Shtëpia e familjes Thaçi në Burojë sot ishte e mbushur me njerëz pasi pas ndarjes nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, familja e tij hapi dyert për ngushëllime.
Ajo që rëndonte edhe më shumë atmosferën ishte mungesa e Hashim Thaçit, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur indinjatën dhe revoltën ndaj këtij vendimi.
Sipas OVL UÇK-së, refuzimi i Gjykatës Speciale për të lejuar Thaçin të japë lamtumirën e fundit babait të tij është një veprim i padrejtë dhe çnjerëzor, i cili bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë.
“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
Po ashtu, organizata e veteranëve e ka konsideruar këtë vendim si një përpjekje të qëllimshme për të poshtëruar jo vetëm Thaçin dhe familjen e tij, por edhe ish-luftëtarët e UÇK-së.
Megjithatë, pak ditë më parë, ai kishte pasur mundësinë të vizitonte babanë e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku kishte kaluar disa orë pranë tij nën masa të rrepta sigurie.
Për të ngushëlluar Familjen Thaçi erdhi lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se Babai i Hashimit ishte një njeri i urtë dhe fisnik, një burrë që i dha shumë kësaj toke me djemtë e tij dhe kontributin për lirinë e vendit.
“Ka qenë një njeri që unë i them më shumë se sa vetëm një prind i njeriut që ka udhëheqë procesin e çlirimit dhe dhe pavarësimit të vendit, po një karakter epik ashtu siç i kemi mësuar edhe në të kaluarën edhe në traditën tonë, ata shqiptarë e mirë e të vërtetë që kanë ditë me i edukuar jo vetëm familjet e tyre por të gjithë brezat”, ka thënë Krasniqi.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili poashtu ishte për ngushëllime në Familjen Thaçi derisa e vlerësoi lart figurën e të ndjerit, tha se kjo humbje vjen në një kohë të rëndë për familjen, pasi Hashim Thaçi ndodhet në Hagë, ku po përballet me procesin gjyqësor mbi luftën e UÇK-së.
“Besoj shumë se nga kjo vuajtje, dhimbje, sakrificë do të nxjerrim mësimet më të mira të shqiptarëve e me ju kushtuar atdheut, lirisë në vazhdimësi në mënyrë që edhe gëzimet edhe hidhërimet ti bëjmë ashtu si na takojnë”, ka thënë Haradinaj.
Për ngushëllime në Familjen Thaçi ishte edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, e njëherësh kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza si dhe shumë qytetarë.
Haxhi Thaçi ndërroi jetë të dielën në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas kujtime dhe një histori të gjatë që lidhej me kohët e vështira të Kosovës. Haxhiu do të varroset të martën në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt. Ajo që ende nuk dihet është pjesëmarrja e ish-presidentit në varrim, nëse i miratohet lirimi nga Dhomat e Specializuara, njofton rtsh.