/ Nga: Rexhep ELEZAJ, Gjermani /
Vërtetë është praktikë neveritëse që mandati i deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës të jetë i pakufizuar, duke i dhënë të drejtën individëve të caktuar që në çdo zgjedhje parlamentare të kandidojnë për postin e deputetit dhe atë pa asnjë kufizim kohor, siç ndodhë në Kosovë, ku politikanë të caktuar në çdo legjislaturë zgjedhore janë bërë deputet, dhe kjo anomali politiko-juridike vazhdon të ndodhë tek të gjitha partitë politike në Kosovë, pa përjashtim, kur siç e dimë, një politikan kandidohet dhe disa herë ri-zgjedhet deputet, madje edhe deri në pesë herë, thua se këta politikanë janë njerëz të pa zëvendësueshëm.
Shih vetëm listat zgjedhore të cilat u publikuan dje, dhe do të shohësh, se sa shumë deputet garojnë për të satën herë, sikur Kuvendi i Kosovës të ishte byro për punësim, e jo shtëpi e shenjtë përfaqësuese e popullit..!?
Pra, nëse mandati i deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk mund të ndryshohet dhe kufizohet me ligj vetëm dy herë nga katër vite, për shkaqe politike dhe juridike, atëherë një mundësi të tillë e kanë partitë politike që vetë ta kufizojnë mandatin e deputetit në Kuvend, pra që një kandidat të mos mund të garojë më shumë se dy herë, e që do të ishte një vendim shumë racional politikisht si dhe shumë demokratik, me qëllimin fisnik që politikanë të caktuar të mos mund ta monopolizojnë postin e deputetit, siç ka ndodhur në legjislaturat e kaluara, kur një politikan ose udhëheqës partiak është bërë deputet në tri, katër dhe pesë mandate, aspak me meritë, veçse si i privilegjuar brenda partisë nga e cila vjen.
Ja disa arsye politike, se pse një politikan apo aktivist partiak nuk do duhej të zgjidhej për deputet në më shumë se dy mandate;
1.), sepse, i njëjti individ-politikan në mandatin e tretë nuk do të ishte më deputet aktiv, sikur në dy mandate paraprake, meqë të qenit deputet në dy mandate nga katër vite, e që bëjnë tetë vite në të njëjtin post, pa asnjë dyshim, se do e humbë elanin, energjinë, forcën si dhe interesimin që në mënyrë aktive t’i përfaqëson dhe mbron interesat e votuesve të vetë, e që kjo është detyrë primare e çdo deputeti,
2.), sepse i njëjti politikan-deputet përgjatë dy mandateve e konsumon në masë të madhe “kënaqësinë” e të qenit deputet, roli dhe puna e tij në Kuvend do të zbehet, siç i kemi parë në 16 vitet e kaluar shumë deputet me nga tri e më shumë mandate, të cilëve rrallë herë u është dëgjuar zëri në Kuvend, madje ka pasur të tillë që në asnjë seancë nuk e kanë marrë fjalën, siç nuk kanë dhënë kurrë ndonjë ide apo propozim me gojë ose shkrim, që rajonit nga i cili vijnë t’i ndahen projekte zhvillimore, subvencione ose ta kenë parashtruar dhe mbrojtur në Kuvend ndonjë kërkesë konkrete të votuesve të tyre, përveç se duke marrë pagë të majme dhe pa kurrfarë mërite,
3.), sepse duke u rizgjedhur në më shumë se tri, katër dhe pesë mandate, të njëjtit politikanë, përveç se partive të tyre nuk u kanë sjellë asnjë të mirë, në të kundërtën, ua kanë zënë vendin për t’u kandiduar për deputet politikanëve të rinj, gjë që ky monopolizim ka bërë që partitë politike në Kosovë të mos reformohen fare, gjegjësisht të mbesin në duart e vetëm disa udhëheqësve partiak, dhe, ky ka qenë dëmi më i madh që i kanë sjellë mendësisë politike në Kosovë,
4.), sepse të qenit ish ushtar, komandant apo lider politik i UÇK-së, në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të jetë kriter që një udhëheqës partiak ta ketë të drejtën ekskluzive, që tri, katër dhe pesë herë të rizgjedhet deputet, ngase me këtë logjikë mendësia politike brenda partive, dhe jo vetëm, ka pësuar metamorfozë shkatërruese të vlerave të demokracisë në shoqëri, duke e ndërtuar klasën e oligarkisë politike në Kosovë, në fakt duke e mbytur procesin e emancipimit të shoqërisë, por edhe të spektrit politik në Kosovë, ngjashëm me atë logjikën dhe diktatin komunist-stalinist.
Me një fjalë, ashtu siç ka nevojë imediate ndryshimi dhe plotësimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e njëjtë është domosdoshmëria e ndryshimit dhe plotësimit të shumë ligjeve, sidomos atyre që kanë të bëjnë me rregullimin dhe reformimin e administratës shtetërore, përfshirë ligjin për përfaqësim të popullit në Kuvend, e që dikur janë quajtur delagatë, ndërsa sot quhen deputet.