Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ceremonisë së kuadrateve të FSK-së për shënimin e 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, tha se rreshtimi i ushtarëve po krijon një skenë ceremonie që e ruajnë një traditë të nisur që para 26 vitesh, traditë që sipas tij, e ka origjinën te 6 marsi 1999, kur Trupa Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari”, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Likoc e përgatiti shënimin e Epopesë së UÇK-së, në njëvjetorin e qëndresës së Jasharëve.
“Të dashur ushtarë të ushtrisë, të veshur me uniformën më të lavdishme, të bukur e tash edhe moderne, ju po mbani armë e flamuj, teksa qëndroni në shenjë gatishmërie e nderimi në mirënjohje të atyre që i vunë themelet e Ushtrisë së Kosovës, Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Po iu drejtohem në mënyrë konvencionale si Ushtria e Kosovës, sepse kësisoj e kishin quajtur vetën dhe idenë e tyre, grupi i armatosur i Adem Jasharit qysh në vitin 1989, pesë vite para se të merrte formë organizata Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Aq e afërt është ajo kohë e para 35 vitesh, saqë edhe sot në mesin e pjesëtarëve të FSK-së ka veteranë të UÇK-së duke kulmuar me komandantin, Bashkim Jashari, si i mbijetuar i luftimeve të 5 marsit 1998 në Prekaz dhe si nip i Adem e Hamëz Jasharit. Me gjeneral Jasharin në krye të FSK-së, ju dhe ne së bashku e kemi vetë Epopenë e UÇK-së dhe trashëgiminë e rezistencës së Jasharëve në krye dhe në frymën drejtuese të FSK-së”, tha Kurti.
Kreu qeveritar tha se që nga çlirimi i atdheut e deri më sot e tutje, një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë ka qenë fuqizimi i ushtrisë së Kosovës.
“Prandaj sot me ngazëllim mund të konstatoj se qysh nga viti 1989, kur Adem Jashari me shokë filluan të flasin e të punojnë për një ushtri të Kosovës, kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më armatosur më të pajisur dhe më të trajnuar se sa sot. Kjo, sepse përmes rritjes së buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe përmes shtimit të investimeve për blerje armësh, furnizime municionesh e sisteme armatimesh, FSK-ja i ka tejkaluar edhe disa nga objektivat e parapara për vitin 2028”, tha tutje ai.
Ka treguar se për ushtrinë kanë dhënë në shfrytëzim mijëra hektarë tokë, për të garantuar shtrirje operacionale dhe hapësirë për stërvitjen e trupave ushtarake, për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ka përmendur nënshkrimet e marrëveshjeve me vende anëtare të NATO-s.
Nga një vend që për t’u çliruar dikur, Kurti tha se Kosova është kthyer në një shtet që edhe eksporton siguri krahas aleatëve në botë.
Ai përmendi edhe fabrikën për prodhimin e municioneve dhe dronëve.
“Andaj të dashur ushtarë të Kosovës, tërë sytë tanë janë kthyer nga ju. Prandaj mbani fort armët në duar, flamurin lart, bashkë me vullnetin e guximin, shtrëngoni radhët tuaja, përkushtojuni shkollimit dhe avancimit tuaj, ashtu që t’i dilni zot atdheut tonë”, porositi ushtarët kryeministri, Kurti, njofton rtk.