Kirurgët në Londër kanë arritur të rivendosin shqisat e nuhatjes dhe shijes tek pacientët që patën efekte afatgjata pas kontraktimit të virusit Covid-19, duke përdorur një teknikë pioniere të quajtur septorinoplastika funksionale.
Kirurgjia, e cila “shkakton” rikuperimin e shqisës së nuhatjes tek pacientët që e kanë humbur atë si pasojë e kontraktimit të COVID, zgjeron rrugët e frymëmarrjes së hundës për të inkurajuar shërimin e tyre, raportoi sot Guardian. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 6 në çdo 100 njerëz që kontraktohen me Covid-19 kanë simptoma afatgjata të sëmundjes dhe humbja e nuhatjes dhe shijes janë ndër më shumë se 200 simptoma të ndryshme të raportuara nga njerëzit me Covid-19 afatgjatë.
Kirurgët në Spitalin e Kolegjit Universitar në Londër kanë përdorur një metodë të re për të trajtuar një duzinë pacientësh, secili prej të cilëve pësoi humbje afatgjatë të nuhatjes pas kontraktimit me Covid.
Të gjithë e kishin pasur problemin për më shumë se dy vjet dhe trajtimet e tjera, si kortikosteroidet, kishin dështuar.
Profesor Peter Andrews, një kirurg konsulent i lartë në rinologji dhe kirurgji plastike të fytyrës, i cili udhëhoqi hulumtimin, tha se operacioni zgjeroi rrugët e frymëmarrjes me rreth 30 për qind, kështu që fluksi i ajrit u rrit me të njëjtën përqindje, duke çuar në kthimin e shqisës së nuhatjes, njofton euronewsal.