Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka udhëtuar sot për në Munih të Gjermanisë për të marrë pjesë në konferencën tre ditore të sigurisë `Munich Security Conference 2025`.
Përveç Kurtit, edhe presidentja Vjosa Osmani sot ka udhëtuar për të marrë pjesë në këtë forum, i cili cilësohet si ndër më prestigjiozët globalisht për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.
Nuk është bërë e ditur agjenda e kryeministrit Kurti përgjatë qëndrimit atje, teksa kjo konferencë do të zë vend në datat 14 – 16 shkurt.
MSC është një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare që mblidhen liderë të shteteve, ekspertë të politikës së jashtme, diplomatë dhe analistë të sigurisë nga e gjithë bota për të diskutuar çështje të sigurisë globale, politikës ndërkombëtare dhe sfidave të sigurisë. Konferenca mbahet çdo vit në Mynih, Gjermani, dhe është një forum për të shqyrtuar zhvillimet dhe problemet më urgjente, siç janë konfliktet ndërkombëtare, terrorizmi, ndryshimet klimatike dhe çështjet e mbrojtjes, njofton rtk.