helveticAL mëson, se e para e Preshevës, zonja, Ardita Sinani, ka takuar Ambasadorin e OSBE-së, z. Jan Braathu. Ajo ndër të tjera në profilin e saj në FB shkruan:
“Vizita e Ambasadorit të OSBE-së, z. Jan Braathu, ishte një mundësi e veçantë për të diskutuar çështjet që prekin thellë komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.
Mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të Ambasadorit Braathu në mbështetje të të drejtave tona, si dhe për përkushtimin e tij në nxitjen e zgjidhjeve për sfidat që na prekin.
Gjatë bisedës, adresuam një sërë temash kyçe si pasivizimi i adresave, një praktikë që ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi jetën e qytetarëve tanë, mospranimin e diplomave nga Republika e Kosovës dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Po ashtu, trajtuam çështjen e mungesës së përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike të rëndësishme si policia, gjyqësia dhe qendra shëndetësore e Preshevës, një shqetësim ky që ndikon në sigurinë dhe shërbimet e domosdoshme për qytetarët tanë.
Në këtë kontekst, këshilltari ynë për arsim, z. Muhamet Mustafa, theksoi mungesën e licencimit të mësimdhënësve shqiptarë, e cila mbetet një pengesë serioze për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe.
Ambasadori Braathu na informoi mbi përpjekjet e tij për t’i adresuar këto probleme dhe për të nxitur dialogun me autoritetet serbe.
Megjithatë, premtoi se do të vazhdojë angazhimin e tij për të afirmuar pozitën tonë dhe për të diskutuar këto tema në takimet e tij të ardhshme, përfshirë edhe takimin e planifikuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Falenderojmë Ambasadorin Braathu për përkushtimin e tij dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj çështjeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ky bashkëpunim na jep shpresë se me punë dhe angazhim të përbashkët do të mund të përmirësojmë kushtet dhe të drejtat tona“.