e shtetit ku po jetojmë. Shkurt e shqip, përjetësisht u jam falënderuese.
Cila është veprimtaria juaj publike (jashtë punës së zakonshme)?
Me bashkëshortin tim jemi nëpër takime të ndryshme të komunitetit tonë që organizohen në Zvicër e gjetiu. I përkrahim me ato mundësi që kemi. Shkolla Plotësuese Shqipe është për ne shumë e rëndësishme, sepse aty shohim që po punohet shumë për ruajtjen e gjuhës shqipe. Besojmë shumë se në të ardhmen do të rritet edhe numri i nxënësve shqiptarë që do të ndjekin këtë shkollë shqipe. Për të gjithë ata që kontribuan e po kontribuojnë për shkollën shqipe, respekt.
Na flisni pak për bashkëshortin tuaj! Cila ka qenë veprimtaria e tij publike (jashtë punës së rëndomtë) gjatë periudhave të ndryshme që ka përjetuar Kosova?
Është e vështirë të përmend të gjitha edhe pse bashkëshorti im, nga modestia, nuk dëshiron që të përmendet. Ai nuk është ndalur dhe nuk ndalet, sa herë që është në pyetje atdheu e shqiptaria në përgjithësi.
Sa keni arritur të integroheni në shoqërinë zvicerane?
Kemi shumë miq zviceran. Jemi të integruar, besoj, plotësisht dhe kjo na bënë edhe më të pranuar në shoqërinë zvicerane.
Sa shpesh e vizitoni vendin e lindjes suaj?
Shkojmë shumë shpesh, tri deri në pesë herëgjatë vitit. Nuk e harrojmë vendin e të parëve, familjet tona dhe gjithë miqësinë që e kemi andej.
Cila grua (fytyrë publike) në atdhe [Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës, etj.] mendoni se ka bërë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë tonë?
Nuk mund ta dalloj ndonjërën, sepse ka shumë prej tyre që kanë kontribuar. Mund ta harroj pa e përmendur ndonjërën, kështu që më mirë po e them atë që e kam në zemër.Ka shumë dhe respekt për të gjitha.
Në cilin dimension mendoni se gruaja shqiptare e diasporës ka kontribuar më së shumti për çlirimin e Kosovës?
Në të gjitha.Si në atë moral dhe material. Ne, si familje, nuk jemi ndalur dhe as që do të ndalemi me aq sa kemi mundësi.
Sa premtuese, sipas jush, është gjenerata e fëmijëve tuaj, në ruajtjen e traditës kombëtare [etnokulturës tonë]?
Besoj shumë se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, brez pas brezi, që ta ruajmë gjuhën e traditat tona kombëtare. Edhe ne, si prindë, kemi punuar në këtë drejtim e do të punojmë deri në frymën e fundit të kësaj jete.
Në cilat segmente vlerësoni se gruaja shqiptare në diasporë ka nevojë të mbështetet nga shteti amë?
Thuajse në të gjitha, duke e avancuar edhe më shumë në funksione politike e diplomatike. Kemi brezin e ri që besoj shumë, se do të duhej të përkrahet, ti jepet hapësirë, sepse kemi shumë të shkolluara dhe do të kontribuonin edhe në atdheun tonë.
Po të ktheheshit në atdhe, me se do merreshit?
Nuk kisha menduar diçka tjetër, përveç se me biznes. Edhe atje punohet e do të punohej. Kemi biznese të shkëlqyera dhe na gëzon shumë ky fakt.
Së bashku me bashkëshortin tuaj, ju kemi parë shumë herë nëpër manifestime, ku z.Adem ka pasur e ka mbështetjen tuaj. Sidomos shkollën plotësuese shqipe e keni ndihmuar vazhdimisht. Sipas jush, çka duhet të bëhet që kjo shkollë të jetë edhe më e fuqishme?
Bashkëshorti im dhe unë jemi munduar të kontribuojmë dhe kemi kontribuar. Kjo na gëzon shumë. Mbështetja shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova do të ishte shumë e rëndësishme. Ti dërgojnë fëmijët në shkollën plotësuese shqipe, sepse nuk humbin asgjë. Ta përkrahim edhe ma shumë Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë.
Për fund të këtij bashkëbisedimi, zonjë, ju falënderoj shumë që na keni ndihmuar, së bashku me bashkëshortin tuaj që ta shohë dritën ky libër. Ju jemi mirënjohës. Cila do të ishte porosia juaj për nipat e mbesat e juaa në të ardhmen, sidomos në atë kohë kur ne nuk do të jemi në këtë botë?
Mbështetjen e këtij libri me bashkëshortin tim dhe fëmijët e kemi bërë me shumë zemër. Është një punë e mirë, siçe thashë edhe mëlart. Gruaja shqiptare e diasporës, paksa është anashkaluar. Ky libër do të mbetet një kujtim i mirë për brezat që do të vijnë. Është investim i shëndoshë. Ndërsa, sa i përket pyetjes, do të kisha dashur që të investohet më shumë në përgatitje profesionale dhe të mos e humbim identitetin tonë kombëtar. Mbesat apo nipat tanë, do të doja që të mos e harrojnë se nga vijnë të parët e tyre.Ta ruajnë gjuhën dhe të vazhdojnë traditën tonë familjare e kombëtare. Të jenë të respektuar në shtetin ku jetojnë dhe të jenë falënderues ndaj Zvicrës, sepse të parëve të tyre ua ka hapur dyert. Zvicra është për të gjithë shqiptarët si atdheu i dytë.
Shpresoni, se një ditë do të kthehen gjeneratat e ardhshme në atdheun e të parëve, apo kjo mbetet vetëm një ëndërr e jona?
Kjo varet nga shtetet tona se sa punojnë me gjeneratat e reja që kanë lindur, do të lindin e rriten si pjesë e diasporës. Por, besoj shumë se do të vijë koha që të kthehen në vendin e të parëve të tyre.
Zonjë, ju falënderoj edhe njëherë për kohën!
Ishte kënaqësi që bashkëbiseduam dhe që do të jem pjesë e librit. Gruaja shqiptare në diasporë ishte dhe do të mbetet e nderuar, sepse ka kontribuar shumë edhe pse nuk e ka pasur të lehtë. / Dashnim HEBIBI ( Marrë nga Libri Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare pjesa e parë)