Miq të nderuar,
Me të lancuar portalin ‘HelveticAlForum’, në adresën time kanë arritur urime shumë të sinqerta, kryesisht nga njerëz, me të cilët kam pasur fatin të bashkëveproj në shërbim të informimit të mërgatës shqiptare.
Ndër ata që nuk kanë ngurruar të shprehin kënaqësinë e tyre për hapjen e kësaj dritareje të re të informimit e komunikimit ishin edhe njerëz, të cilët kanë dëshmuar hapur shpirtin e tyre mbështetës ndaj nismave të mia të karakterit kulturor në shërbim të komunitetit shqiptar të shpërndarë nëpër vendet e ndryshme të Evropës e më gjerë.
Përveç falenderimit tim të parezervë për fjalët e shpirtit, unë shfrytëzoj rastin që të ftoj këdo prej jush që, duke e konsideruar këtë portal si tuajin, të kontribuoni me shkrime tuajat, në përputhje me rubrikat e paracaktuara në përmbajtjen e tij.
Veç kësaj, ata që zhvillojnë aktivitete biznesore, mund të përfitojnë nga mundësia e reklamimit të shërbimeve e produkteve të tyre brenda këtij portali, për të shpërndarë porosinë e tyre në të mirë të biznesit të tyre, por edhe duke e mbështetur, njëkohësisht, mirëmbajtjen e vazhdueshme të kësaj dritareje kulturore, e cila është krijuar dhe do të vazhdojë të zhvillohet në të mirën e diasporës shqiptare.
Në emrin tim e bashkëpunëtorëve të mi, shpreh, me përulësi, mirënjohjen e sinqertë për vlerësimin që keni shprehur, si dhe paraprakisht çmoj gatishmërinë tuaj për t’i qendruar besnikë kësaj faqeje kulturore, brenda të cilës, besoj që do ta gjejë veten secili prej jush, pavarësisht moshës, gjinisë apo profesionit.
Ju falemnderit që po bëheni pjesë e komunitetit që di të çmojë fjalën e lirë e mendjen e ndritur të kombit tonë!
Respekt!/ Ph.D. Dashnim HEBIBI