/ Nga Fitim A. Nuhiu /
Sapo arrita në Belgjikë, i shkrova:
– Drita, erdha në vendin tënd, më pyeti,
– si në vendin tim, në Preshevë!!!
– jo jo i thashë në Belgjikë,
– ah, ky s’është vendi im!
I thashë nëse ke pak kohë, dua të të takoj, menjëherë më kërkoi adresën, ia dërgova dhe të nesërmen erdhi në kohën siç më tha: 10:06 do jem para derës së shtëpisë.
Vërtetë erdhi po në atë kohë, e përpiktë si gjithnjë.
Tha: I dërgova fëmijët në shkollë, i thashë burrit të merret me ta dhe të më lërë rehat të takoj bashkëvendasin tim.
Sapo u pamë, u përqafuam me mallin e diçkaje që kishim mangut të dytë, vendin tonë origjinë dhe si gjithnjë, ishte me përplot energji për bashkëvendasit e saj dhe jo vetëm, ajo realisht është e dashur me të gjithë që i takon.
Në shpinë e kishte një çantë, më kujtoi Dritën e gjimnazit, dhe ia thashë me humor, akoma çanta s’po të hiqet nga shpina a?
Me vete kishte edhe një pako me dhurata që na kishte sjellë për familjarët e mi, miqtë tanë të përbashkët, nënën time, fëmijët e mi, mua një libër të burrit të saj, etj etj.
U prezantua me nikoqirët dhe familjarët ku ne kishim ardhur për vizitë, bisedonte me ta sikur të njiheshin një shekull më parë.
Kafenë që ia servuam, ne e pimë e ajo e harroi, i kujtova ta pinte sepse t’u ftoh, s’ka gjë, ashtu e pij, e vazhdoi “rrugëtimin” dhe kujtimet e saja për në Preshevë.
Me thënë të drejtën, kisha shumçka për t’i thënë e për t’i treguar, të rejat nga vendi ynë, por desha ta dëgjoja ç’fliste ajo, dhe sikur e gjeti edhe ajo terrenin që të fliste e të fliste pambarim, sepse kishte gjetur dëgjues të mirë, edhe ne e dëgjonim, sepse kishte për të na thënë shumçka për jetën reale dhe rrethanat që ato krijonin, që i jetonim me një mënyrë ose tjetër të gjithë ne, por që prapseprap përfitonim nga ajo që thoshte.
Qëndroi tërë paraditen dhe na ofroi të shkonim ta shikonim e vizitonim disa vende të qytetit ku ajo jetonte, gjë që e bëmë.
Drita fliste tërë kohën për Preshevën, preshevarët, për zonjat që kishte Presheva, për të shkolluarit e zellshëm, për njerëzit që lexonin dhe diskutonin për Karl Poperin e Sartrin e që të tjerët i merrnin për të marrë, për mësimdhënësit z.Ymerin, z.Ahmetin (babain tim) etj, na fliste për garat shkollore dhe festivalet që organizoheshin, i tregonte gruas sime për kohën kur vinte në shtëpinë time me nxënësit tjerë të babait tim, e unë isha më i vogël, e kur nëna ime i priste me një mikpritje (sipas Dritës) të veçantë dhe i përgatiste ca specialitete interesante, fliste për luftën dhe bashkëluftëtarët e saj të dikurshëm, për moralin e tyre, për Bardhylin e saj dhe dëshmorin tonë aq të dashur e modest, fliste për një Preshevë që dikur ishte e tashmë s’është, por ajo nuk e dinte, dhe as që doja t’ia prishja terezinë.
Ndërkohë që fliste m’u kujtua një filozof gjerman ku thotë: lumturia është vetmashtrim. Epo ndonjëherë ia vlen ta mashtrojmë veten, veç të shijojmë ca dromca lumturie për pak çaste.
Epo le të jetë kjo, fundi fundit, le të jetojë me kujtimet që ajo i mbart, sepse realiteti na vret gjithnjë, s’doja që ta vriste atë, sepse mjaftueshëm e kishte vrarë dikur.
Kaluam tërë paraditen dhe pasditen me të, dhe në fund i thashë:
Dritë, na erdhi koha që të ndahemi, e do të shkruajmë ndërkohë, e ajo sikur s’donte, s’donte të ndahej nga “Presheva” e saj.
U ndamë, ajo na duke thënë: jo s’do shkruajmë, por do të shihemi përsëri gjersa jeni akoma këtu. Uroj që të ndodhë pra!
Sa shumë që e donte Preshevën!
08.12.24
Merchtem, Belgjikë