Ata diplomuan në gjeneratën e 61 të Policisë së Kosovës. Në hapjen zyrtare ishin të pranishëm krerët shtetëror, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës e zyrtarë të tjerë të lartë institucional.
Në fjalën e saj para policëve të rinj e sallës së mbushur plot, presidentja Vjosa Osmani 462 policët e rinj i quajti gardianë të Kosovës. Shefja e shtetit tha se policët janë shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë së secilit qytetarë, pavarësisht etnisë.
“Ata çdo ditë mbrojnë sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës. I përkulemi heroizmit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, i përkulemi edhe heroizmit të Enver Zymberit që ranë në detyrë në mbrojtje të atdheut”, tha Osmani.
Kryeministri Kurti, ndërkaq tha se zotimi i tyre për dy mijë policë të rinj në Kosovë gjatë mandatit të tyre, është përmbushur e o tejkalohet.
“Zotimi ynë në këtë mandat ishte për 2000 policë të rinj, janë diplomuar gjithsej 2 mijë e 76 policë të rinj. I ftoj të gjitha gratë dhe vajzat e Kosovës që janë të gatshme t’i bashkohen policisë të aplikojnë dhe të jenë pjesë e saj”, tha Kurti. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se me diplomimin e gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë më e fortë dhe më e sigurt. Ndërsa drejtori i Policisë Gazmend Hoxha tha se institucioni që ai drejton është organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare. Nga 462 policë të rinj, 79 prej tyre janë nga komuniteti serb në Kosovë, njofton rtk..