KREMTË NË VETMI
(Kushtuar Dëshmorit të Kombit MENTOR RETKOCERI)
Të gjitha filluan në atë dhomë të vogël
ku mezi shihnim njëri tjetrin
në dritën e pakët të qiririt
E djeshmja e mundi të sotmen
duke dhënë rezultatet fatale
Sot, larg qëndron hija jote e tretur
Sigurisht të mundon barra e rëndë
që ta mveshi koha e egër
Larg më furfulloi fati edhe mua
Vetëm automatiku më shoqëronte
në atë errësirë ferri
I humbur për të gjithë
qëndroja në Malin me Gropa
prisja vazhdimësinë e jetës
apo edhe vdekjen
që ndoshta do të më kishte shpëtuar
nga vuajtjet e shumta
Fundi përkon me fillimin
Prapë në një dhomë të vogël
Vetminë e mbysim me evokimin
e përjetimeve tona
të cilat, herë na lagin sytë
herë na bëjnë të qeshim
Sonte kremtojmë…
Kremtojmë, por pa TY
Në atmosferën e fundosur në qetësi
Se s’ka kush ti japë jetë kësaj kremte.
Jeton ARIFI
2 korrik 1999