Në “zemër” të Evropës, në sheshin “Grand Place” të Brukselit zë vend një copëz Shqipëri, kjo falë Shtëpisë së Kulturës “Shqip Ville”. Nismëtarja e krijimit të saj është Ledja Canaj nga Vlora, prej 8 vitesh rezidente në Belgjikë.
“Shqip Ville” është një shtëpi kulture ku mësohet gjuha shqipe, zhvillohen ekspozita dhe promovohen produkte “Made in Albania”. Që prej 28 nëntorit të vitit 2022 mbi 400 mijë vizitorë kanë shkelur në të. Veç shqiptarëve, interesi ka qenë i lartë edhe nga të huajt.
“Këtu kanë qenë edhe nivelet më të larta, qoftë të artit apo politikës. Belget e kanë kthyer në destinacion për disa nga shkollat, vijnë me ture për të vizituar shtëpinë e kulturës shqiptare”, tha Canaj.
Kjo Shtëpi Kulture po prezanton imazhin dinjitoz të Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Shqip Ville” ka përmirësuar reputacionin e shqiptarëve, jo se ata janë bërë më të mirë pasi ashtu kanë qenë gjithmonë., por i është dhënë mundësia të jehojë kontributi dhe sakrificat që kanë bërë”, tha Canaj. Dëshira e Ledjas është që “Shqip Ville” të zgjerohet edhe në 12 kryeqytete të tjera duke u shndërruar në një kartolinë identifikuese të kulturës shqiptare në botë. / Gazetar: Marjo Gjini