Jeton ARIFI, M.A.
Veprimtaria e përditshme e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për të garantuar lirinë e informimit është tregues i ekzistimit të palëve, të cilat e shohin këtë të drejtë nga këndvështrime të ndryshme.
Pavarësisht që brenda institucioneve publike mund të mbizotërojë përceptimi se procedurat e ligjshme të ofrimit të qasjes në dokumente publike, shpesh mbingarkojnë administratën e tyre me punë të tepërt, jetësimi i kësaj të drejte të qytetarëve dëshmon përkushtimin e shtetit për të respektuar, mes tjerash, edhe të drejtën e qytetarëve për të ditur më shumë rreth dhe për t’u ndjerë pjesë e veprimtarisë së çdo institucioni publik.
Në javën e fundit të shtatorit, kudo nëpër botë organizohen aktivitete të larmishme për të shënjuar Ditën Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informata. Kjo traditë e instaluar nga UNESCO, sipas së cilës 28 shtatori i çdo viti simbolizon lirinë e informimit, ka filluar të shënjohet edhe në Kosovë.
Qytetarët, gjatë javës së fundit të çdo shtatori, kanë mundësinë të informohen më hollësisht se çfarë të drejtash u garanton Ligji për Qasje në Dokumente Publike. Këto informacione, ata, zakonisht, i marrin përmes mediumeve, të cilat ndjekin aktivitetet e këtij autoriteti të apelimit dhe organizatave joqeveritare nëpër sheshet e qyteteve kryesore të vendit apo edhe drejtpërdrejt, duke u bërë pjesë e anketimeve që zhvillohen në këto hapësira publike lidhur me këtë temë.
Institucioni i pavarur i shtetit, i cili funksionon si autoritet i apelimit për qytetarët, është duke aplikuar metoda praktike dhe të përshtatshme të informimit për çdo kategori të qytetarëve, me qëllim që ata të bëhen më proaktivë e më këmbëngulës në atë që u takon me ligj.
Situata aktuale në Kosovë, për sa i përket respektimit të lirisë së informimit, mund të konsiderohet e kënaqshme, sepse institucionet publike janë të vetëdijshme për ekzistimin e autoritetit mbikëqyrës, të cilit i raportojnë në baza vjetore. Agjencia për Informim dhe Privatësi, vetëm para pesë vitesh kishte marrë mandatin shtesë për mbikëqyrjen e kësaj fushe, e që sot funksionon si autoritet i apelimit për qytetarët dhe përmes mekanizmave detyrues, mbikëqyrë efektivisht institucionet se sa po e zbatojnë në praktikë këtë të drejtë.
Në anën tjetër, qytetarët, veçanërisht komuniteti i gazetarisë dhe rrjeti i shoqërisë civile, i përfaqësuar përmes organizatave joqeveritare, përmes ushtrimit të të drejtës për t’u qasur në dokumentet publike që prodhohen nga institucionet e shtetit, jo vetëm që po e arrijnë qëllimin e tyre të ligjshëm, por edhe po i bëjnë institucionet më të përgjegjshme e më transparente.
Megjithë barrierave ekzistuese, të cilat, mes tjerash, lidhen edhe me mbështetjen e munguar të qeverisë për këtë autoritet, Agjencia, për një kohë të shkurtë, ka arritur të hartojë shumicën e akteve të nevojshme nënligjore për funksionalizimin e saj; e ka përshtatur organizimin e brendshëm të saj për të funksionuar e pavarur dhe efektive; dhe po vazhdon investimin e saj në rrjetin e dy niveleve të zyrtarëve të institucioneve publike për të rritur transparencën, duke shtuar paralelisht edhe kapacitetet e saj të brendshme profesionale.
Objektiv thelbësor i këtij institucioni mbetet garantimi i vazhdueshëm i jetësimit të të drejtës për të pasur qasje në dokumente publike. Aplikimi i parimeve që burojnë nga ligji përkatës, mundëson ndërtimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit, sepse e drejta e tyre është e një rëndësie të veçantë për këtë autoritet.
Fuqizimi i lirisë së informimit është tregues i funksionimit të demokracisë në një vend, sepse të jesh i informuar të bën të ndjehesh më i sigurtë në raport me të nesërmen.
Vlen të theksohet se këtë të drejtë mund ta ushtrojë kushdo, e veçanërisht qytetarët tanë të mërguar jashtë territorit administrativ të shtetit.