I dashur lexues Data më e shënuar e vitit për shqiptarët, në të cilën çdo bashkëkombës yni ka arsye të ndjehet krenar për të kaluarën e lavdishme të kombit tonë, na bën të reflektojmë para vetes, duke kujtuar nëntorët historikë, të lënë pas ndër shekuj.
Ata që bënë historinë para nesh, ia dolën të skaliten si të pashlyeshëm në memorien kolektive të çdo shqiptari, sepse ishin të bashkuar kur lartësuan shqiponjën dykrenare. Diaspora shqiptare, sado e shpërndarë nëpër botë, ka dëshmuar me vepra që di ta çmojë sakrificën shekullore të gjenezës së vet, duke kultivuar lashtësinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe dhe vlerat botërisht të pranuara të kombit shqiptar.
Për redaksinë e dritares së hapur informuese, të cilën e kemi emërtuar HelveticAlForum, për të treguar që ky medium, veç tjerash, shërben edhe si hapësirë virtuale e komunikimit të shqiptarëve të mërguar mes vete dhe me atdheun, 28 nëntori i këtij viti simbolizon përmbylljen e ciklit të parë hënor prej njëzetë e tetë ditësh nga lancimi i këtij mediumi në shërbim të publikut të gjerë shqiptar. Urojmë që atmosfera e sotme festive të na mbajë të bashkuar si dy kokat e shqiponjës me një trup!
Gëzuar 28 Nëntori i lirisë së shqiptarisë!
Redaksia HelveticAlForum.ch