helveticALforum.ch, ka mësuar mbrëmë vonë nga veprimtari, afaristi dhe ish kryetari dhe kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, z.Florim Useini, se ka pasur një takim shumë të rëndësishëm, apo të gëzueshëm, duke pritur e shoqëruar një musafirë të veçantë në Luzern, mikun e tij, Dalip Gashi nga Kosova, të cilin me krenari e ka shëtitur dhe i ka treguar për Luzernin e bukur të shqiptarëve. Miku i tij vjen nga veprimtaria e kinematografisë, konkretisht nga fusha e Animacionit dhe 3D, me kompaninë neoFILMS.
neoFILMS është një kompani, e cila nën regjinë e Dalip Gashit dhe Iliriana Bejtës është duke realizuar dy filma të metrazhit të gjatë në 3D dhe animacion, që do të kenë premierën në Hollywood dhe që së bashku kapin buxhet prej 25 milionë euro.
Filmat ZHAK dhe MINIBEAST janë të parët filma 3D dhe animacion shqiptar, por me ngjarje universale dhe në gjuhën angleze, që do të shpalosin kulturën dhe mitologjinë shqiptare para botës.
Ndërsa filmi ZHAK është afër përfundimit, kompania ka nisur një sfidë të re dhe tejet domethënëse.
neoFILMS po vjen me një projekt të ri!
Një film i animuar i quajtur MINIBEAST sapo ka filluar të marrë formë. Ky film po prezantohet për herë të parë në tregun e filmit në Kan në Francë.
Filmi po përgatitet për RealD 3D dhe IMAX dhe tashmë është në marrëveshje për shitjet në mbarë botën. Ekipi i neoFILMS – artistët dhe inovatorët e kohës sonë. Z.Useini, gjatë bashkëbisedimit mësoi edhe shumë projekte të tjera nga miku i tij, që z.Gashi ka me stafin e tij.
Krejt në fund të takimit, z.Useini si një personalitet që njihet për unitet dhe bashkim të afaristëve i përgëzoi për këto suksese, duke menduar, se do ti realizohen mirë dhe do të mirëpriten ashtu siç e kanë menduar si dhe i drejtohet afaristëve, ata që kanë mundësi për të investuar më shumë edhe në botën e filmit. Këto janë arritje të mëdha dhe na gëzojnë shumë, na tha ndër të tjera z.Useini.
helvetikALforum.ch