Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka hedhur poshtë idenë e vendosjes së trupave në Ukrainë, pasi Franca dhe Britania e Madhe propozuan dërgimin e paqeruajtësve për të siguruar një armëpushim eventual midis Kievit dhe Moskës.
Meloni shprehu kundërshtimin e saj gjatë një fjalimi në dhomën e lartë të parlamentit italian të martën, përpara një takimi të Këshillit Evropian në Bruksel këtë javë që pritet të diskutojë konfliktin në Ukrainë.
Franca dhe Britania e Madhe kanë udhëhequr përpjekjet për të formuar një “koalicion të vullnetit”, me presidentin francez Emmanuel Macron duke sugjeruar që “disa mijëra trupa për çdo vend” do të vendoseshin në vendndodhje kyçe në Ukrainë.
Meloni tha se qeveria italiane e respektoi propozimin, por nuk ishte “e bindur” prej tij.
“Dërgimi i trupave italiane në Ukrainë është një temë që nuk ka qenë kurrë në rendin e ditës”, tha Meloni në Senat, siç citohet nga La Repubblica.
Kryeministri vazhdoi duke e përshkruar propozimin franko-britanik si “një opsion shumë kompleks, i rrezikshëm dhe joefektiv”. Ajo deklaroi gjithashtu se Italia mbështeti përpjekjen paqebërëse të nisur nga Presidenti i SHBA Donald Trump, njofton oranews.