Nga PhD. Dashnim HEBIBI
Sa e mirë aq edhe e bezdisshme, mënyra se si po kërkohet vota e diasporës nga disa, kur dihet se asgjë nuk kanë bërë për diasporën. Diasporën i drejtohen vetëm atëherë kur i duhet të japë edhe të sakrifikojë shumë nga familja për të mbështetur projekte nacionale apo bashkëkombës.
Nuk është më ajo diasporë kur një punonte dhe të tjerët rrinin. Ajo diasporë që në një dhomë kanë fjetur nga 5 e më shumë persona, që kanë ngrënë një herë në ditë për të kursyer, që ta ndihmojnë familjen dhe proceset e kohës në atdhe. A jemi me vonesë për ta ndihmuar diasporën? Diaspora ka pasur e ka nevojë për atdheun. Shumë drejtime kanë mbetur pa u zgjidhur.
Diaspora është e përçarë dhe animi politik, padyshim se po e ushqen përçarjen. Sikur po harrojmë se gjeneratat e reja të mërgatës nuk do të kenë interes për të investuar në atdhe, kur i kanë parë prindërit e tyre të zhgënjyer. Dy javë në Kosovë, fjala bie, në pushim, pa rrymë, me plot probleme e përbuzje, aq sa edhe nëpër disa mediume tregonin markat e veturave, kinse po parkohen gabim, kur është vet tollovi edhe pa mërgatën me infrastrukturë, e cila lë shumë për të dëshiruar. Shkon te mjeku, nuk ka parking, shkon te një shitore, nuk ka parking, etj.
Duhen ekspertë të fushave!
Duhet të aktivizohet diaspora jonë!
Jo vetëm në zgjedhje të mendohet se ajo ekziston. Tek e fundit, nuk jemi njerëz të tjerë. Biletat e aeroplanëve me çmime stratosferike, sidomos në festa.
Nuk e di çka po i servohet diasporës që të votohet një parti e caktuar, konkretisht deputetët e saj?
A po e humbim diasporën?
Të mendojmë pas 10 viteve! Vetëm 100.000 janë regjistruar nga diaspora, kur dihet se numri është shumë më i madh. Nuk bëhen hulumtime për të gjetur intelektualë të formësuar në diasporë, por i afrohen disave, sa për të fituar vota. Shihet se nuk është pyetje veprimi, por masa e votave dhe në fund, mund të mbetet pa ulësen e deputetit. Nuk është ajo mendje e mërgatës së mëhershme. Po ndryshon mentaliteti. Kemi një diasporë shumë të fuqishme, nga e cila, padyshim se do të përfitonte atdheu, nëse do të gjendeshin module veprimi për ata.
Nga ajo që shihet, diaspora shqiptare, sidomos ajo e Evropës është e zhgënjyer. Shpresojmë se do të vijnë ditë të mira! Megjthate, duhet votuar! Të votojmë me shumë kujdes për të mirën e Kosovës, për meritorët! Urime na qoftë e festofshim së bashku në suksese!
helveticALforum