Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 396,787 vota, apo 42.30 për qind; Partia Demokratike e Kosovës, 196,474 vota, apo 20.95 për qind; Lidhja Demokratike e Kosovës, 171,357 vota, apo 18.27 për qind; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 66,256 vota, apo 7.06 për qind.
Në hyrje të kësaj mbledhje, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se institucioni që ai drejton ka zbatuar Ligjin e ri për Zgjedhje të Përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në verën e vitit 2023, nga i cili tha se i janë shtuar përgjegjësitë ligjore të KQZ-së, që përfshijnë procesin zgjedhor brenda dhe jashtë vendit.
Me 10 vota për është miratuar rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ndërkohë, kryetari i Radoniqi, i njoftoi të gjitha subjektet politike dhe kandidatët për deputet se ndaj këtij rezultati mund të parashtrojnë ankesë në afat prej 48 orësh, afat që nis të rrjedhë nga sot në ora 17:00.
Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 ulëse në legjislaturën e re të dalë nga këto zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse në parlament, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë e përfaqësuar me 20 deputetë, Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë 8 deputetë, Kosova Demokratik Turk Partisi me 2 deputetë, ndërsa 9 parti të tjera të komuniteteve jo serbe do të jenë të përfaqësuara me nga 1 deputet.
Radoniqi: Vonesat në rezultate, për shkak të ndryshimeve ligjore dhe verifikimeve shtesë
“Vonesat për shpalljen e rezultateve përfundimtare janë për disa arsye. Një nga arsyet ka të bëjë me zbatimin e ndryshimeve të shumta ligjore, të cilat kanë shtuar detyra për KQZ-në. Arsyeja tjetër lidhet drejtpërdrejt me platformën elektronike të rezultateve. Problemet me prezantimin e rezultateve preliminare për subjektet politike na kanë detyruar të shtojmë kontrollin e aktiviteteve edhe në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Pra, para publikimit të çdo rezultati, ne kemi dashur të bëjmë verifikimet tona duke i krahasuar statistikat me format e plotësuara gjatë numërimit, dhe kjo sigurisht ka marrë kohë deri në paraqitjen e rezultateve dhe ka zgjatur procesin”, tha Radoniqi.
Ai përsëriti se problemet me shfaqjen e rezultateve preliminare për subjektet politike nuk kanë pasur asnjë ndikim në rezultatin e procesit zgjedhor, njofton rtk.