Intervistë ekskluzive me Atdhe Jasiqin – Afaristin e Suksesshëm dhe Humanistin që Reflekton Dritë Zemre
/ Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Lozanë/
Rrugëtimi i një njeriu të suksesshëm nuk fillon gjithmonë me lehtësi, por me sfida, përkushtim dhe sakrifica. Kështu mund të përshkruhet edhe historia e Atdhe Jasiqit, një sipërmarrës shqiptar që sot është një nga emrat më të njohur në komunitetin shqiptar në Zvicër, veçanërisht në pjesën frankofone. Me punë dhe shumë përkushtim.
I lindur në Pejë në vitin 1992 dhe i ardhur në Zvicër si foshnjë njëvjeçare, ai është rritur me një edukatë të fortë familjare, të ruaj gjuhën, traditën dhe historinë tonë kombëtare, të punoj me nder dhe të respektoj e të doj shtetin ku po jeton, Zvicën mike dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie për të ardhmen e tij dhe të ruaj familjen e traditën tonë se nga ka ardhur. Sot, Atdheu është administrator i Vuichard Groupe SA, një kompani me një histori të gjatë në Zvicër, të cilën e drejton me sukses së bashku me partnerin e tij të biznesit dhe mikun e ngushtë, Milaim Berisha.
Përveç suksesit në biznes, ai njihet edhe për shpirtin e tij human, besimtar i denjë. Modestinë dhe dashurinë për familjen dhe traditat shqiptare i ka në shpirt. Të gjithë vëllezërve shqiptarë kudo që ndodhen i uron muajin e shenjtë të Ramazanit, agjërim e lutje të pranuara. Këto ditë do të shkoj në Qabe për ta falënderuar përsëri dhe gjithmonë zotin e plotëfuqishëm që ka një shëndet të mirë, familje të shëndosh dhe suksese në biznes.
Edhe pse i ri nga mosha, çdo hap që e hedh në tokë, ai e falënderon zotin, sepse siç thotë edhe vet, një ditë do të kthehemi te ai, por ti kemi kontot me bëmirësi e të mira. Vërtetë kjo intervistë ishte e veçant, sepse gjatë gjithë bisedës që e kemi zhvilluar, Atdheu reflektonte pozitivitet me buzëqeshjen e tij.
Në këtë intervistë ekskluzive, ai na rrëfen rrugëtimin e tij, sfidat, sukseset dhe vlerat mbi të cilat ka ndërtuar jetën dhe karrierën.
- Jasiqi, ju falënderoj për kohën që po ndani për këtë intervistë. Ju kemi parë si një afarist të suksesshëm. A mund të na tregoni sa e vështirë ka qenë të arrini këto suksese?
Së pari, ju falënderoj për këtë intervistë dhe për punën që bëni për të promovuar komunitetin shqiptar. Suksesi nuk është diçka që arrihet brenda natës, por është rezultat i punës së palodhur, përkushtimit dhe sakrificave. Rruga ime nuk ka qenë e lehtë, por gjithmonë kam besuar se me disiplinë dhe këmbëngulje mund të arrihet gjithçka. Kam kaluar nëpër sfida të ndryshme, por këto më kanë ndihmuar të rritem dhe të bëhem ai që jam sot. Falënderoj prindërit për edukatën dhe rritën që më kanë bërë, sepse më kanë rritur me punë e djersë hallalli.
A e keni menduar ndonjëherë se do të kishit një biznes tuajin?
Që në fëmijëri kam pasur dëshirën për të ndërtuar diçka timen. Në moshën 14-vjeçare ndihmoja në restorantin e babait tim në Lozanë, dhe kjo përvojë më ndihmoi të kuptoja rëndësinë e punës dhe të përgjegjësisë. Kjo më dha shtysën që një ditë të ndërtoja një biznes të pavarur dhe të krijoja diçka me vlerë. Shumë ka punuar babai im dhe me punë na ka rritur neve e na edukuar.
Ju drejtoni një kompani të suksesshme bashkë me partnerin tuaj Milaim Berisha. Si ka qenë ky bashkëpunim dhe cili është sekreti i suksesit tuaj të përbashkët?
Është e vërtetë që bashkëpunimi mes dy shqiptarëve shpesh konsiderohet i vështirë, por unë dhe Milaimi kemi ndërtuar një partneritet të fortë, bazuar në besim dhe transparencë. Që nga fillimi, kemi pasur një marrëveshje të qartë: të punojmë së bashku, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të mësojmë nga gabimet tona. Kjo ka qenë çelësi i suksesit tonë. E shohim njëri-tjetrin si vëllezër dhe kjo lidhje na ka ndihmuar të ecim përpara pa ndasi apo xhelozi. E njohim mirë njëri tjetrin dhe kështu kemi ku jemi. Do të vazhdojmë me shpirt deri në vdekje. Ai më kupton mirë dhe unë e kuptoj. Në punë nuk ka shoqëri, por punë dhe korrektësi, pas punës, jemi miq e vëllezër.
Na tregoni pak më shumë për veten tuaj – kush është Atdhe Jasiqi?
Jam i lindur në Pejë dhe i rritur në Zvicër. Familja ime emigroi kur isha vetëm një vjeç dhe këtu u rritëm me shumë mundime, por gjithmonë me respekt dhe dashuri për rrënjët tona. Sot, jam një bashkëshort dhe baba i përkushtuar, me një familje të madhe dhe të lumtur. Presim me gëzim fëmijën tonë të katërt dhe kjo më mbush me krenari dhe përgjegjësi. E falënderoj gjithmonë zotin për të mirat që mi ka dhënë e që po mi jep.
Sa punëtorë keni dhe si ka qenë rruga juaj në këtë kompani?
Vuichard Groupe SA është një kompani me një histori të gjatë, e themeluar në vitin 1964. Në vitin 2019, së bashku me Milaimin, arritëm një marrëveshje me familjen Vuichard për të marrë drejtimin e saj. Sot, kompania jonë i siguron të ardhura shumë familjeve dhe mbështet shumë sipërmarrës dhe furnizues, duke kontribuar në zhvillimin e tregut zviceran.
Ju e vizitoni shpesh Kosovën dhe Pejën?
Po, e dua pafund vendlindjen dhe mundohem të shkoj të paktën tri herë në vit, sidomos me fëmijët, që ata të ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre. Kosova është pjesë e identitetit tim dhe çdo vizitë atje më mbush me emocione.
Si e shihni gjeneratën e re shqiptare në Zvicër?
Jam jashtëzakonisht krenar për brezin e ri shqiptar në Zvicër. Shohim gjithnjë e më shumë të rinj që arrijnë të mbajnë pozita të rëndësishme dhe të krijojnë biznese të suksesshme. Disa kompani të drejtuara nga shqiptarë, si FFA SA ose Varrin SA, janë shembuj të shkëlqyer të suksesit tonë si komunitet. Kjo është një dëshmi e fortë se ne dimë të punojmë dhe të ndërtojmë të ardhmen tonë me mund dhe përkushtim.
Gjuha shqipe është e rëndësishme për ju. A do të siguroheni që fëmijët tuaj ta ruajnë atë?
Pa asnjë dyshim! Gjuha shqipe është identiteti ynë dhe është detyra jonë ta ruajmë dhe ta trashëgojmë atë. Mundohem që fëmijët e mi të flasin shqip dhe të njohin kulturën dhe historinë tonë kombëtare.
Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që duan të hapin një biznes, por kanë frikë të hedhin hapin e parë?
Mos u frikësoni nga dështimi! Suksesi nuk vjen vetë, por me punë, durim dhe guxim. Nëse keni një ëndërr, filloni me hapa të vegjël dhe mos u ndalni kurrë. Nuk ka rrugë të shpejtë drejt suksesit, por ka një rrugë të sigurt: puna e ndershme dhe këmbëngulja.
Si do t’i falënderonit prindërit tuaj?
Prindërit e mi më kanë dhënë gjithçka – dashuri, edukatë dhe vlera të forta. Për këtë, u jam mirënjohës përjetësisht. Falë tyre, sot jam ky që jam. Hakut kurrë nuk modem t`ju dal. I falënderoj shumë dhe i dua ma shumë se sytë e ballit.
Faleminderit për këtë bisedë frymëzuese dhe ju urojmë suksese të mëtejshme!
Faleminderit edhe juve për mundësinë dhe për punën tuaj të palodhur për të ruajtur dhe promovuar vlerat tona kombëtare. Ishte kënaqësi të ndaja këtë histori me ju! Zoti ju bekoftë, zoti e bekoftë kombin tim, Zvicrën dhe të gjithë ata që punojnë drejt dhe vetëm drejt. Lutem për paqe gjithandej botës.
helveticALforum