Akademik Shkurtaj: Gjuha ruhet atje ku flitet
Akademik Shkurtaj tregon “plagët” që e mundojnë gjuhën tonë amtare, si dhe propozon zgjidhje për t’i mënjanuar gabimet që bëhen në gjuhën shqipe, e pa dyshim edhe për shumë tema të tjera interesante, sidomos për ne mërgimtarët që jetojmë dhe veprojmë në vend të huaj. Për më shumë, do të mësoni në këtë bashkëbisedim. Gjuha shqipe po përballet me probleme mjaft të mëdha, me shtrembërime që nuk vijnë vetëm nga njerëzit e thjeshtë apo të paarsimuar, por edhe nga vetë zyrtarët e lartë shtetërorë. Alarmin e jep akademiku Gjovalin Shkurtarj, gjuhëtari i njohur në fushën e gjuhës. Sipas tij, gabime, përveçse drejtshkrimore, shkojnë deri atje sa të jenë edhe konceptuale. Por, ndërkohë që shqiptarët e shtrembërojnë gjuhën, sepse u duket modernizim të përdorësh fjalë të huaja, apo të flasësh me shkurtime krejt të panevojshme, shqiptarët e trojeve jashtë kufijve e kanë ruajtur gjuhën, edhe pse janë gjendur në situata të pavaforshme.
Profesor Shkurtaj, Ju falënderoj për këtë bashkëbisedim. Siç dihet, me valën e madhe të emigracionit që e përfshiu Shqipërinë pas kthesës politike në vitet ‘90 u bënë aktuale edhe problemet e emigracionit në shoqërinë shqiptare. Në Kosovë, Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, Mal të Zi e Maqedoni, këto probleme ishin shfaqur që në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kur shumë individë dhe familje u shpërngulën me forcë nga trojet e tyre, ose emigruan në Evropën Perëndimore për një jetë më të mirë. Problemi kryesor i një popullsie të emigruar është raporti me gjuhën e saj amtare. Se sa është punuar nga shteti shqiptar për gjuhën, dihet deri diku, por na thoni, a është kërkuar nga Ju studiuesit që të bëhet më shumë për gjuhën shqipe drejt emigracionit?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Pyetja Juaj, zoti Dashnim, lidhet me një dukuri të hershme e të pandërprerë, me emigracionin e shqiptarëve në dhe të huaj. Është kjo një shpërngulje etnike e gjuhësore, që ka nisur qysh në mugëtirën e shekujve me stratiotët, luftëtarë arbër të paguar, që shkonin mbas shpatës e zulmës në Italinë fqinje e gjetkë në Evropë, por që do të vijonte ndër shekuj me mërgatat e mëdha të arbërve drejt Greqisë, ku do të bëheshin “arvanitas”, pastaj drejt Italisë, ku shumë syresh u tretën, por edhe një sasi e madhe mbetën në Italinë e Jugut e në Sicili, si “arbëreshë”; kështu edhe mërgime të tjera, herë më masive, herë më të vogla, si arbneshët në Zarë të Dalmacisë, “arnautët” në Mandricë e gjetkë në hapësira të Bullgarisë, deri në Velikotërnovo, “arnautët” a shqiptarët e Ukrainës dhe aq shumë arnautë të tjerë në Turqi e gjetkë, si në Misir, Konstancë etj., deri te eksodet masive të shqiptarëve në vitet e ’90-ta të shekullit XX, të cilat do t’i shtoheshin si një shtresë e re Diasporës së hershme arbëreshe e arbërore në krejt Evropën, por edhe në Amerikë, Kanada, Australi etj.
Tradita e bukur e shqiptarëve në dhe të huaj për të mos i shkëputur lidhjet e gjakut e të gjuhës me vendin e të parëve ka dhënë fryte të mira në rrjedhat historike të shqiptarëve e të Shqipërisë. Mjafton të përmendim, ndër të tjera, ndihmesat e vyera atdhetare të shqiptarëve të Stambollit (Turqi), të Bukureshtit (Rumani) etj., qoftë për alfabetin e shqipes (1908), qoftë edhe në mbështetje të realizimit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912) etj. Ajo hulli e mbarë do të ishte gjë shumë e bukur të vazhdonte edhe sot në të gjitha vendet ku shtrihet Diaspora shqiptare. Në shumë vende të Evropës ngulimet e reja shqiptare kanë vepruar dhe po përpiqen për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe dhe për ta vlerësuar kulturën shqiptare tekdo ndodhen. Kështu në Zvicër, po ashtu edhe në Suedi, në Norvegji dhe në vende të tjera, pa dyshim edhe në Greqi, Itali, Gjermani, Austri etj. Në qoftë se këtu e 12 vjet më parë ishte një befasi e këndshme që një studim doktorature i kushtohej Diasporës shqiptare në Zvicër dhe gjendjes së gjuhës shqipe e kontaktit të saj me gjermanishten në kantonet e Zvicrës gjermanofone, për hir të një ndihmese aq të thelluar të paraqitur nga dr. Basil Schader, kur e mbrojti doktoraturën në Universitetin tonë të Tiranës, si dhe njohja me veprimtarinë e LAPSH-së “Naim Frashëri”, tashmë duhet të themi se kjo lloj përnjohjeje nuk është më aq befasi, as e rrallë. Prej botimeve të kohëve të fundit, si në letër, ashtu edhe të librave e publikimeve “on-line”, del se Evropa dhe bota kanë edhe LAPSH-a të tjera, si p.sh. në Suedi. Kam lexuar me kënaqësi të dhëna mjaft interesante për shqiptarët e Suedisë në librin e Ramadan Rushitit me titull “Shkolla shqipe në Suedi”, ku thuhet se atje, “edhe pse tash për tash nuk ka të dhëna të sakta për numrin e shqiptarëve, asociacionet e organizuara shqiptare këtu vlerësojnë se në Suedi aktualisht janë të vendosur rreth 45 000 shqiptarë. Ata janë kryesisht nga Kosova”. Aty flitet edhe për gjendjen e kësaj diaspore shqiptare në Suedi, po edhe për përpjekjet e ndihmesat e realizuara për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe. Po përmend gjithashtu se edhe prof. Murat Gecaj dhe shkrimtari Viron Kona kanë botuar kohëve të fundit disa artikuj e libra që flasin pikërisht për shqiptarët e Borasit të Suedisë, të cilët, sikundër e thotë bukur edhe titulli i njërit prej atyre librave, rrojnë “Me zemër në vendlindje”. Edhe në Boras të Suedisë ka më se pesë vjet që është themeluar dhe vepron Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe del revista “Dituria” dhe Radio “Dituria”. Edhe atje, për habinë e mbarë botës dhe gëzimin e shqiptarëve e të shqiptarisë, është edhe një albanolog i shquar, si Ulmas Kviku, i cili me librat e tij për Shqipërinë dhe përkthimet e letërsisë shqiptare në suedisht jep ndihmesa të vyera e të pavdira për t’u dalë zot ruajtjes së gjuhës shqipe e vlerave etnokulturore të shqiptarëve në dhe të huaj.
Pra, gjithandej ka përpjekje dhe kjo është punë e lëvdueshme dhe që meriton, jo vetëm të bëhet e njohur, por edhe të nxiten organet dhe fondacionet që kanë mundësi edhe t’i përkrahin financiarisht nismat gjuhëruajtëse e kulturëdashëse të shqiptarëve në dhe të huaj.
Kush do ta mbajë fajin nëse gjuha shqipe në emigrim flitet gjysmake nga brezi i ri, që po lind dhe edukohet në ato shtete?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Zoti Dashnim, thonë se faji është gjithmonë jetim. Askush nuk i del për zot fajit…, por e mira do të ishte që ndaj shqipes e shqiptarisë të mos bëjmë as faje, as gabime. Gjithë bota e qytetëruar, të gjitha kombet e mëdha interesohen dhe kontribuojnë për ta mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre edhe në diasporat e krijuara në vende të tjera. Kështu bëjnë francezët për frakofoninë, italianët me institutet e kulturës italiane kudo në botë, e me radhë. Natyrisht, vende e kombe të vogla si Shqipëria e Kosova kanë më pak mundësi e mjete, por, sidoqoftë, duhet vepruar me aq sa është e mundshme. Natyrisht, sot diasporat shqiptare janë të shpërndara në shumë vende të botës. Në disa shkrime dhe sidomos në librat e mi “Ligjërimet arbëreshe” dhe “Sociolingustikë e shqipes”, “Kundrime gjuhësore”, duke mëtuar të jepja një pamje të hapësirave tashmë tepër të shtrira të mërgatës së hershme e të re shqiptare në botë, shtroja pyetjen: “Ku janë sot shqiptarët?” dhe jepja, si fillim, një përgjigje me pyetjen retorike: “Ku nuk janë sot shqiptarët?!”. Dhe, sigurisht, kam dhënë edhe shpjegime e pamje të mbështetura, kryesisht në literaturën mirëfilli historike ose sociolinguistike. Pra, në atë shtrirje tashmë botërore të diasporave shqiptare në dhe të huaj, kuptohet se nuk është dhe, sigurisht, edhe më tej, nuk do të jetë e lehtë të mbahen të gjalla gjuha shqipe e kultura shqiptare. Kjo, jo vetëm nga mungesa e dëshirës, por edhe nga pamundësia e mërgimtarëve për të gjetur forca e mjete për shkolla, kurse gjuhe, apo për veprimtari kulturore në gjuhën e vet amtare.
Binomi i njohur “gjuha e bukës” dhe “gjuha e zemrës” do t’i shoqërojë edhe për shumë kohë mërgimtarët shqiptarë. Shembulli i Zvicrës, i Suedisë etj. tregon se nismat e puna e palodhshme e veprimtarëve dhe arsimtarëve shqiptarë mund të sjellë suksese. Ai model pune, pavarësisht se mund të mos jetë i përsosur, sidoqoftë mendoj se duhet vlerësuar, nxitur e përkrahur edhe më tej.
A duhet “luftuar” kundër atyre që i kanë në duar mundësitë për të bërë më shumë për këtë fenomen, apo të qëndrojmë në heshtje?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Patjetër që duhet punuar, madje me përkushtim e duke “trokitur” në të gjitha dyert e mundshme dhe duhet kërkuar mbështetje e ndihmë. Do të ishte mirë që vetë prindërit shqiptarë të ndajnë më shumë mjete dhe, qoftë edhe duke sakrifikuar, të mbështetin shkollat e kurset plotësuese të gjuhës shqipe, të ndjekin edhe në mënyrë virtuale botimet në gjuhën shqipe, të marrin pjesë në mbledhjet a tubimet kulturore të bashkatdhetarëve etj.
Natyrisht edhe përfaqësitë diplomatike (ambasadat a konsullatat shqiptare, si të Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës), me aq sa ua lejon buxheti, do të ishte mirë të ndihmojnë për gjuhën shqipe, duke e mbajtur të ndezur kërkesën dhe dëshirën e shqiptarëve për të mbetur të tillë edhe në botën e jashtme.
E keni parë edhe Ju vetë sigurisht kudo që keni prezantuar, më lehtë nga të rinjtë flitet në gjuhën ku jetojnë se sa në gjuhën shqipe?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Në gjuhësinë teorike dhe sidomos në sociolinguistikë, gjuhët shpesh krahasohen me ujërat që rrjedhin. Pra, është edhe e natyrshme që sot e në rrjedhë të viteve që do të vijnë shqipja e grupeve të vogla të shqiptarëve në dhe të huaj, është si rrjedhat e vogla në një det të madh, i cili i përfshin dhe i merr me vete. Fëmijët shqiptarë, në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë, shkojnë në shkolla ku mësimi bëhet në gjuhët e huaja përkatëse. Po edhe domosdoshmëria për ta përballuar jetën atje i detyron t’i nxënë sa më mirë gjuhët e huaja. Kështu, dalëngadalë, po të mos ketë kurse a shkolla plotësuese të shqipes, si dhe kur në shtëpi nuk flitet më në gjuhën shqipe, atëherë kuptohet se shqipja dhe kultura shqiptare do të shkojnë drejt rrudhjes.
Sipas jush, pse shkolla plotësuese shqipe në Zvicër, por edhe në shtetet tjera të Diasporës, nuk është në rrugën e duhur, pra që të kemi më shumë fëmijë shqiptarë që ta ndjekin mësimin shqip, kur, p.sh. shteti zviceran ua ka mundësuar të gjitha kushtet, pa asnjë lekë, për ta mësuar shqipen?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Kësaj pyetjeje nuk besoj se mund t’i përgjigjem me ndonjë gjë të re, përpos atyre që dihen nga sa kanë shkruar disa njohës të mirë të situatës së sotme në Zvicër. Prej vitesh kam bashkëpunuar me zotin Basil Schader, i cili është edhe autor i shumë studimeve psiko-pedagogjike e sociolinguistike për shqipen e Diasporës shqiptare në Zvicër. Po përmend doktoraturën e tij me titull “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit ndërmjet shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër”, Tiranë, Shtëpia Botuese “Kristalina- KH”, Tiranë, 2005. Në këtë cilësi, prof. dr. Basil Schader e ka nxënë gjuhën shqipe në nivel të shkëlqyeshëm, si dhe ka hartuar e botuar shumë libra shkencorë e mësimorë, ndër të cilët disa janë në gjuhën shqipe e për t’u ardhur në ndihmë bijve e bijave të mërgimtarëve shqiptarë të Diasporës më të re në Zvicër. Studimet dhe hulumtimet sociolinguistike dhe didaktike të prof. Schaderit janë përqendruar kryesisht rreth shqipes si gjuhë në kontakt me gjermanishten e dialektet e saj në Zvicrën gjermanofone. Edhe sivjet në muajin qershor, prof. Schaderi dhe veprimtarët e Zvicrës organizuan një konferencë shkencore me pjesëmarrje të gjerë të arsimtarëve shqiptarë, por edhe me të ftuar nga Kosova e Shqipëria. Pra, mendoj se atje bëhet një punë mjaft e vlefshme. Rreth asaj pune ka pasur edhe shkrime e artikuj të ndryshëm në organet e shtypit shqiptar, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë e gjetkë. Po përmend, ndër të tjerë, një shkrim të gjatë e të bukur të gazetarit Fran Gjoka rreth veprimtarisë dhe ndihmesave të prof. Basil Schaderit në Zvicër. Po ashtu, jam në dijeni të punës së kujdesshme që bëjnë atje edhe arsimtarë të angazhuar në mësimin plotësues, si Nexhat Maloku, Nexhmije Mehmeti e shumë të tjerë. Edhe në Austri ka sprova për të vepruar sipas mundësive për mësimin plotësues të shqipes. Po përmend, p.sh. përpjekjet e zonjës Miradije Berishaj, e cila edhe ka filluar të merret me studimin problemeve didaktike e teorike të shqipes në mjedisin austriak. Uroj që veprimtarë të tillë të kenë edhe më tej suksese.
Sa do të ishte e mirë dhe a do të mund të ndihmohet nga studiuesit shqiptarë shkolla plotësuese shqipe në Diasporë?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Me sa di unë, ka pasur dhe ka projekte shtetërore të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës për ta ndihmuar e mbështetur arsimin plotësues të shqipes në Diasporën shqiptare. Botimi librave për shkollat shqipe, jo vetëm i abetareve, por edhe i librave të tjerë, studimorë e letrarë, duhet të vazhdojë. Sigurisht këtu ka edhe veprimtari të tjera, si panairet e librit etj., që, sidoqoftë, një farë ndihmese e kanë sjellë dhe sa më shumë të bëhen, aq më mirë do të jetë për kulturën shqiptare.
Gjuha shqipe dhe vlera e saj në edukimin e fëmijëve të emigrantëve?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Studimet e psikolinguistëve dhe të sociolinguistëve tregojnë dygjuhësinë, apo të nxënit e gjuhës së huaj, pa e humbur gjuhën e vet amtare. Te fëmijët normalë dhe në situata jokonfliktuale të dygjuhësisë, bilingualiteti paraqet të gjitha përfitimet: ai lejon një rrokje të shpejtë dhe të kënaqshme të dy gjuhëve në të njëjtën mënyrë, si dhe të dy sistemeve kulturore e të qytetërimeve dhe i çel fëmijës një hapësirë të gjerë. Situata e dygjuhësisë familjare është, mbase, më e lumtura, sepse është më e natyrshme dhe që shfrytëzon në shkallën më të lartë e me përfitim situatat biogjenetike të privilegjuara të përvetësimit të gjuhës.
Keni miqësi të mirë me dr. Basil Schader, profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Kantonit të Cyrihut (Zvicër), ku ai e udhëheq degën “gjermanishtja si gjuhë e dytë”. Ai është anëtar i disa komisioneve lëndore dhe drejtues i projekteve arsimore-shkencore për gjuhën e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër. Cili është bashkëpunimi Juaj në këtë drejtim?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Zoti Basil Schader është tashmë i mirënjohur në Shqipëri e në Kosovë. Ai është, ndër të tjera, edhe Qytetar Nderi i Balldrenit të Lezhës, personalitet i dalluar për përkushtimin dhe dashamirësinë e tij ndaj shqiptarëve e gjuhës shqipe në Zvicër. Kam pasur rastin ta kem drejtuar edhe në studimin e tij të doktoraturës, por, mbi të gjitha, e vlerësoj për ndihmesat e shumta e të vyeshme që ka dhënë me studimet, konferencat shkencore dhe me librat që ka botuar për gjuhën shqipe në Zvicër.
Profesor, shumë prindër që duan t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe, arsyetohen se nëse fëmijët e tyre shkojnë për të mësuar në shkollën shqipe, atëherë do të jenë më të dobët dhe të ngarkuar për mësimin e shkollës në atë shtet ku jetojnë. Cili do të ishte komenti juaj?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: E theksova edhe më lart. Deri vonë ka ekzistuar një mendim apo opinion shkencor, sipas të cilit është më mirë që fëmija në moshë të njomë të mos lejohet të ndërmarrë mësimin e një gjuhe të dytë, derisa të folurit në gjuhën amtare të jetë stabilizuar mirë. Për këtë arsye, shpesh, në bashkësi gjuhësore të përziera, elita e tyre, pavarësisht se mund t’i përkasë edhe bashkësisë ku gjuha e parë amtare është ajo e binomit të dygjuhësisë (p.sh. shqip-italisht, shqip-greqisht etj.), u mësojnë fëmijëve vetëm gjuhën më të favorizuar (përkatësisht italishten apo greqishten etj.) nga frika se mos dygjuhësia do t’i pengojë në rezultatet shkollore etj. Studimet më të reja pedagogjike dhe psikologjike e gjuhësore kanë treguar se fëmija ka zotësi të madhe për të ndërtuar empirikisht, nëpërmjet marrëdhënieve me anëtarët e bashkësisë së saj, shprehi gjuhësore bi-ose plurivalente, falë së cilës fiton një zotërim të dy-ose shumëfishtë të sistemeve gjuhësore, me kusht që ky përvetësim të jetë në një mjedis që nuk nxit konflikte personale. Pra, asnjë pengesë nuk do të ketë fëmija në shkollën ku e mëson gjuhën e huaj të vendit, nëse në shtëpi do të flasë shqip. Mjafton që kjo të jetë një gjë e njohur, e pranuar dhe e lejuar, si nga shkolla, ashtu edhe nga familja.
Cili do të ishte mesazhi Juaj për ata prindër që komunikimin me fëmijët e tyre e bëjnë shpesh në gjuhën e vendit ku jetojnë?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Para se të shpreh mesazhin tim, më duhet të theksoj se Diaspora ndodhet në kushte të dygjuhësisë. Kjo lloj dygjuhësie karakterizohet nga fakti se fëmija duhet të përballojë jashtë mjedisit familjar, përgjithësisht njëgjuhësh (monoling), një gjuhë të ndryshme, që nuk e flasin medoemos prindërit e tij, ose e flasin keq. Ky tip i dygjuhësisë aktualisht ka prirje të zhvillohet e të përhapet shumë në vendet e pasura si pasojë e dyndjes së punëtorëve të krahut nga vise të huaja. Me interes do të jetë, në studimet sociolingistike, shqyrtimi e studimi sa më konkret i situatës dhe i shfaqjeve konkrete të dygjuhësisë së emigracionit arvanit, arbëresh dhe i emigracioneve më të reja shqiptare në dhe të huaj, si në Bullgari (fshati Mandrica e ndonjë tjetër), në Zarë (Dalmaci), në Ukrainë (Rusi), në Gjermani, Suedi, në SHBA, në Kanada, në Australi etj. Pra, shkurt, mund të them se gjuha ruhet atje ku flitet në grupet shoqërore dhe në familje, po edhe kur ajo shkruhet. Kështu, edhe mesazhi im është i thjeshtë: sa më shumë punë e përpjekje për ta folur shqipen në shtëpi e në mjediset shqiptare, po edhe përpjekje të palodhshme për ta shkruar gjuhën shqipe, krahas gjuhëve zyrtare të vendeve ku rrojnë e punojnë sot shqiptarët.
Mendoni se mërgata po harrohet nga atdheu?
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Mendoj se jo. Kanë kaluar më shumë se pesëqind vjet qysh kur janë mërguar arbëreshët në Itali e në Greqi, por gjuhën shqipe e kanë ruajtur mjaft mirë deri në ditët tona. Shembulli i tyre na jep shpresë së edhe Diaspora më e re shqiptare në botë do të rrojë kurdoherë me kujtimet dhe me Shqipërinë në zemër e në sy.
Profesor, sigurisht, se do të doja edhe shumë pyetje të tjera të Jua parashtroj, por e di se e keni kohën e kufizuar, por shpresoj shumë që kjo intervistë sado kudo do të na shërbeje të gjithë neve që jetojmë në mërgim. Të falënderojmë shumë!
Akademik Gjovalin Shkurtaj: Ju lutem, ishte kënaqësi që bashkëbiseduam. Punë të mbarë dhe gjithë të mirat, e të fala andej mërgimtarëve. ( Intervistoi, Dashnim HEBIBI. Intervista është aktuale edhe sot, edhe pse është realizuar para disa viteve).