Gjykata Kushtetuese vendosi që të ketë seancë përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në të cilën do të marrin pjesë ekspertë profesorë, por edhe parti politike, ku gjithkush do t’i paraqiste argumentet e tyre.
Ky propozim doli nga gjykatësja kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për lëndën.
E vetmja që ishte kundër kësaj, ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila tha se Gjykata Kushtetuese është ajo që duhet të sjell vendim për diçka, nëse diçka është apo jo kushtetuese. Nuk dihet kur do të caktohet kjo seancë, ndërsa për në orën 12 u vendos të mbahet konferencë për media. Ndryshe, gjykatësit shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari nuk ishin prezent në seancën e sotme. Kurse gjykatësi Fatmir Skender e lëshoi të njëjtën pasi nuk u pranua propozimi i tij që seanca e sotme të anulohet./Telegrafi/
——-
Kushtetuesja e Maqedonisë së Veriut sot shqyrton Ligjin për gjuhët
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të shqyrtojë sot kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili parasheh që përveç gjuhës maqedonase, gjuha shqipe të përdoret në të gjitha institucionet.
Dy gjykatësit shqiptar të Kushtetueses kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në seancë, në mënyrë që të mos ketë mbivotim. Vendimi për kushtetutshmërinë e ligjit ka shkaktuar reagime të shumta politike.
Dy blloqet politike shqiptare kanë dhënë qëndrimet e tyre për RTK-në. Zv.kryeministri, Izet Mexhidi tha se tashmë është krejtësisht e qartë, se nuk bëhet fjalë për kontestim të gjuhës shqipe. E deputeti i BDI-së në opozitë, Arbër Ademi tha se shfuqizimi i ligjit sjell pasoja të rënda. Ai ka paralajmëruar se do të qëndrojnë para dyerve të Kushtetueses, siç kanë thënë për të kundërshtuar tendencat politike që minojnë Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Ligji i shumëpërfolur muajt e fundit, për përdorimin e gjuhëve, ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e kësaj gjykate, ndërsa lënda që lidhet me kundërshtimin e tij, përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019, një vit pas miratimit.
Ky Ligj, i cili nisi të diskutohet në vitin 2017 dhe u miratua më 2018, parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe, dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2. Kushtetuesja është tani duke e shqyrtuar nenit 9 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili thekson se, në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, si dhe në të gjitha organet, trupat dhe institucionet, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj. Sipas këtij ligji, i cili hyri në fuqi më 2019, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend, nga E.Podvorica/rtk.