/ Nga Dr. Sali Sefa, ish konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih, njëherit diplomat në karrierë
Thirrje të këtilla nuk kemi pasur asnjëherë më parë! Na quajtën gjysëm analfabetë, Na quajtën gërrnaça! Na quajtën shaca e budallenj! Na quajtën e çka nuk na quajtën!
Siç duket, dikë e ka kapur zori, edhe zor i madh madje! Secili nga këta liderë, si duket, e ka një siklet. Kanë nevojë për ne, ose më mirë të them, u duhemi ne atyre vetëm deri me 9 shkurt. “Votoni për ne”, thotë i pari, “sepse ata para nesh e shkatërruan me vite e ne e bëmë mirë, votoni për këtë numër sepse jemi më të mirët”! I dyti premton ekonomi dhe flet me bindje profesionale, kthehet edhe në kohën e ministrisë së tij që vërtetë edhe ka për çka flet. I drejtohet mërgatës: “votoni për ne, votoni numrin tonë sepse ne, ne do të qeverisim më mirë!” I treti premton për ndryshime me një program të mirë dhe me një listë vërtetë më serioze nga të tjerët.
“Votoni këtë numër sepse ndryshimi ka filluar!” I katërti vjen me një kauzë të madhe per anëtarësim në NATO, që për mua do të ishte arritja më e madhe pas 17 Shkurtit 2008! “Votoni numrin tonë, sepse brenda një viti jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO!” Votoni! Votoni! Votoni!!!
Përgjigja ime është PO, do të votoj, do të votojë edhe familja ime, edhe shumë të afërm dhe miq të mi. Këto ditë edhe në Berlin të Gjermanisë takova shumë miq e bashkëveprimtarë, ku biseduam edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit. Edhe këtu në Zvicër takohemi dhe bisedojmë, telefonojmë dhe flasim për ju kandidatë, për postin e kryeministrit. Si emërues i përbashkët për thirrjet tuaja “VOTONI”, është se PO, do të votojmë!Për cilin lider dhe për cilin numër, me askë dhe asnjëherë nuk e biseduam, por…diçka ishte interesante dhe poashtu e re, sepse kësaj radhe kokrrën do t’ia qesim premtimit dhe votën, kurrësesi nuk do ta falim.
Mërgimtarë, votoni atë që ju mendoni se e meriton votën tuaj, votoni për programin më të mirë, votoni për premtimet dhe mos i harroni ato! Votoni dhe votën tuaj mos e humbni! Votoni e votën tuaj kurrësesi mos e falni! P.S. Mërgatë, mos lejo që të ndaheni në grupe, mos lejo të krijohen hasmëri e urrejtje, sepse Kosova është atdheu ynë i dashur dhe i përbashkët!
helveticALforum