HelveticALforum me aktorin e njohur të Hollywood-it, Pjetër Malota, ka bashkëpunuar për 15 vjet me Van Damme e shumë të tjerë
Intervistë ekskluzive me aktorin e mirënjohur të Hollywood-it në SHBA, Pjetër Malota
„E kam ushtruar Van Damme-n. Kemi bashkëpunuar për 15 vjet me radhë në tetë filma. Kam qenë koreograf i filmave aksion dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi stërvitur së bashku. Të punosh me Jean Claude Van Damme për më shumë se 15 vjet në 8 filma, më duhet të ju them se është një eksperiencë e jashtëzakonshme“
Ka aktruar në filmat më të mirë aksion. Ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me aktorë botërorë, si p.sh. Van Damme. Është ky Pjetër Malota Lulgjuraj, shqiptari nga Malësia e Madhe, i cili, gjithashtu, ka qenë trajner privat i djalit të ish-presidentit të SHBA-së, Ronald Regan. Thotë se gjatë fundviteve të ‘70-ta ka filluar të angazhohet shumë, duke i parë filma e Bruce Lee-së, duke synuar të arrijë suksese edhe më të mëdha. Ka lexuar shumë dhe ka ushtruar për ta arritur suksesin që e ka dëshiruar dhe e ka ëndërruar.
«Lexoja ditë e natë, punoja në një restorant, kurse në mbrëmje dhe natën shkoja e ushtroja vetë privatisht. Shkoja në klasë, e prej klase në dyqan dhe e merrja një magazinë që ishte për mareshalët dhe gjithmonë në të ishte Bruce Lee, Bruce Lee, Bruce Lee, dhe filloja të lexoja, e pastaj filloja të ëndërroja edhe më fort dhe ndërkohë më kërkuan të shkoja në Hollywood. Por, për të shkuar në Hollywood nuk e dija mirë gjuhën. Nuk kisha mbështetje familjare që të nisem, por vullneti, ëndrra, shpresa edhe guximi më nxitën ta marr këtë rrugë më 1979», shprehet, ndër të tjera, ai. Lulgjuraj shprehet se ka menduar që në rrugë e sipër, siç thotë, që pasi të shkosh nga Malësia 13 vjeç në Amerikë, të ushtrosh 6 vjeç në Detroit, prapë në një qytet me një gjuhë që s’e kupton dhe të shkosh në një vend tjetër, që nuk e di as ku është, kjo ka qenë shumë e vështirë për të. «Prej ‘79 deri më ‘85 janë gjashtë vjet. Në atë kohë u bëra instruktor i karatesë në shkollën e Chuck Norrisit. Ai e kishte një shkollë të mrekullueshme, e unë shkova aty dhe ditë e parë më bën instruktor, sepse i kisha disa merita, e kisha pak eksperiencë dhe u angazhova ditë e natë sesi të bëhesha pjesë e një filmi. Ai instruktori, me të cilin bashkëpunonim, dëshironte ta bënte një film marciar, film aksion dhe unë e mora një pjesë të vogël në të», shprehet ai. Pjetër Malota Lulgjuraj tregon edhe për emrin e tij, të cilin thotë se e ka përshtatur, duke e përfshirë edhe emrin e babait të tij Malota dhe mbiemrin Lulgjuraj. Për të mësuar më shumë për z.Malota, bashkë me të e realizuam një intervistë ekskluzive.
Z.Malota, Ju falënderoj për kohën e rezervuar për këtë intervistë. E ke menduar se një ditë do të jesh në SHBA dhe do të bashkëpunosh me aktorë të njohur?
Ju falënderoj edhe unë shumë juve! Kudo që janë shqiptarët, i përshëndes dhe ju uroj të gjitha të mirat. Pyetjes suaj do t;i përgjigjem shkurt dhe qartë. Kjo pyetje më ka kthyer shumë vite prapa. Kam emigruar në SHBA në vitin 1973. Atëbotë isha 14-vjeçar me kushte shumë të vështira, por me shpresa për një jetë më të lumtur, si çdo njeri. Nuk mund të them se nuk kam dashur që ndonjëherë të merrem me botën e filmit, por se do të jem në Hollywood, jo asnjëherë. Më dukej se është rrugë shumë e gjatë dhe e pamundur. Por, shpresa vdes e fundit. Vetëm me punë arrihen të gjitha. Njeriu nuk duhet të dorëzohet.
Sa vjeçar ishit kur u larguat nga vendlindja?
Vendin e lindjes e kam lëshuar në vitin 1972. Fillimisht arrita në Romë të Italisë, ku ndenja jo më pak se një vit. E dita e parë si mërgimtar nuk ishte edhe e lehtë, e pastaj njeriu bëhet imun, përshtatet, por atdheun nuk e harron për jetë. Jam i lindur në vitin 1959 në Malësi, në veri të Shkodrës.
Mund të na flisni për familjen tuaj, si u bë që u drejtuat për në SHBA?
Po, jeta jonë në fshat ishte shumë e vështirë. Vërtet e rëndë. Kjo vështirësi u shtua edhe më shumë. Kur i kam pasur gjashtë vjet, babai im është ndarë nga jeta. Ne ishim tre vëllezër, nga mosha gjashtë deri në 13 vjeç. Paramendojeni se sa e vështirë ishte të mbetesh pa baba në atë moshë. Vërtet trupi më rrëqethet, e besa edhe loti më del nga sytë dhe shpesh e kujtoj atë moshë kur na la babai. Këtë nuk ia dëshiroj askujt. E, në anën tjetër, nëna ishte e sëmurë, nuk ndihej mirë me shëndet. Pra, kishim jetë të rëndë ekonomike dhe shpirtërore. Atëbotë shumë familje shkonin në Amerikë dhe kështu edhe ne e morëm atë rrugë për një jetë më të mirë. Për atë kohë kam shumë për të thënë, por vërtet nuk më lejon edhe shpirti t’i them shumë fjalë, sepse edhe zemra sikur qan.
Cila ishte ëndrra më e madhe fëmijërore?
Kuptohet se çdo fëmijë i ka ëndrrat e tij. Por, unë në atë moshë doja të jetojmë më mirë. T’i kalojmë këto vështirësi të jetës sonë shumë të rëndë që e kishim. E them sinqerisht, nuk kisha dëshira të tjera, pos të jemi mirë me familjen time dhe të shkonim në Amerikë.
Si e ke menduar në atë kohë SHBA-në?
Kur jemi larguar prej Malësisë, ato ishin momente shumë të rënda, ashtu siç ju thashë edhe më parë. Kam menduar se në Amerikë do të jetë një jetë më e mirë për familjen time, një jetë përrallore. Ashtu edhe ndodhi. Deshi Perëndia, dhe ja tash jam siç është më së miri.
Kush të ndihmoi më shumë për ta filluar në karrierën filmike?
Si fëmijë, doja të jem karateist. Vetë ia nisa. Kështu, në vitin 1974 fillova të ushtroj karate dhe rashë në dashuri me artet marciale. Qëllimi im ishte që të kem suksese. Ushtroja shumë dhe dola i suksesshëm. Në atë kohë ishte në ‘modë’ Bruse Lee. I thosha vetes ta takoj Bruce Lee-në dhe e mora guximin e shkova në Hollywood. Ishte viti 1979. Në atë kohë isha njëzetvjeçar. Paramendo sa kisha elan për punë. Isha përplot me ëndrra dhe shpresë dhe ia arrita.
Në epokën e Bruce Lee-së, në vitet e ‘70-ta, ju e morët edhe rripin e zi në karate?
Po, ashtu është. Në Hollywood nisa të punoja si instruktor i karatesë. Në vitin 1982 ishte një edicion për karateistë për të marrë pjesë në film. Aty filluan ditët e bardha, ditët e suksesit. Në atë edicion morën pjesë shumë sportistë, afërsisht 200. Aty ishte dhe Jean Claude Van Damme. Menjëherë u shoqërova me të dhe i tregova se jam shqiptar. Ai më tregoi se ishte nga Belgjika dhe përnjëherë bëmë shoqëri vëllazërore. Në atë projekt, Van Damme ishte drejtor filmi.
Sa vjet ke punuar me Van Damme?
Van Damme është një punëtor i madh, shkurt – një artist i merituar. Shumë i sjellshëm. E kam ushtruar Van Damme-n. Kemi bashkëpunuar për 15 vjet me radhë në tetë filma. Kam qenë koreograf i filmave aksion dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi stërvitur së bashku. Të punosh me Jean Claude Van Damme për më shumë se 15 vjet në 8 filma, më duhet të ju them se është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Në vitet e ‘90-ta ai ishte ylli numër një në filmat aksion dhe të isha në gjendje të punoja dhe ta ndihmoja në realizimin e tyre. Ishte punë e mahnitshme. Statusi që unë e fitova nga bashkëpunimi me të ishte një shpërblim i madh. Ndihesha shumë krenar. Kështu që puna me të ishte sikur të punoja me vëllanë tim. Dhe, po, ai ishte personi i cili më futi mua në Hollywood. Dhe, edhe sot i them – Faleminderit!
Si është Van Damme prapa kamerave?
Është shumë i thjeshtë, e thashë edhe më herët. Është vërtet mik i mirë. Ai ka respekt për ne shqiptarët. Është shumë i saktë dhe punëtor i pandalshëm. Në filmin «The Quest» mora pjesë si aktor filmi. Ishte një turnir në karate me karakter botëror dhe me dëshirë e mora dhe e vendosa flamurin kombëtar. Qëllimi ishte t’i tregoja botës se jam shqiptar dhe se e kemi një histori të pastër kombëtare, por që kemi përjetuar shumë vuajtje, madje edhe tragjike. Këtë jam përpjekur t’ia them çdokujt që e takoja në SHBA, edhe aktorëve të mëdhenj e regjisorëve të mirënjohur.
Është thënë se e keni ushtruar Van Damme-n. Cili është komenti juaj?
Po, ashtu është. E kam ushtruar, siç ju thashë edhe më lart. Ju kujtohet njëri nga filmat që e kemi bërë bashkë, ku unë kam humbur nga Van Damme, kurse ai e fiton luftën në film. Pra, filmi është film.
A mbani kontakte me Van Damme-n?
Po, kam takime të shpeshta. Por, ka nja dhjetë vjet që ai banon në Hong-Kong. Kjo është jeta, por miqësia jonë ka mbetur dhe nuk harrohet.
E keni ushtruar djalin e ish-presidentit të SHBA-së, Ron (Ronald) Regan?
Si karateist, pra meqë jam instruktor, kam pasur mundësi ta ushtroja studentin, që ishte djali i presidentit të Amerikës, Ron Regan. E në atë kohë, baba i tij ishte në Shtëpinë e Bardhë. Ushtrimet i bëja në Los Anxhelos. Ishin vitet 1984-1987 dhe flitnim edhe për Kosovën, për gjendjen atje. Atëbotë ishte kohë shumë vështirë, shumë e rëndë.
Keni folur me të për shqiptarët?
Po. Kryesorja ishte që ai të ushtronte mirë, të dilte si duhet me profesionin e tij, me të cilin donte të merrej në të ardhmen. Por, natyrisht, kemi folur edhe për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi, e nuk e kam përjashtuar edhe pjesë të jetës sime kur kemi pasur vështirësi të ndryshme dhe si popull që kemi plot probleme.
Si e ke përjetuar luftën në Kosovë?
Shumë rëndë. Kishim shumë mall në atë gjendje të rëndë që e përjetonte Kosova.
E keni vizituar Kosovën në vitin 1999?
Për herë të parë kam qenë në Kosovë në vitin 1999, në muajin nëntor. Ishte një udhëtim i shkurtër, mirëpo e kam kaluar një kohë të mrekullueshme atje. Jam shumë i lumtur që Kosova më në fund e ka fituar pavarësinë e saj dhe ka nisur rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Nëse do të vish përsëri në Kosovë, cilin vend do ta vizitoje?
Të gjitha. Nuk do ta kisha përjashtuar asnjë qytet.
Kishe pranuar të luash apo të punosh në realizimin e një filmi për luftën në Kosovë?
Po!
Pse sipas jush, ne shqiptarët nuk po kemi në grup suksese, bie fjala në futboll, basketboll, por vetëm në sportet luftarake?
Siç dihet, shqiptarët arrijnë shumë suksese nëpër gjithë botën, në shumë drejtime, ndërsa sa u përket sporteve luftarake, ne shqiptarët i kemi në gjak, prandaj gjithmonë jemi të suksesshëm. E, keni të drejtë kur thoni se si kolektiv na mungon suksesi, por do të vijë edhe ai sukses.
Cili ushqim nga kuzhina jonë shqiptare të pëlqen më së tepërmi?
Të gjitha ushqimet tona i kam preferuara. Kemi kuzhinë të pasur.
Në shtëpinë tuaj flisni shqip, apo…?
Në familjen time gjithmonë është folur gjuha amtare dhe do të flitet edhe në të ardhmen. Gjuha jonë është shumë e ëmbël dhe e flasim me shumë krenari.
Planet tuaja për një të ardhme të shpejtë?
Kam disa plane, por nuk mund t’i shpalosi, sepse nuk i dihet. Për nga natyra jam tip që punoj dhe nuk dua të bëj shumë zhurmë. Vetëm me punë arrihen të gjitha synimet, jo me fjalë të kota. Nuk e kam zotësinë e fjalëve boshe. Kohëve të fundit kam nisur ta zhvilloj një hobi të ri – lojën e golfit.
Mendon që të mbeteni përgjithmonë në Amerikë?
Nuk e di. Këtë punë po ia lë fatit. Kam qenë shumë i bekuar, meqë e kam shëtitur botën. Kam arritur nivelet më të larta në artet marciale, kam punuar në më tepër se 26 filma hollivudianë. Jam shumë i kënaqur. Tani e tutje më mbetet t’i përkushtohem dhe ta dua familjen time si vazhdimisht, si dhe ta dua dhe ta bëj gjithmonë krenare Shqipërinë time.
Dy fjalë:
Ai është i njohur më së shumti për filmat e tij bashkë me yllin e filmave aksion në Hollywood, Jean Claude Van Damme, si në “Double Impact”, “The Quest” dhe “The Order”. Mirëpo, çfarë të tjerët nuk dinë për të, përveç faktit që është një ndër shqiptarët e parë që e ka thyer akullin për të luajtur në Hollywood, është se ai është edhe mjeshtër i arteve parciale. Ai e ka stërvitur madje djalin e ish-presidentit, Ronald Regan, e deri më tani ka qenë koordinator i më shumë se 26 filmave aksion./ Intervistoi: Dashnim HEBIBI