ZAGREB. “Gruaja është forcë e madhe. Sa më shumë të bashkuara dhe solidare të jemi ndaj njëra tjetrës, aq më lart do ta mbajmë imazhin e femrës shqiptare, duke e prezentuar kulturën dhe traditat tona në vendin ku jetojmë. Gruaja fuqizon gruan!“, na tha, ndër të tjera, zonja Krasniqi.
Zonjë e nderuar, edhe pse ju njohim si një veprimtare e devotshme, megjithatë, për hir të lexuesit, ju lutem t`na përshkruani profilin tuaj! Me se merreni? Çfarë profesioni keni?
Quhem Melihate Krasniqi, e lindur në Pejë.Rrjedh nga një familje e mesme zejtarësh, nga baba Nexhipi dhe nëna Azemine. Shkollën fillore, të mesmen dhe shkollën e lartë ekonomike i kam mbaruar në vendlindje, si dhe shkollën politike njëvjeçare në Prishtinë.Me profesion jam ekonomiste dhe kam punuar në Komitetin Komunal të Lidhjes Komuniste në Klinë, si shefe e kontabilitetit për 11 vite. Njëherit isha edhe kryetare e sindikatës së bashkësisë punuese në organizatat shoqërore politike. Tani jam në pension dhe jam aktive në komunitetin tonë shqiptar në Zagreb.
Na tregoni, ju lutem, kur keni migruar në Zagreb?
Në Zagreb kam ardhur me 19.04.1987 për shkak të martesës me Bajrush Krasniqin.
Cila është struktura aktuale e familjes suaj?
Tani jam eve. Bashkëshorti im, Bajrushi, ndërroi jetë me 02.02.2022 dhe u varros në Zagreb. Kam dy fëmijë: vajzën Kaltrinën dhe djalin, Ardianin. Jetojmë bashkë. Kaltrina është lindur në Zagreb, ku përfundoi studimet dhe fitoi titullin magjistre e infermerisë. Tani punon ne Klinikën Spitalore të Zagrebit si zëdhënëse e motrës kryesore në repartin e onkologjisë.
Ajo ishte shumë vite në grupin senior në “Zagrebačke Mažoretkinje” dhe trajnere. Mori pjesë në kampionate të shumta rajonale, kombëtare dhe evropiane, ku fitoi medalje të shumta. Në vitin2022, së bashku me kolegët e tjerë, ajo u shpallinfermierja e vitit nga KBC Jordanovac.
Poashtu, ka qenë edhe në grupin teatral shqiptar në Zagreb “Mërgimtari”. Ardiani, poashtu, është lindur në Zagreb, ku përfundoi studimet në fakultetin ekonomik. Ka punuar ne ‘Booking.com’ si përfaqësues për Kosovë dhe Shqipëri pasiqë e njeh shumë mirë gjuhën shqipe. Tani punon në aviacion dhe është përfaqësues për Ballkan.
Të dytë janë anëtarë të Shoqatës “SHKSHK” – Shkëndija për më shumë se 20 vite, ku kanë kontribuar në ruajtjen e vlerave kombëtare me këngë dhe valle shqiptare tradicionale. Kaltrina, tani në zgjedhjet e fundit, është emëruar për të tretën herë nënkryetare e shoqatës “SHKSHK” – Shkëndija.
Si 9 vjeçare, Kaltrina performoi në vitin1997 si kërcimtarja më e re në sallën e koncerteve ‘Vatroslav Lisinski’ në manifestimin e parë ndërkombëtar të pakicave kombëtare në Zagreb. Ata ishin, gjithashtu, anëtarë të Rrjetit Rinor Shqiptar në Kroaci, Klubit të Studentëve Shqiptarë dhe Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, ku dhe tani, vajza Kaltrina, është anëtare.
Gjatë mandatit katërvjeçar (2015 – 2019) në Këshillin e Pakicës Kombëtare Shqiptare realizuan projekte me anëtarët e Filharmonisë së Kosovës me emrin ‘Newborn’, si dhe me Korin e Grave ‘Siparantum’ nga qyteti i Pejës.
Si e kujtoni veten në ditët e para në Zagreb?
Si çdo mërgimtar, më kujtohet ajo ditë, kur e lashë vendlindjen, babën, nënën,vëllëzërit, motrat, shtëpinë ku jam rritur, dhe mora rrugën e mërgimit. Më kujtohet ndarja, ku disa metra, dora ime dhe e tyre lamtumirëse zgjateshin deri sa nuk u pamë më.
Sytë i kisha të mbushur me lot, por falë bashkëshortit tim, Bajrushit, i cili ishte tepër i kujdesshëm ndaj meje gjatë gjithë rrugës, arritëm në Zagreb. Qytet i bukur, i madh, arkitektura e kohës austrohungareze, i hapur, i mbushur me plot gjelbërim, krejtësisht tjetër nga vendlindja ime. U mahnita me bukurinë e Zagrebit edhe pse kisha qenë dy herë më parë, e në anën tjetër, sjelljet e Bajrushit më bënin të ndjehem e lumtur.
Ditët i kalonim duke shetitur në Zagreb, në mbrëmje në teatër, koncerte, kishte më të vërtetë përmbajte dhe ngjarje të bukura që ta hiqnin mërzinë. Kështu, dita ditës, shumë vite kaluam, një jetë të bukur dhe të lumtur bashkëshortore, ku krijuam familjen tonë të mrekullueshme.
Gjëja kryesore ishte se Bajrushi e kishte banesën e vet dhe i punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, pra kishim një jetë normale që nuk kishim nevojë për të menduar për ekzistencën materiale. I kishte të gjitha.
Cila është veprimtaria juaj publike (jashtë punës së zakonshme)?
Tani jam në pension. Më parë, së bashku me bashkëshortin tim, Bajrushin, ishim shumë aktivë në komunitetin tonë shqiptar, mirëpo pas vdekjes së tij, unë isha pasive në këto aktivitete. Besoj që prapë do të rikthehem.
Jam anëtare e Shoqatës së Grave Shqiptare të Zagrebit “DRITA ” që nga themilimi në vitin 2005, ku dhe tetë vite më radhë isha nënkryetare.
Shoqata merret me promovimin dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe promovimin e gruas shqiptare në të gjitha sferat e jetës. Gruaja është forcë e madhe. Sa më shumë të bashkuara dhe solidare të jemi ndaj njëra tjetrës, aq më lart do ta mbajmë imazhin e femrës shqiptare, duke e prezentuar kulturën dhe traditat tona në vendin ku jetojmë. Gruaja fuqizon gruan!
Për kontributin në komunitetin shqiptar në Zagreb, më është ndarë mirënjohje nga Shoqata eArtistëve Shqiptarë në Kroaci ‘Dea’ nga Zagrebi, si dhe nga Shoqata Shqiptare nga Rumania.
Na flisni pak për bashkëshortin tuaj, tashmë të ndjerë, me të cilin edhe kemi pasur nderin që të kemi intervistë. Si ishte ai, si bashkëshortdhe si prind?
Hmmm…! Pyetje pak e vështirë. E di se e kam të pamundur ti përshkruaj të gjitha të mirat që i ka pasur bashkëshorti im, Bajrushi, por megjithatë do të mundohem që përmes disa rreshtave të jap një pasqyrë të shkurtë për figurën, jetën dhe kontributin e tij.
Biografi e pasur, me shumë suksese dhe nderime të mëdha.
Rrjedh nga një familje e pastër që është mësuar të fitojë me djersë nga baba Imeri dhe nëna Fatime. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen shkollën ushtarake në Sarajevë dhe pastaj e dërguan për të shërbyer në Kazermën “ŠpanskihDobrovoljaca” në Trsat në Rijekë, si nënoficer.
Ishte këmbëngulës dhe njëherit vullneti dhe dëshira për të investuar në vete, sepse investimi në vetvete është pasuria më e madhe. Iu dha mundësia për të jetuar në kryeqytetin e Kroacisë, në Zagreb. Këtu regjistroi fakultetin e shkencave politike, ku arriti titullin
“Profesor Odbranei Zaštitei Osnova Marksizmai Teorijei Prakse Samoupravnog Socijalizma”. Gjatë studimeve është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë në “Komunëne Qendrës” në Zagreb dhe punoi deri në pension.Aty ka kryer disa funksione udhëheqëse.
Është dekoruar nga ish Presidenti i Republikes së Kroacisë dr. Franjo Tuđman me ‘Memorialin eLuftës Atdhetare’, nga Gjeneral Zvonimir Červenkoi është ndarë lavdërim për punën dhe kontributin e dhënë në mbrojtje të Qytetit të Zagrebit dheRepublikës së Kroacisë gjatë Luftës Atdhetare1990/92. Poashtu, i është ndarë statusi: ‘Hrvatskog Branitelja iz Domovinskog Rata– Dragovoljca’.
Në vitin 2016 është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërise z. Bujar Nishani me ‘Dekoratëne Artë të Shqiponjës’. Tregoi fisnikërinë dhe humanitetin ndaj njerëzimit, duke dhuruar disa herë vullnetarisht gjak.
Ka qenë i qetë, pak ka folur, por më tepër dëgjonte. Në sytë e tij kam parë vetëm gëzim dhe plot pozitivitet për njëditë më të mirë. Ka qenë krenar që ka kontribuar aty ku është kërkuar.Si prind ka qenë i mrekullueshëm, babai më i mirënë botë. Ishte udhërrëfyes i fëmijëve, i cili i mësoi të dijnë se si jetohet në një shtet të huaj, ku ka shumë minoritete, ku të veten duhet dashur dhe respektuar të tjerët. Te Bajrushi nuk ka ekzistuar kurrë fjala ‘unë’, por vetëm ‘ne’, sepse të gjitha i kemi zgjidhur me dialog. Fëmijëve u thoshte ‘Ju kam dukat!’ Fat të madh kemi pasur të dytë që Zoti na ka bashkuar. Kishte një kulturë të gjerë, i kujdesshëm ndaj meje në çdo hap, më respektonte tepër. Kishim mirëkuptim të dytë njësoj ndaj njëri tjetrit. Me fjalë tjera, ka qenë një njëri më të gjitha virtytet e larta njerëzore dhe ide kombëtare. Ndërroi jetë më 02.02.2022 në Zagreb, ku u varros me nderime të larta shtetërore kroate dhe më tre flamuj:kroat, kombëtardhe të Republikës së Kosovës. I qoftë toka e lehtë e Zagrebit! Më mungon shumë!
Sa keni arritur të integroheni në shoqërinë kroate?
Plotësisht, mund ta them, se jemi integruar në shoqërinë kroate, me të gjitha të drejta të barabarta.
Sa shpesh e vizitoni vendin e lindjes suaj?
Zakonisht, një herë në vit, por nëse është nevoja edhe më shpesh.
Cila grua (fytyrë publike) në atdhe [Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës, etj.]mendoni se ka bërë shumë përavancimin e gruas në shoqërinë tonë?
Ka shumë gra, por njërën ndër to po e cek:Flora Brovina.
Në cilin dimension mendoni se gruajashqiptare e diasporës ka kontribuar më sëshumti për çlirimin e Kosovës?
Gruaja shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë gjithë historisë sonë. Kështu edhe në kohën e luftës dha kontributin maksimal në disa mënyra, duke bërë lobim në shoqërinë ku jetonte për situatën e vështirë në Kosovë, duke mbledhur dhe dërguar ndihma materiala dhe financiare atdheut.
Më kujtohet edhe aksioni humanitar “Vendlindja Thërret“, ku të gjithë kontribuam me mjete financiare për ta ndihmuar Kosovën.
Sa premtuese, sipas jush, është gjenerata e fëmijëve tuaj në ruajtjen e traditës kombëtare [etnokulturës tonë]?
Në këtë pyetje është pak vështirë të përgjigjem, sepse krejt varet nga baza familjare. Nëse, që nga fillimi, prindërit, fëmijët e tyre i edukojnë në frymën kombëtare, duke ua mësuar gjuhën amtare, kulturën, traditat dhe historinë e kombit tonë, patjetër se në atë familje, sado pak, do të ruhet identiteti ynë. Nëse këto nuk ekzistojnë në një familje, atëherë mund të vijë deri tek asimilimi i gjeneratave të reja.
A mund ta bëni dallimin e statusit të gruas shqiptare të diasporës në familje dhe shoqëri deri në vitin 2000 dhe pas kësaj periudhe e deri sot?
Është dallim i madh! Tani, gruaja ka një pozitë shumë më të mirë në shoqëri, në çdo aspekt, si në anën sociale, ekonomike, politike, etj. Sot, ajo ështe forcë dominuese në vendimarrje, ka arritur nivelin e lartë në arsim, edukim, kulturë, është më bashkëhore dhe ka avancuar në të gjitha lëmitë.
Në cilat segmente vlerësoni se gruaja shqiptare e diasporës ka nevojë të mbështetet nga shteti amë?
Po, patjetër se në çdo segment, gjithmonë aty ku kërkohet dhe kur është nevoja.
Sipas jush, ku do të duhej të investoj më shumë shteti i Kosovës apo edhe ai i Shqipërisë për diasporën tonë?
Ta ndihmojë dhe ta përkrahë edhe më shumë në arsim, në kulturë, në ruajtjen e gjuhës, identitetit tonë shqiptar dhe në mos asimilimin të gjeneratave të reja.
Në fund të këtij bashkëbisedimi, duke ju njohur si veprimtare të palodhshme dhe se keni lexuar shumë, si e vlerësoni këtë projekt të këtij libri?
I nderuari miku im, Dashnim, po ju quaj kështu, sepse më dukeni më i afërt dhe se mendoj që çdo zonjë që është pjesë e këtij libri do të ju konsiderojë mik të vërtetë. Ju jeni shkrimtari i parë, i cili, me shumë mund dhe përkushtim, jeni duke i kushtuar rëndësi gruas shqiptare të diasporës, e cila ka një vlerë të madhe dhe do të lëjë gjurmë të pashlyer në historinë e kombit tonë. Tek e fundit, ky libër do të mbetet kujtim për brezat e ardhshëm, histori e të parëve tanë se sa gruajashqiptare ka kontribuar edhe atë më shumë mund në ruajtjen e gjuhës, traditës dhe historisë sonë kombëtare. Ju përgëzoj për këtë vepër të madhe dhe të çmuar. Po sikur të ishte e mundur, do të ju ngritja një përmendore diku në mesin e Evropës për ti’ treguar botës se ju ishit i pari që vlerësuat rolin e gruas shqiptare të diasporës. Ju lumtë pena dhe mendja, i nderuari miku i familjes sonë, PhD. Dashnim Hebibi! ( Nga libri „Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare (II)”)
Speciale për helveticALforum