Intervistë ekskluzive me Klevis Imerin, i cili po studjon në Budapest të Hungarisë
“Vitin e kaluar, unë e kam prezantuar BME-në në garat e programimit për universitetet. Garat janë mbajtur në Lubjanë të Sllovenisë, mirëpritja ka qenë shumë e mirë. Këtë mundësi e fitova pasi grupi jonë prej tre personave morri vendin e dytë për universitetin tonë në garat e programimit në Hungari. Kjo, mund të them, ishte edhe një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua“, na tha ndër të tjera, Klevisi.
Për momentin je në Budapest dhe je duke studjuar. A mund ti njoftosh lexuesit tanë se çka po studjon? Në cilin vit të studimeve je?
Fillimisht, më lejoni që ti përshëndes të gjithë ndjekësit dhe lexuesit e portalit tuaj (HelveticAlForum), duke ju përgëzuar edhe juve për punën që jeni duke bërë me këtë portal. Po, vërtetë, unë jam duke studjuar në Budapest. Këtë e bëj që nga viti 2022 në Universitetin e Teknologjisë dhe Ekonomisë – BME. Më konkretisht, studjoj në Fakultetin Inxhinierisë Elektrike dhe Informatikës, në degën e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierike. Për momentin jam duke ndjekur vitin e tretë ose në semestrin e pestë.
Pse e zgjodhe Budapestin për të studjuar?
Vërtetë jam i pasionuar pas shkencave, prandaj, duke shikuar programin, të arriturat shkencore dhe mundësitë që ofronin për studentet e huaj, BME-ja ishte opsion adekuat që përmbushte kërkesën time për të studjuar në një universitet të Evropës. Kishte arritje të mëdha në fushën e shkencave, prej teoremave të njohura në fushën e matematikës që mbajnë emrat e profesorëve, të cilët kanë studjuar e dhënë mësim në këtë fakultet, deri te çmimet e panumërta, duke përfshirë edhe çmime Nobel në fushat e fizikës e kimisë. Arrita të fitoja bursën 100% nga shteti Hungarez, për të cilën, natyrisht se jam shumë mirënjohës.
Është afër vendlindjes. “Ndjej veten një shqiptar që përmbushem nga prejardhja e prindërve të mi, të cilët janë arsimuar në fushën e Inxhinierisë në Universitetin Politeknik të Tiranës, mirëpo lufta e viteve ‘98-’99 që u zhvillua në Kosovë, bëri që ata të zhvillonin jetën e tyre në Prishtinë”.
Je nga Fshati Raincë e Preshevës, nip Shqipërie, nga prindër të arsimuar. Padyshim se kjo ishte një ndihmë e madhe për ty që të ngritesh lart e më lart.
Po, origjina ime është paksa e pazakontë, bazuar në rrethanat tona historike. Unë jam lindur në Prishtinë, në vitin 2004. Babai me origjinë nga Rainca e Preshevës dhe nëna nga Fieri. Natyrisht se e ndjej veten një shqiptar që përmbushem nga prejardhja e prindërve të mi, të cilët janë arsimuar në fushën e Inxhinierisë në Universitetin Politeknik të Tiranës, mirëpo lufta e viteve ‘98-’99 që u zhvillua në Kosovë, bëri që ata të zhvillonin jetën e tyre në Prishtinë. Pa dyshim se arsimimi i tyre ka ndikuar në formësimin dhe edukimin tim. Për këtë jam tejet falenderues ndaj tyre.
Si po të shkojnë studimet?
Në studime përpiqem të jem i shkëlqyer. Të them të vërtetën, unë mundohem sa më shumë të grumbulloj dije prej këtij vendi. Çdo semestër, sa herë shoh që kam kohë, i marrë edhe disa lëndë shkencore më shumë. Zakonisht, këto janë të niveleve pak më të larta dhe kanë shumë material shkencor që më sfidojnë mjaft shumë. Semestrin e kaluar e kisha një lëndë të PHD-së (Analizën e Matricave) që më mori më shumë se 3 javë. Çdo ditë nga 10-12 orë përgatitesha për testin final. Përpos asaj, unë shkoj edhe në klubin e garave të programimit në fakultet. Më duhet të përmend këtu që shpesh hyj nëpër ligjerata, në të cilat nuk jam i regjistruar. Zakonisht ato të matematikës. Orari im është shumë i thjeshtë. Unë zgjohem në mëngjes në orën 07:00 dhe tërë ditën jam në fakultet, deri në orën 18:00. Në shtëpi pushoj pak dhe mësoj deri në orën 23:00. Pra, kështu është një ditë e imja. Nuk është e lehtë, por është kënaqësi të shohësh veten sa ke përparuar në një kohë kaq të shkurtë.
Studimet i ke në gjuhën hungareze apo angleze?
Studimet i zhvilloj, të gjitha, në gjuhën Angleze.
Si po pritesh nga profesorët, duke e ditur se ne shqiptarët kemi pasur historikisht raporte të mira me popullin hungarez?
Nga profesorët pritemi shumë mirë. Ma mirë se sa kam mundur ta imagjinoj. Zakonisht kam dëshirë t`ju tregoj njerëzve se sa modest e mirënjohës dhe të dashur i kam profesorët. Shpesh edhe na pyesin për vështirësitë e jetës në përgjithësi, jo vetëm për mësimet. Janë për t’u admiruar se sa çmime shkencore dhe akademike kanë profesorët e mi. Sado përmirësim të vogël që ne, studentet, mund të bëjmë, nuk dorëzohen duke na inkurajuar që ne të shtyhemi drejt limiteve tona. Sado pyetjet tona të jenë, jo edhe aq të menduara, ata nuk ngurrojnë që të na përgjigjen. Gjatë gjithë kohës mundohen të na mbajnë të informuar rreth zhvillimeve të reja shkencore, për ato që zhvillohen në fakultet e në botë. Ndaj tyre jam mirënjohës pa masë.
Në Hungari kemi edhe një komunitet tonin që është shumë i fortë e në mesin e tyre edhe Filantropin z. Avni Hafuzi nga Presheva. Je takuar me të?
Komuniteti jonë është shumë mirëpritës, thënë thjesht, është zemërmirë. Të nderuarin z. Avni Hafuzi e takoj shpesh dhe me të bëjmë biseda rreth qëndrimit të Luginës në raport me rajonin dhe botën. Mirëpritja e tij është e jashtëzakonshme. Mendoj se z. Hafuzi është një shembull se si kontribuohet në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë kombëtar. Unë vlerësoj lart veprat e tij. Z. Hafuzi ka bërë të mundur ngritjen e bustit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Budapest dhe një shtatore në një shesh dhe rrugë të emëruar me emrin “Skënderbeu” në Eger të Hungarisë. Po ashtu, vendosjen e pllakave përkujtimore të Nënë Terezës nëpër kisha.
Sa shqiptarë mendon që studjojnë në Hungari?
Vërtetë, në fakultetin tim, jemi një numër i vogël, por me sa kam dëgjuar, në përgjithësi, në Hungari, zhvillon studimet një numër i konsiderueshëm i studentëve me origjinë nga bota shqiptare.
Shkollën fillore dhe të mesmen i ke kryer në Prishtinë dhe je shpallur nxënësi dhe ambasadori i gjeneratës. Me çfarë fjalë do ti falenderosh profesorët tu në Kosovë?
Njerëzit përpiqen sa më shumë të zbulojnë dhe kuptojnë botën rreth tyre. Fjalët dhe veprimet e mësimdhënësve të mi, sado të pakuptimta të më kenë tingëlluar në atë kohë, aq më shumë marrin kuptim tani. Edhe libër të shkruaj, s’do të ishte e mjaftueshme. Për atë unë dua të falenderoj me një fjalë nga zemra: Falemnderit! Ata kanë vlerësuar punën dhe angazhimin tim, duke më shpallur nxënësin dhe ambasadorin e gjeneratës.
Ke marrë pjesë në Olimpiadën Evropiane dhe Botërore për Fizikanët e Rinj. Na trego më shumë, me disa fjalë, për këtë ngjarje?
Çdo vit mbahen olimpiada për fizikanët e rinj në Evropë dhe në Botë, më saktësisht për studentë, para se të arrijnë fakultetin. Këtu mblidhen fizikanët e ardhshëm të botës për të konkurruar në zgjidhjen e problemeve të vështira nga fushat e ndryshme të fizikës, mekanikës, termodinamikës, elektrodinamikës, relativitetit e fizikës kuantike. Për të pasur mundësinë e marrjes pjesë në këto gara, si përfaqësues i Kosovës, më është dashur të fitoj garat në nivel të Republikës së Kosovës, gjë, të cilën e kam arritur 3 herë me radhë (që nga klasa e dhjetë deri në atë të dymbëdhjetë), d.m.th unë kam marrë pjesë në garat ndërkombëtare të fizikës për 3 vite rresht.
Të them të vërtetën, rezultatet e mia të vitit të fundit kanë qenë rezultatet me të mira që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës, por unë nuk jam i prirur të mburren me këtë, sepse krahasuar me botën, në fushën e fizikës, kemi nevojë shumë për arsimim. Përfitimi më i madh prej këtyre garave, për mua, nuk ka qenë vetëm orët e pafundme duke ushtruar, por thënë në gjuhë më të thjeshtë, hapja e syve ndaj përparimit të botës perëndimore.
Vitin e kaluar e ke prezantuar edhe universitetin në një garë ndërkombëtare. Ku dhe si u prite?
Po, vitin e kaluar, unë e kam prezantuar BME-në në garat e programimit për universitetet. Garat janë mbajtur në Lubjanë të Sllovenisë. Mirëpritja ka qenë shumë e mirë. Këtë mundësi e fitova pasi grupi jonë prej tre personave morri vendin e dytë për universitetin tonë në garat e programimit në Hungari. Kjo, mund të them, ishte edhe një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua.
Sa shpesh po shkon në Kosovë?
Mund të them se koha ime është e limituar, por dy-tri herë në vit. Kjo plotësohet edhe me vizitat që më bëhen kohë pas kohe nga prindërit dhe familjarët e mi, prandaj, në këtë drejtim, mund të them se nuk ndjehem bosh.
Për fund të kësaj interviste edhe duke të uruar shumë suksese, na jip një urim për të gjithë shqiptarët për festën kombëtare të 28 Nëntorit!
E kaluara jonë, sa është e dhimbshme, po aq edhe e lavdishme, siç është edhe kjo datë historike, e cila na bashkon drejt aspiratës sonë. Natyrisht se shfrytëzoj rastin për ti uruar të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë në këtë botë, ‘Urime për Festën e 28 Nëntorit!’
Gjitha të mirat! Presim suksese të mëtejme.
Intervistoi: Dashnim HEBIBI